Gjyqtarja Enkeleida Hoxha e shoqeruar nga policia në KPA.
KPA Lajme

Enkeleida Hoxha nuk paraqitet për konkluzionet përfundimtare në KPA

Ish-gjyqtarja e Krujës, Enkeleida Hoxha nuk u paraqit të martën në seancën publike në KPA kur ishte përcaktuar të paraqiteshin konkluzionet përfundimtare lidhur me ankimin e kryer prej saj ndaj vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, që e shkarkoi atë nga detyra për lirimin e një të dënuari për vepra të rënda penale. Relatorja e çështjes së juridiksionit  disiplinor, gjyqtarja Albana Shtylla sqaroi se institucioni i paraburgimit ku Hoxha po qëndron, pasi u arrestua për kryerjen e një vepre penale, kishte njoftuar 20 minuta para fillimit të seancës se ajo nuk do të paraqitej me pretendimin se kishte probleme shëndetësore për shkak të gjendjes së saj emocionale.

Në seancë nuk ishte i pranishëm as përfaqësuesi ligjor i Hoxhës, avokati Ardian Visha, për të cilin Kolegji konstatoi se nuk kishte paraqitur arsye për mosprezencën.

Të pyetur nga trupa, përfaqësuesit e Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD vërejtën se kërkesa e ankueses ishte e pashoqëruar me prova, si dhe faktin se ka pasur kohë të mjaftueshme për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare. Ata e konsideruar mosprezencën e gjyqtares Hoxha dhe avokatit të saj si një përpjekje për të zvarritur procesin.

Kolegji u tërhoq dhe kreu verifikime nëpërmjet komunikimit me institucionin e praburgimit ku gjendet Hoxha, lidhur me gjendjen shëndetësore të kësaj të fundit. “Mjeku ka konfirmuar se është në gjendje të mirë shëndetësore,” deklaroi Shtylla. Ajo solli në vëmendje faktin se si ankuesja, edhe avokati i saj ishin njoftuar për zhvillimin e seancës të martën kur do të paraqiteshin konkluzionet përfundimtare, por se ata nuk kishin paraqitur asnjë shkak të arsyeshëm për mospraninë e tyre.

Kolegji vendosi vijimin e seancës për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare nga ana e përfaqësuesve të KLGJ-së dhe te ILD-së.

Enkeleida Hoxha gjendet në paraburgim prej 11 shkurtit 2021, kur u arrestua bashkë me 11 persona të tjerë si pjesë të një strukture kriminale që synonte të lironte disa të dënuar që e vuajnë dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Fushë-Krujë, kundrejt përfitimeve monetare.

Më pare, ILD kishte filluar hetim disiplinor ndaj Hoxhës për shkak të lirimit të dy të dënuarve për krime të rënda, një prej të cilëve Hekuran Billa i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje në Mbretërinë e Bashkuar që iu konvertua me 25 vjet burg në Shqipëri – i cili u ekzekutua rreth një vit pasi fitoi lirinë. Pas arrestimit të saj për përfshirjen në lirimin e të dënuarve të tjerë, KLGJ vendosi më 17 mars që ta largojë nga detyra gjyqtaren Enkeleida Hoxhën, vetëm për një prej çështjeve të pretenduara nga ILD, atë të lirimit të Billës.

Përfaqësuesit e KLGJ dhe ILD mbajtën martën të njëjtat qëndrime si gjatë parashtrimeve dhe kërkuan lënien në fuqi të shkarkimit të Enkeleida Hoxhës.

Ata theksuan se masa e shkarkimit është bazuar në përcaktimet kushtetuese për shkeljet e rënda të magjistratëve. Sipas ILD-së, nuk mund të përdoret vakumi ligjor për të shmangur verifikimin profesional te magjistratëve.

Përfaqësuesit e ILD-së dhe KLGJ-së këmbëngulën se Hoxhës i ishte ofruar e drejta e një procesi të rregullt ligjor. Lidhur me pretendimin as nuk ishte shqyrtuar kërkesa e saj për marrëveshje me ILD-në, u vërejt se asnjëherë nuk kishte pasur një kërkesë të tillë me shkrim, ndërkohë që për realizimin e marrëveshjes nevojitej edhe dakordësia e palës tjetër.

Sipas ILD-së dhe KLGJ-së, Hoxha ka kryer ulje te dënimit në masë disa herë më të madhe nga sa lejohej sipas përcaktimeve ligjore. Ndërkohë, vendimi është marrë pa administruar dokumentacionin për karakteristikat e sjelljes së të dënuarit Billa në Mbretërinë e Bashkuar.

Po ashtu u konstatua se Hoxha ka përllogaritur si kohë paraburgimi edhe periudhën e burgimit pas dënimit të Billës me vendim të formës së prerë nga drejtësia britanike. Sipas institucioneve të vlerësimit disiplinor të magjistratëve, Hoxha ka gabuar edhe në vendimarrjen për uljen e dënimit sipas amnistisë, pasi legjislacioni ndalon që të përfitojnë të dënuarit për vrasje dhe shtoi se subjekti e ka pranuar dhe këtë shkelje duke kërkuar marrëveshje.

Shkeljet e pranuara nga vetë ankuesja, të cilat ajo i konsideron si të lehta, u vlerësuan si të rënda nga ana e KLGJ-së dhe ILD-së dhe në cënim të besimit të publikut tek drejtësia. Përfaqësuesit e këtyre institucioneve kërkuan në përfundim rrëzimin e ankimit dhe lënien në fuqi të shkarkimit të gjyqtares Enkeleida Hoxha.

Në seancat parardhëse, avokati i Hoxhës e ka cilësuar si sulm politik procedimin disiplinor të kryer ndaj të mbrojturës prej tij. Pas paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare nga KLGJ dhe ILD, trupi gjykues i KPA njoftoi se do të tërhiqet në dhomë këshillimi për vendimarrjen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *