Prokurorja Marsida Frashëri pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Malton Dibra/ LSA.
KPK Lajme Veting

“Neglizhencë dhe pakujdesi”: Marsida Frashëri jep shpjegime për profesionalizmin

Relatimi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për prokuroren e Shkodrës Marsida Frashëri ishte i shkurtër.

Gjatë seancës që u zhvillua të martën, relatorja Valbona Sanxhaktari, pjesë e trupës së kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me anëtare Genta Tafa Bungo, vuri në dukje se Frashëri nuk kishte asnjë problem në kriterin e pasurisë. Njësoj Sanxhaktari vuri në dukje se për prokuroren nuk kishte asnjë të dhënë që mund ta cënonte në kriterin e figurës.

Por relatoja shtoi më pas se ndaj prokuroresh ishin zhvilluar 3 hetime disiplinore nga Prokuroria e Përgjithshme dhe se gjetjet e këtyre hetimeve ishin shqyrtuar edhe nga KPK, që kishte gjetur të njëjtat probleme. Sipas Sanxhaktarit, prokurorja ishte gjetur me një sërë dosjesh për të cilat nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim hetimor dhe po ashtu me dosje për të cilat ishin marrë vendime mosfillimi tej afateve. Sanxhaktari tha se dukej sikur subjekti në mënyrë të përsëritur kishte treguar “neglizhencë të plotë dhe pakujdesi”.

Në mbrojtjen e saj, e cila së bashku me seancën e pyetje- përgjigjeve zgjati gati tre orë, Frashëri, nuk iu përgjigj direkt këtij pretendimi, por vuri në dukje kushtet e vështira të punës dhe i tha Komisionit se ajo kishte përfunduar mesatarisht një numër më të lartë dosjesh krahasuar me prokurorë që e kishin kaluar procesin e rivlerësimit, edhe pse u ishin gjetur vonesa e probleme të ngjashme.

Prokurorja po ashtu iu përgjigj edhe pyetjeve të vëzhguesit ndërkombëtar, Ferdinando Buatier në lidhje me refuzimin prej saj të pranimit të çështjeve të prokurorit Vatë Staka, pas emërimit të tij në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Frashëri këmbënguli se kishte refuzuar urdhrin e prokurorit pasi ishte i paligjshëm dhe kishte kërkuar që çështjet të ndaheshin me short.

Marsida Frashëri përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe pas një periudhe stazhi në Prokurorinë e Durrësit, u emërua si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Shkodër.

Debati mbi çështjet

Relatoja Valbona Sanxhaktari theksoi gjatë relatimit të saj se ndaj prokurores Frashëri ishin bërë tre hetime disiplinore nga Prokurori i Përgjithshëm. Njëri prej hetimeve ishte mbyllur me vendimin e uljes në detyrë për 6 muaj në vitin 2014, dy të tjerë ishin pushuar për shkak të mungesës së kuadrit ligjor.

Sanxhaktari shpjegoi se ndërsa këto hetime dhe masa disiplinore nuk ishin objekte të punës së KPK, kjo e fundit kishte marrë aktet dhe po ashtu dosjet e përmendura në këto hetime dhe kishte konstatuar aty të njëjtat probleme si Prokuroria e Përgjithshme.

Në mënyrë të përmbledhur, në dy rastet bëhej fjalë për çështje për të cilat Frashëri nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim hetimor dhe që një pjesë ishin parashkruar për shkak të kohës së kaluar. Ndërsa rasti i tretë kishte të bënte me refuzimin e prokurores për të marrë në dorëzim mbi 100 dosje që kishin qenë në punim e sipër nga prokurori Vatë Staka.

Problemet kryesore siç doli nga relatimi i përkisnin një mase me dosje që prokurorja kishte lënë në zyrën e saj, pas largimit të përkohshëm për të punuar në Prokurorinë e Përgjithshme. Sipas Sanxhaktarit, prokurorja nuk kishte bërë dorëzim të dosjeve dhe më pas Prokurori i Shkodrës kishte ngritur grup punë për të hyrë në zyrën e saj, ku ishin gjetur dosje pa veprime për një periudhë nga 1 deri në 7 vjet.

Sanxhaktari numëroi në fund të relatimit 27 dosje, nga të cilat 7 materiale pa veprime hetimore, 10 materiale pa vendime dhe 10 materiale të mbajtura në zyrë nga prokurorja që ishin parashkruar për shkak të afateve. Po ashtu relatorja tha se ishte vënë re zvarritje e procedimeve, procedime për të cilat ishte vendosur mosfillimi në tejkalim të afateve, mosnjoftim në kohë i palëve dhe një sërë problemesh të ngjashme, që sipas saj dukesh se ishin të përsëritura dhe sistemike.

Ndërkohë, relatorja vuri në dukje se refuzimi për të marrë dosjet e Stakës, pas transferimit të këtij të fundit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ishin shënuar si mungesë e aftësive për të bashkëpunuar. Nga sa u kuptua në relatim për këto probleme dhe për disa prej dosjeve prokurores i ishte kaluar barrë prove apo i ishin kërkuar shpjegime.

Në mbrojtjen e saj, Frashëri e vuri theksin te vështirësitë në kryerjen e detyrës dhe përplasjet me drejtuesit e prokurorisë apo mënyrën se si drejtohej prokuroria.

Frashëri tha se gjatë karrierës së saj ishte përpjekur t’i ruhej “shkatërrimit moral” në të cilin ishte sistemi i drejtësisë dhe prej të cilit kishte filluar edhe procesi i vetingut. Ajo tha se e shihte barrën e provës si përballje para pasqyrës dhe tha se e shihte si një moment “për të parë nëse ishte ende e përshtatshme shpirtërisht” për të vazhduar këtë detyrë.

Ajo po ashtu u përpoq të vinte në dukje se problemet e gjetura asaj ishin edhe për shkak të kësaj përpjekje për të mos u përbaltur. Prokurorja la të kuptohej se ajo kishte qenë përballë personave që e kishin dhunuar drejtësinë.

Ajo këmbënguli se si prokurore kishte pasur ngarkesë maksimale dhe solli në KPK statistika sipas të cilave kishte kryer një volum pune më të lartë se mesatarja e ngarkesës së prokurorëve në shkallë vendi.

Por trupës i tingëlloi shumë e përgjithshme fjala e Frashërit, duke qenë se ajo nuk iu referuar konkretisht barrës së provës. Kryesuesi Lulzim Hamitaj e ndërpreu gati 10 herë Frashërin, duke i kërkuar  të fokusohej te gjetjet dhe se trupa e kishte të qartë pjesën teorike.  Hamitaj në disa raste i shpjegoi prokurores së trupa i kishte lexuar qëndrimet e saj, se nuk duhej të referohej në detaje dhe se duhej të fokusohej në çështjet konkrete.

Ndërprerjet nuk duket se sollën në ndonjë ndryshim. Pak para se të përfundonte fjalën Frashëri, anëtarja e trupës Genta Tafa Bungo ndërhyri dhe i tha asaj se i dukej sikur nuk e kishte kuptuar barrën e provës.

Frashëri megjithatë nuk u përgjigj konkretisht sa i përket 27 dosjeve apo sa i përket gjetjeve të tjera të KPK. Nga shkëmbimet e mëpasshme në pyetje përgjigje me trupën, u duk sikur ajo kishte pranuar si gabim mos dorëzimin e zyrës, duke referuar se nuk kishte pasur mundësi. Frashëri këmbënguli se rezultatet e saj në çështjet e përfunduara ishin mjaft të mira.

Frashëri iu referua edhe vendimit të KPA në çështjen ndaj gjyqtarit Gentian Medja, në të cilën përcaktohen kriteret e vlerësimit profesional dhe i tha Komisionit se ajo e plotësonte kriterin e kualifikimit minimal.

E pyetur në fund të seancës për pengesat që kishte pasur, Frashëri tha se ajo nuk kishte marrë dot shtëpi në Shkodër, pasi nuk donte të kishte kontakte që më pas mund ta ekspozonin. Ajo iu përgjigj njësoj këmbënguljes së anëtares Genta Tafa Bungo mbi arsyet se pse nuk jetonte me qira në Shkodër, por në Tiranë. Frashëri tha se për shkak të vështirësive dhe mungesës së mbështetjes financiare nga shteti ajo nuk kishte ende një shtëpi.

Ajo po ashtu pretendoi ndër të tjera se çështjet me probleme ishin të paqëllimshme. Ajo tha në seancë se kishte përfunduar respektivisht mbi 80 për qind të dosjeve që kishte marrë. Frashëri këmbënguli se ajo kishte rezultate mbi mesataren dhe i kërkoi KPK-së të mbante parasysh se prokurorët ishin konfirmuar me rezultate më të ulëta se në rastin e saj.

E pyetur nga vëzhguesi në lidhje me mënyrën se si kishte kundërshtuar vendimin e eprorit për të marrë në dorëzim dosjet e Stakës, Frashëri tha se e kishte konsideruar ezaurues ankimin në Prokurorinë e Përgjithshme dhe këmbënguli se ajo nuk kishte për qëllim refuzimin e dosjeve, por se procesi i nisur nga drejtuesi i prokurorisë ishte i paligjshëm. Ajo tha se nuk ishte njohur me dosjet, por ato i ishin kaluar si procesverbal në të cilin ishin vetëm numrat.

Në fund të seancës, Frashëri këmbënguli se kishte kaluar pa probleme dy nga kriteret dhe pretendoi se Komisioni duhej ta cilësonte edhe të kualifikuar minimalisht edhe në kriterin e aftësive profesionale. Seanca e njoftimit të vendimit u caktua në 13 maj, në orën 15.15

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *