Gjyqtarja Mirela Mishgjoni pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Gjyqtarja Mirela Mishgjoni jep shpjegime për bilancet negative përpara detyrës

Gjyqtarja e Vlorës, Mirela Mishgjoni u përball të mërkurën më 3 prill me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për bilancet negative në vlera të mëdha të konstatuara gjatë periudhës para fillimit të detyrës, si dhe për gjetjet në disa çështje të denoncuara nga publiku. Për pastërtinë e figurës, Mishgjoni mori vlerësim pozitiv.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Mishgjoni po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Alma Faskajn dhe anëtare Pamela Qirkon. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Mirela Mishgjoni ka punuar si gjyqtare në vitet 1995-2002, kur ajo u shkarkua në detyra dhe punoi si avokate deri në 2009-ën, vit kur u rikthye në detyrë pasi fitoi gjyqësisht. Prej 2009-ës ajo punon si gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.

Barrat e provës për pasurinë.

Subjekti ka deklaruar si burime kryesore për blerjen e një apartamenti në Vlorë në vitin 2006 për çmimin 60 mijë euro, të ardhurat e bashkëshortit nga shitja e një restoranti në vitin 2004 në Itali ku ai ka qenë ortak me një tjetër person, të ardhurat e tij nga shitja e një fabrike vaji në Vlorë në vitin 1997, si dhe të ardhurat e saj nga puna si avokate.

Komisioni konstaton se subjekti nuk ka arritur të vërtetojë me dokumentacion ligjor pagesën e tatimeve për këto të ardhura dhe nuk i ka konsideruar në analizën financiare. Vetëm për vitin 2007 për të ardhurat nga avokatia është konsideruar një shumë 2 milionë lekë, pasi rezulton se janë shlyer detyrimet.

Për rrjedhojë, KPK konstaton se nga analiza financiare paraprake për këtë pasuri ka rezultuar bilanc negativ në shumën 3.6 milion lekë.

Për të njëjtat arsye është konstatuar pamundësi edhe për gjendjen e kursimeve rreth 70 mijë euro të deklaruar para fillimit të detyrës në vitin 2009.

Për krijimin e një depozite në vlerën 3 milionë lekë, Komisioni konstaton se subjekti ka pasur mundësi me të ardhura të përfituara nga vendimi gjyqësor për shpërblimin lidhur me shkarkimin e padrejtë nga detyra, çështje për të cilën relatorja Faskaj tha se Mishgjoni e kishte fituar edhe në Strasburg.

Subjekti ka deklaruar blerjen e një automjeti në vitin 2009 për shumën 9100 euro, me burime krusimet e dhëna hua motrës në 2008-ën. Sipas Faskajt, vlera e kthyer ka qenë e mjaftueshme për blerjen e makinës, por ka rezultuar se subjekti nuk ka pasur mundësi që me burime të ligjshme të japi huanë në vitin 2008.

Mishgjoni ka deklaruar blerjen e një makine tjetër me burim të ardhurat e përfituara nga shitja e automjetit të mëparshëm, që nuk janë konsideruar. Për rrjedhojë analiza kryer vetëm për mundësinë e blerjes me të ardhurat në vitin 2010, prej nga ka rezultuar bilanc negativ.

Nga analiza e pasurive të bashkëshortit të subkjektit, KPK nuk ka gjetur probleme për një apartamentin të privatizuar në vitin 1994.

Komisioni ka analizuar transaksionet e bashkëshortit në blerjen e disa ngastrave tokë bujqësore, ku në një rast është konstatuar pamundësi financiare në shumën 451 mijë lekë.

Për të ardhurat e bashkëshportit nga puna si shef kuzhine pas rikthimit në Shqipëri, KPK vëren se nuk janë paguar detyrimet. Subjekti ka deklaruar se është vendosur në dijeni për këtë situatë vetëm gjatë procesit të saj të vetingut dhe kanë hapur procese gjyqësore duke fituar të drejtën e shlyerjes së këtyre detyrimeve nga punëdhënësit. KPK ka konsideruar në analizën financiare ato të ardhura për të cilat vendimet gjyqësore janë ekzekutuar duke bërë të mundur shlyerjen e detyrimeve. Ndërsa për një prej punësimeve, nuk janë shlyer detyrimet dhe për rrjedhojë ato të ardhura të deklaruara nuk janë përfshirë në analizë.

Nga analiza financiare e kryer për periudhën pas rifillimit të detyrës në vitin 2009, KPK ka konstatuar pamundësi financiare për shumën 652 mijë lekë, ndërsa për periudhën para fillimit të detyrës ka rezultuar një bilanc negativ në vlerën 13 milionë lekë për mbulimin e shpenzimeve dhe kryerjen e investimeve.

Gjyqtarja Mishgjoni deklaroi në seancë se të gjitha pasuritë janë krijuar me të ardhurat e bashkëshortit përpara bashkëjetesës e martesës, si dhe përpara fillimit të detyrës. Po ashtu, ajo këmbënguli se ka vërtetuar se rezulton me bilanc edhe në vitin 2011 kur është konstatuar pamundësia gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës, duke argumentuar se bilanci negativ vinte jo për shkak të mungesës së të ardhurave që ishin siguruar nga shitja e një mjeti, por për arsye të moskonsiderimit të tyre si pasojë e mosdeklarimit si gjendje cash të asaj shume. Subjekti e cilësoi si një pasaktësi mosdeklarimin e gjendjes si cash të të ardhurave nga makina. Ajo shtoi se këtë pakujdesi e kishte shpjeguar në deklarimet e kryera përpara procesit të vetingut.

Lidhur me mosshlyrjen e detyrimeve tatimore të të ardhurave të përfituara nga bashkëshorti nga shitja e restorantit në Itali në vitin 2004, subjekti vërejti se në kontratë ishte shënuar se ishin paguar. Ajo tha se bashkëshorti është kthyer në Shqipëri në vitin 2005 dhe se e kanë mësuar këtë rrethanë vetëm gjatë procesit të vetingut. Subjekti shpjegoi se këto të ardhura kanë qenë të deklaruara në Itali dhe se detyrimi nuk mund të shuhet asnjëherë. Në vijim, Mishgjoni pohoi se kishin lidhur një kontratë me institucionin përkatës në Itali për shlyerjen me këste të këtyre detyrimeve.

Sipas subjektit, nga transaksionet e kryera ishte vërtetuar se bashkëshorti kishte përfituar 80% të këtyre të ardhurave, pasi kishte qenë shef kuzhine dhe kishte koontribuar në rritjen e vlerës së aktivitetit.

Për të ardhurat nga shitja e punishtes së vajit në vitin 1997, Mishgjoni deklaroi se kjo pasuri nuk ishte e regjistruar e për rrjedhojë kishte qenë e pamundur të shlyente detyrime për shitjen e pjesës së tij takuese tek ortaku.

Ajo solli në vëmendje praktikën e institucioneve të vetingut dhe të Strasburgut për çështje për të cilat tha se ishin të ngjashme dhe ishin njohur të ardhura të tilla.

Lidhur me të ardhurat nga avokatia, subjekti deklaroi se ajo kishte punuar në mënyrë sporadike pasi ishte në pritje të vendimarrjes për rikthimin në detyrë, ndërkohë që i nevojiteshin të ardhura për të mbuluar shpenzimet e jetesës.

Mishgjoni deklaroi se në të dy variantet e analizës, si në konsiderimin e 80% të të ardhurave nga shitja e aktivitetit në Italoi, ashtu dhe nëse konsiderohen 50%, rezulton me bilanc pozitiv në vlera të konsiderueshme, që sipas saj mbulon i tejkalon gjithë investimet, shpenzimet dhe kursimet para fillimi të detyrës.

“Të ardhurat e familjes time rrjedhin nga burime të ligjshme dhe arrij nivel të besueshëm për pasurinë”, deklaroi Mishgjoni në përfundim të shpjegimeve për pasurinë.

Figura dhe profesionalizmi

Mishgjoni mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës, ndërsa për profesionalizmin u konstatuan gjetje në disa çështje të denoncuara nga publiku. Faskaj tha se ndaj subjektit janë depozituar 19 denoncime nga publiku, për disa prej të cilave i janë kërkuar shpjegime.

Në një rast, është konstatuar se Apeli e ka ndryshuar vendimarrjen e subjektit. Mishgjoni shpjegoi se ndryshimi ka pasur të bëjë me interpretimin e provave dhe jo me aspektin procedural që lidhet me procesin e rivlerësimit.

Një denoncues ka ngritur pretendime se subjekti ka vijuar një proces për një të pandehur me avokat kryesisht, megjithëse ai kishte zgjedhur një tjetër mbrojtës. Mishgjoni shpjegoi se i pandehuri që gjykohej në gjendje të lirë kishte zgjedhur mbrojtës që e kishte deklaruar para gjykatës, por në seancën pasardhëse nuk kishte qenë i pranishëm dhe kishte vendosur vijimin e gjykimit duke caktuar avokat kryesisht. Sipas subjektit, kur kishte ardhur avokati i zgjedhur ishte vijuar me këtë të fundit. Ajo solli në vëmendje se Gjykata e Lartë nuk kishte konstatuar ndonjë shkelje.

Një tjetër denoncues është ankuar se nuk i është lejuar të parashtrojë qëndrimin e tij në proces. Mishgjoni tha se kishte respektuar procedurën pasi palët kanë qenë të njoftuara dhe të pranishme, por nuk kanë pasur pretendime.

Faskaj evidentoi një tjetër konstatim për caktimin e një eksperteje mbi 90% të rasteve ku sipas udhëzimit nuk duhej që caktimet e të një njëjtit ekspert nga gjyqtari ta tejkalonin kufirin 30%. Lidhur me pretendimin për caktimin e psikologes, subjekti tha se çështja është ende në gjykim.

Një vendim i gjyqtares Mishgjoni është lënë në fuqi nga Apeli, por Gjykata e Lartë e ka prishur dhe e ka rikthyer për shqyrtim në shkallën e dytë. Sipas Mishgjonit, Gjykata e Lartë kishte prishur vendimin e Apelit për të cilin kishte konstatuar mangësi dhe prandaj e kishte kthyer atje për rigjykim.

Në vijim, Faskaj konstatoi se subjekti ka dhënë një dënim minimal, kur nuk plotësoheshin kushtet lehtësuese, por Mishgjoni petendoi se vendimi ka qenë i arsyetuar për çdo rrethanë. Subjekti dha shpjegime dhe për dy çështje të publikuara në media.

Në përfundim, gjyqtarja Mirela Mishgjoni kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 5 prill, në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *