Foto Arkiv: Nga një seancë dëgjimore e KPK.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

KPK shtyn seancën për prokurorin Spartak Çoçoli

Pak minuta para orarit kur duhej të niste seanca dëgjimore, prokurori Spartak Çoçoli ka njoftuar Komisionin se gjendej në spital dhe se dokumentacionin provues do ta dorëzonte më vonë.

Foto Arkiv: Nga një seancë dëgjimore e KPK.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shtyu të premten seancën dëgjimore me prokurorin e Gjirokastrës, Spartak Çoçoli, pasi ky i fundit njoftoi se ishte i sëmurë. Kryesuesi i trupit gjykues, Lulzim Hamitaj tha se prokurori Çoçoli kishte lajmëruar përmes postës elektronike mungesën e tij 20 minuta para se të niste seanca dëgjimore. Sipas njoftimit, subjekti e kishte të pamundur të paraqitej, pasi ishte i sëmurë dhe gjendej në spital. Hamitaj tha se Çoçoli nuk kishte dorëzuar ndonjë dokument për të provuar se ishte i sëmurë, por kishte sqaruar në email se do t’i dërgonte në orët në vazhdim.   Hamitaj bëri me dije se trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën për një afat të pacaktuar, në pritje të dokumentacionit nga subjekti i rivlerësimit.

Spartak Çoçoli e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1991 dhe ka punuar për më shumë se dy dekada në Prokurorinë e Gjirokastrës. Në janar 2019, Çoçoli u pezullua nga detyra pas përfshirjes së tij në një hetim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku dyshohej për veprën penale të korrupsionit. Aktualisht, çështja e tij ndodhet në SPAK, ndërkohë që Çoçoli ka mohuar akuzat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *