Drejtuesi i Prokurorise se Gjirokastres, Arben Pasho pas seances degjimore ne KPK.
Artikull kryesor Lajme Korrupsioni KPK Lajme Vendi

KPK shkarkon nga detyra kreun e Prokurorisë së Gjirokastrës, Arben Pasho

Problemet me pasurinë dhe dyshimet për konflikt interesi i japin fund karrierës së kreut të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, Arben Pasho.

Drejtuesi i Prokurorise se Gjirokastres, Arben Pasho pas seances degjimore ne KPK.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shkarkoi nga detyra drejtuesin e Prokurorisë së Gjirokastrës, Arben Pasho. Vendimi për Pashon u shpall të enjten nga trupa gjykuese e KPK-së e përbërë nga Valbona Sanxhaktari kryesuese, Olsi Komici relator dhe Roland Ilia anëtar. Prokurori Arben Pasho nuk ishte i pranishëm gjatë shpalljes së vendimit, por prezent ishte një përfaqësues i tij.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të hënën komisioni ngriti pikëpyetje për pasurinë dhe profesionalizmin e subjektit. Pozita e Pashos u rëndua më shumë edhe nga një marrëdhënie financiare me një biznesmen, që ishte denoncuar tre herë – në një rast për pastrim parash, por që Prokuroria e Gjirokastrës i kishte pushuar hetimet pa ngritur akuzë.

Gjatë seancës dëgjimore komisioni u ndal në disa çështje lidhur me kriterin e pasurisë. KPK evidentoi paqartësi në burimin e krijimit të një apartamenti të blerë në Yzberisht të Tiranës në vlerën e 31600 eurove. Ky apartament ishte blerë nga prindërit e bashkëshortes së subjektit, të cilët më pas ja kishin dhuruar djalit të tij. Gjithashtu, probleme u konstatuan edhe në blerjen e dy makinave nga prokurori.

Një tjetër problematikë e konstatuar gjatë hetimit administrativ, që ngriti dyshime edhe për konflikt interesi, ishte huamarrja në vlerën e 14 mijë eurove nga ana e prokurorit Pasho nga shtetasi I.M. në vitin 2016 për të cilën kishte deklaruar se i nevojitej për studimet e djalit në Hollandë. Komisioni ka konstatuar se para se të merrte këtë hua nga shtetasi I.M., ky i fundit kishte qenë i denoncuar tri herë në Prokurorinë e Gjirokastrës, një herë për pastrim parash, një herë për ndërtim pa leje dhe një herë për shpërdorim të tokës, por asnjëherë nuk ishte proceduar.

Arben Pasho ka pasur një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe prej vitit 2011 ai mbante postin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *