Prokurori Hysni Mulaj gjatë seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

Hysni Mulaj përmbys balancën negative pas riçeljes së hetimit

Riçelja e hetimit administrativ në rivlerësimin e prokurorit të Tiranës, Hysni Mulaj ka sjellë ndryshim të analizës financiare për pjesën më të madhe të burimeve që kanë shërbyer për blerjen e një apartamenti në Tiranë të porositur në vitin 2004 për çmimin 39 mijë e 546 euro.

Në seancën e parë dëgjimore më 25 mars, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konstatoi pamundësi të babait të subjektit për krijimin dhe dhënien hua të shumës 4 milionë lekë për blerjen e këtij apartamenti, si dhe për dhurimin e shumës 500 mijë lekë në 2005-ën që ka shërbyer po për pagesën e çmimit të kësaj pasurie.

Mulaj ka deklaruar si burim të huasë dhe vlerës së dhuruar të ardhurat nga paga e tij; aktiviteti privat i të atit; të ardhurat e vëllezërve në emigrim; të ardhurat familjare nga bujqësia e blegtoria, si dhe ato nga shitja e bimëve medicinale. Por, dokumentacioni i paraqitur deri në përmbylljen e hetimit paraprak u konstatua i pamjaftueshëm për të justifikuar burimin e ligjshëm të dy shumave të dhëna subjektit nga babai.

Mulaj kërkoi ndër të tjera që të konsideroheshin edhe të ardhurat nga bujqësia, blegtoria dhe shitja e bimëve medicinale. Sipas subjektit, prodhimet bujqësore dhe familjare kishin ndikuar dhe në uljen e kostove të jetesës, pasi pjesa më e madhe sigurohej prej ekonomisë familjare. Ai e konsideroi të padrejtë faktin se Komisioni kishte konsideruar si shpenzime jetese 66% të të ardhurave dhe kërkoi që ky koeficent të ulej.

Në seancën e dytë dëgjimore të premten më 27 maj, relatorja Suela Zhegu sqaroi se pasi Komisioni kishte shqyrtuar dokumentacionin dhe shpjegimet e dorëzuara nga subjekti, ka çmuar që shpenzimet e jetesës deri në momentin e huadhënies në vitin 2004 të konsiderohen në masën 50%. Sipas Zhegut, nga rikryerja e analizës financiare ka rezultuar se babai i subjektit ka pasur mundësi financiare për t’i dhënë këtij të fundit hua vlerën 4 milionë lekë në 2004-ën, por jo për dhurimin e shumës 500 mijë lekë në 2005-ën.

Po ashtu, Komisioni konstaton balanca negative në analizën për kthimin e huasë për vitet 2006, 2007, 2008 dhe 2010.

Prokurori Mulaj shpjegoi të premten se, pasi ishte njohur me rezultatet e hetimit të kryer rishtaz për pasurinë, ishte konsultuar me një ekspert ekonomik që kishte kryer analizën financiare për gjithë të burimet e shpenzimeve dhe investimeve të tij, si dhe për të ardhurat. “Në përfundim të kësaj analize e them me bindje se balanca e bazuar në prova, nuk rezulton negative për periudhën 2003-2016, por rezulton pozitive,” theksoi Mulaj.

Ai këmbënguli se familja e tij kishte pasur mundësi jo vetëm për dhënien e huasë, por edhe për shumën e dhuruar në vitin 2005.

Po ashtu, Mulaj deklaroi se kishte pasur burime financiare të ligjshme edhe për shlyerjen e huasë në vite, duke sqaruar se ato rridhnin nga pagat e tij dhe e bashkëshortes.

Në vijim, Zhegu u ndal në konstatimin për pamundësinë financiare të kunatit të subjektit për blerjen e një makine që është përdorur për disa vite nga prokurori Mulaj. Sipas relatores dhe nga hetimi i kryer në vijim, nuk është siguruar dokumentacion i mjaftueshëm për të ardhurat e familjarëve të bashkëshortes nga një aktivitet privat dhe për rrjedhojë nuk është provuar mundësia për blerjen e mjetit që ka përdorur subjekti.

Po ashtu, bazuar në të njëjtën analizë, sipas KPK-së nuk është arritur të provohet as mundësia e krijimit të një gjendje cash në vlerën 500 mijë lekë për të cilën bashkëshortja ka deklaruar në vitin 2007 se është krijuar nga të ardhurat e saj dhe të familjes së origjinës, para martesës.

Prokurori Mulaj deklaroi se gjendet në kushtet e pamundësisë objektive për të siguruar dokumentacion për një pjesë të të ardhurave të siguruara nga familjarët e bashkëshortes prej aktivitetit tregtar privat. Ai fajësoi institucionet shtetërore për mosvendosjen në dispozicion të një pjese të dokumentacionit, duke vërejtur se në këtë rast del qartë papërgjegjshmëria me të cilën ushtrojnë detyrat dhe kompetencat e tyre institucionet.

Subjekti vërejti se nuk kishte pasur marrëdhënie huamarrje me familjarët e bashkëshortes që ata të konsideron persona të lidhur. “Megjithatë, jam përpjekur të siguroj dokumente,” pohoi Mulaj dhe kërkoi që të mos i kalohet barrë prove për të ardhurat e familjes së bashkëshortes.

Relatorja Zhegu konstatoi mospërputhje për vlerën e gjendjeve cash të deklaruara në vite me ato të pasqyruara në deklarimin në funksion të procesit të rivlerësimit. Mulaj theksoi se kishte sqaruar se nga analiza për gjendjen cash rezultonte që të kishte pasur burime të ligjshme financiare që rrjedhin nga paga e tij dhe e bashkëshortes.

Në seancë u evidentua prej Komisionit moskryerja e hetimeve nga ana e prokurorit Mulaj dhe një oficer i policisë gjyqësore lidhur për një kallëzim të kryer për vjedhjen e një automjeti.

Prokurori Mulaj deklaroi se ishte konsultuar me dosjen në fjalë. Ai pretendoi se kishte kryer të gjitha veprimet e nevojshme dhe në përfundim kishte vendosur pezullimin e çështjes me qëllim që policia të mund të siguronte informacione operative për personat që mund të kishin vjedhur automjetin. Sipas subjektit, kallëzuesi nuk kishte qenë në gjendje as të përshkruante targën e mjetit që i kishin vjedhur.

Mulaj sqaroi se në vijim ishte vendosur rifillimi i hetimeve nga një prokuror tjetër dhe ishte pushuar për shkak të parashkrimit të veprës penale.

Subjekti u pyet nga vëzhguesi ndërkombëtar Gerrit Sprenger lidhur me hetimin e kryer për vjedhjen e makinës. Sprenger konstatoi se kallëzuesi ishte koleg i subjektit dhe u shpreh se nuk arinte të kuptonte pse çështja kishte qëndruar e pezulluar për 6 vjet, derisa ishte parashkruar vepra penale.

Mulaj sqaroi sërish se dosja ishte përcjellë në polici për ndjekje të mëtejshme nëpërmjet hetimeve operative. Ai pohoi se në raste të tilla është policia që kur gjen informacione dërgon relatim me shkrim dhe sugjeron rifillimin e hetimeve. “Unë nuk kam pasur ndonjë relacion ku kërkohej rifillimi i hetimeve,” pohoi Mulaj.

Në përfundim, prokurori Hysni Mulaj kërkoi konfirmimin e tij në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 31 maj, në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *