Prokurori Bledar Bejko pas seancës së konkluzioneve në Kolegj. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme

KPA dëgjon konkluzionet në çështjen për prokurorin Bledar Bejko

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të enjten më 22 qershor me konkluzionet përfundimtare në çështjen për prokurorin e Durrësit, Bledar Bejko, kur Komisionerja Publike Irena Nino u qëndroi shkaqeve të ngritura për probleme në të tre kriteret e rivlerësimit dhe kërkoi shkarkimin e tij, ndërsa subjekti e cilësoi ankimin të dorëzuar jashtë afateve ligjore dhe të pabazuar, duke kërkuar lënien në fuqi të konfirmimit.

Prokurori Bledar Bejko u konfirmua në detyrë më 26 maj 2022 nga trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtar Olsi Komicin. Ai iu nënshtrua dy seancave dëgjimore, me pyetje kryesisht mbi pasurinë dhe profesionalizmin. Por, vendimi i Komisionit u gjet prej Komisioneres Nino i pambështetur në vlerësim të drejtë të fakteve, provave dhe legjislacionit për vetingun e magjistratëve.

Në seancën e të enjtes, Nino u shpreh fillimisht lidhur me denoncimet nga publiku, të depozituara pas konfirmimit në detyrë të subjektit. Ashtu si në seancën parardhëse, ajo deklaroi se aktet e administruara në funksion të këtyre deoncimeve të reja, nuk ndikojnë në kërkimin përfundimtar të institucionit të Komisionerëve Publikë dhe e la në çmim të gjykatës vlerësimin e tyre.

Konkluzionet për pasurinë

Komisionerja Nino u qëndroi edhe gjatë konkluzioneve përfundimtare shkaqeve të ngritura prej saj në ankim për një apartament me sipërfaqe 96.5 m2 në Tiranë, të blerë nga subjekti në vitin 2008 kundrejt vlerës 87 mijë euro.

Bejko ka pasqyruar si burime krijimi të kësaj pasurie në deklaratën “veting” një transfertë 47 mijë euro nga prindërit e tij që rridhte nga shitja e një apartamenti që ata zotëronin; dy kredi konsumatore në shumën totale 9000 euro, që i ka shlyer para afatit; si dhe një kredi e marrë për blerje apartamenti në shumën 30 mijë euro. Në vitin 2008 ka deklaruar si burime shumën 57 mijë euro të dhënë nga prindërit dhe kredinë 30 mijë euro.

Nino theksoi se mbetej e provuar se subjekti nuk ka deklaruar në vitin 2008 dhe në deklaratën “veting” një kontratë sipërmarrje me shoqërinë ndërtuese, përpara blerjes së apartamentit që zotëron aktualisht; pagesën e një shume 20 mijë euro në prill të atij viti; si dhe burimin e asaj vlere.

Po ashtu, Nino konstatoi se Bejko nuk ka deklaruar as kreditë konsumatore dhe as burimin që ka shërbyer për shlyerjen e tyre të parakohshme. Komisionerja pretendoi se subjekti ka pasqyruar burime të ndryshme në deklaratën “veting”, nga sa ka shpjeguar gjatë hetimit administrtiv. Sipas saj, kjo situatë e bënë të pamundur verifikimin e burimit që ka shërbyer për shlyerjen e parakohshme të kredive konsumatore. Ajo i qëndroi shkakut të parashtruar në ankim se subjekti ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për këtë pasuri.

Pasi Prokurori Bejko ripërsëriti qëndrimin e tij se ankimi ishte depozituar në Kolegj jashtë afateve ligjore, paraqiti konkluzionet përfundimtare për çdo shkak të ngritur nga Komisionerja.

Për mosdeklarimin e kontratës së sipërmarrjes në vitin 2008, ai theksoi se ky transaksion ishte lidhur dhe zgjidhur brenda vitit, e për rrjedhojë nuk përbënte objekt deklarimi, as në vitin 2008 dhe as në deklaratën “veting”. Ai argumentoi se kjo kontratë sipërmarrje nuk ka sjellë ndryshim të pasurisë së tij.

Edhe për kreditë konsumatore ai këmbënguli se nuk ishin objekt deklarimi, pasi ishin marrë dhe shlyer brenda vitit. Për burimin financiar të përdorur për shlyerjen e kredive, subjekti solli në vëmendje deklarimin e 2008-ës, kur ka pasqyruar dhënien e një shume 57 mijë euro nga prindërit, nga e cila 47 mijë me transfertë bankare. Sipas tij, pjesa tjetër kishte shërbyer për shlyerjen e kredive brenda vitit kur i kishte marrë.

Lidhur me mospërputhjet në deklarimet për shlyerjen e kredive, Bejko solli në vëmendje jurisupudencën e institucioneve të vetingut, sipas të cilës psaktësitë në deklarime të pashoqëruara me mungesa financiare, nuk mund të sjellin penalizime. Ai e vuri theksin në faktin se prindërit e tij rezultonin me bilanc pozitiv për dhënien e vlerës 57 mijë euro. Sipas tij, për këtë rrethanë binte dakord edhe Komisionerja Publike.

Nino i qëndroi edhe shkakut të ngritur për një makinë të blerë nga subjekti në vitin 2007 në Gjermani dhe të shitur prej tij po atë vit, transaksion që Bejko pretendon se e ka kryer për llogari të një shoku dhe se nuk ka pasur asnjë lloj përfitimi.

Sipas Ninos, Bejko nuk arriti të kundërshtojë barrën e provës dhe se ai ka pasur detyrim për ta deklaruar këtë pasuri, pasi ka gëzuar të drejta mbi të. “Deklarimi se e ka blerë për një shokun e tij bie ndesh me kontratën e shitblerjes, ku shënohet se ata nuk e njohin njëri-tjetrin”, theksoi Nino dhe vlerësoi se Bejko gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm në këtë rast.

Prokurori Bejko këmbënguli se automjetin e kishte blerë në Gjermani për llogari të një shoku të tij. Ai pohoi se veprimet juridike për këtë transaksion ishin kryer brenda vitit duke mos sjellë ndryshim të pasurisë së tij, e për rrjedhojë nuk kishte pasur detyrim për ta deklaruar as në 2007-ën dhe as në deklaratën “veting”. Ai sqaroi se mjeti ishte blerë 2 milionë lekë, ndërsa shënimi në kontratën e shitjes shokut të tij për shumën 500 mijë lekë, ishte një lapsus.

Komisionerja Nino konstatoi se Bejko kishte pasur detyrim për të deklaruar edhe një automjet të llojit Benz, për të cilin ai ka sqaruar se e kishte marrë në përdorim për ta provuar për pak ditë dhe se ia kanë vjedhur. Subjekti ka kryer kallëzim penal për vjedhjen e këtij mjeti.

Prokurori Bejko deklaroi se nuk e ka zotëruar këtë automjet në fund të vitit dhe për rrjedhojë nuk kiste pasur detyrim për ta deklaruar.

Në vijim, Nino vërejti se deklarimet e subjektit lidhur me disa transaksione të kryera nga bashkëshortja e tij në llogaritë e të atit, binin ndesh me të dhënat e administruara.

Bejko i cilësoi të pabazuara këto pretendime duke theksuar se nuk kishte rezultuar pamundësi financiare për kryerjen e këtyre transaksioneve. Ai pretendoi se bëhej fjalë për lëvizje të të njëtës shumë brenda ditës. Po ashtu, shtoi se ato nuk janë llogaritë e tij dhe se nuk mund të ngrihej shkak për besueshmërinë e deklarimeve të tij lidhur me këto transaksione të kryera nga familjarët.

Figura dhe profesionalizmi

Nino u qëndroi edhe shkaqeve të ngritura për figurën dhe aspektin profesional. Duke iu referuar informacioneve të depozituara në Komision nga institucionet e verifikimit të figurës, Nino tha se konstatohen rrethana që duhen konsideruar në vlerësimin e përgjithshëm të çështjes, për të konstatuar nëse ka situata të cënimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë nga ana e subjektit.

Bejko e kundërshtoi kërkimin e Ninos, duke e cilësuar të pabazuar në aktet e administruara. Sipas subjektit, kërkimi i Komisioneres Publike bie në kundërshtim edhe me vendimet e formës së prerë të gjykatave.

Për kriterin profesional, Nino tha se edhe pas parashtrimeve të subjektit në Kolegj, mbeteshin shkaqet e ngritura që kanë të bëjmë me moskryerjen e veprimeve hetimore në drejtim të zgjidhjeve të çështjeve për të cilat ishte vendosur mosfillim ose ishin pushuar. Ajo kërkoi që është këto shkaqe të konsiderohen në vlerësimin tërësor të çështjes.

Bejko nga ana e tij këmbënguli se kishte arritur nivel kualifikues në aspektin profesional.

Ai kundërshtoi kërkimin lidhur me cënimin e besimit të publikut, duke sjellë në vëmendje jurispudencën e KPA-së, se një qëndrim i tillë duhet të jetë i argumentuar për shkelje konkrete. Subjekti shtoi se edhe ligjvënësi nuk kishte pasur qartësi dhe saktësi për përcaktimin e indikatorëve dhe nënindikatorëve mbi të cilët do të vlerësohet cënimi i besimit të publikut tek drejtësia.

“Asnjë nga shkaqet e ngritura për pasurinë nuk është i bazuar, ndërsa ato për figurën dhe profesionalizmin marrin përgjigje nga vendime gjyqësore të formës së prerë”, deklaroi ndër të tjera prokurori Bejko dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për konfirmimin e tij.

KPA njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 26 qershor, në orën 14:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *