Gjyqtarja Marinela Osmani në KPA | Foto: BIRN/ Vladimir Karaj
KPA Lajme Veting

KPA lë në fuqi konfirmimin e Marinela Osmanit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi të premten lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për gjyqtaren Marinela Osmani, duke e konsideruar jopropocional shkarkimin e saj për të njëjtat probleme në bazë të të cilave u shkarkua bashkëshorti.

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Sokol Çomo relator, Ina Rama, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtarë, shpalli unanimisht se Marinela Osmani duhet të konfirmohej në detyrë.

Çështja e Osmanit ishte një rasti veçantë për Kolegjin.  Më herët KPA shkarkoi në korrik 2017 pas ankimit të Komisionerit Publik bashkëshortin e Osmanit, ish-prokurorin Gentjan Osmani mbi të njëjtat prova me arsyetimin e mungesës së burimeve financiare.

Por në shqyrtimin e çështjes së gjyqtares KPK arsyetoi se shkarkimi edhe i saj mbi të njëjtat mungesa do ishte jo proporcional.

“Aplikimi i së njëjtës masë disiplinore ndaj subjektit të rivlerësimit me atë të bashkëshortit të saj, në vështrim të konstatimeve të renditura më sipër, nuk do të ishte as proporcional dhe as objektiv”, arsyetoi KPK.

Pas rishqyrtimit të çështjes në Kolegj edhe Komisioneri Publik Florian Ballhysa i kërkoi Kolegjit në seancën e konkluzioneve që të linte në fuqi vendimin e konfirmimit, por me një arsyetim të ndryshëm. “Ky vlerësim i Kolegjit mbajti në konsideratë edhe arsyetimin e ndryshëm të Komisionerit Publik për këtë fakt, i cili në përfundim të gjykimit të çështjes i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit”, thuhet në vendimin e shkurtuar të KPA.

KPA po ashtu arriti në të njëjtin përfundim. Kryesuesja Albana Shtylla, pasi theksoi se Kolegji fillimisht kishte përcaktuar se vendimi ndaj bashkëshortit nuk mund të konsiderohej gjë e gjykuar dhe se Osmani i nënshtrohej një hetimi të pavarur tha se mungesa e burimeve në këtë rast nuk cilësohej shkarkuese.

“Bazuar në rrethanat specifike dhe objektive të çështjes në shqyrtim në zbatim të parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit mbi mungesën e burimeve financiare…, vendimi i Komisionit është marrë në vlerësim të drejtë të fakteve dhe rrethanave”, lexoi Shtylla.

KPA ndërkohë refuzoi të shprehej dhe këshillonte KPK bazuar në kërkesën e Komisionerit Publik mbi raste të ngjashme hipotetike, duke ia lënë këtë në dorë KPK sipas rastit.

*Ky shkrim u ndryshua për të shtuar arsyetimin ndryshe të Komisioneri Publik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *