Gjyqtari Dritan Banushi pas seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Vladimir Karaj.
KPA Lajme Veting

Kolegji dëgjon konkluzionet në çështjen e gjyqtarit Dritan Banushi

Seanca e së premtes në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ndaj drejtuesit të Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës, Dritan Banushi u duk si një përsëritje e dy seancave të para. Ndërsa lexuan qëndrimet përfundimtare, Komisionerja Publike, Irena Nino dhe Banushi e avokati i tij, Viktor Gumi, u qëndruan argumenteve të dhëna më herët.

“Komisioneri Publik i qëndron shkaqeve të ankimit. Subjekti nuk provoi të kundërtën e shkaqeve të ankimit,” tha Nino.

Vetë Banushi u shpreh thuajse i revoltuar që provat e paraqitura prej tij nuk ishin marrë parasysh. “E vërteta e prindërve të mi është aty. Pasuria e tyre është fakt i njohur botërisht,” tha gjyqtari, duke iu referuar dyshimeve mbi të ardhurat e prindërve. Avokati Gumi nga ana e tij parashtroi se në qëndrimet e Komisionerit Publik kishte gabime matematikore dhe se analiza financiare e shpenzimeve ishte bazuar në statistika jo zyrtare.

Gjyqtari Banushi u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por vendimi i konfirmimit u kundërshtua nga Komisioneri Pubilik me arsyetimin se KPK nuk kishte vlerësuar drejt pasurinë e subjektit.

Ankimi ndaj Banushit po shqyrtohet nga një trupë e kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Albana Shtylla dhe anëtarë Mimoza Tasi, Sokol Çomo dhe Rezarta Schuetz.

Debati gjyqësor në çështje u fokusua në 3 elementë, që përfshinin kursimet në vite të gjyqtarit dhe mënyrën si ato ishin deklaruar, shpenzimet e jetesës dhe një apartament të blerë në Gjirokastër nga babai i gjyqtarit, për të cilin Komisionerja pretendon se nuk ka pasur burime.

Kursimet dhe gjendja cash

Në leximin e përfundimeve të saj, komisionerja Nino tha se i qëndronte shkaqeve të ankimit sa i përket problemeve në deklarimin e kursimeve nga gjyqtari Banushi.

Nino tha se gjyqtari nuk kishte deklaruar saktësisht kursimet dhe nuk kishte burime të mjaftueshme për të justifikuar kursimet e deklaruara për vitet 2003 deri në vitin 2016. Nino tha se gjendja cash e pretenduar nga gjyqtari, nuk përputhet me atë që ai kishte deklaruar periodikisht në vite.

Po ashtu, Komisionerja i kërkoi KPA të mos mbante në konsideratë si të ardhura transfertat bankare me përshkrimin dieta e të ngjashme, bazuar në praktikën e vetë Kolegjit.

Avokati Gumi në kundërshtim të këtyre pretendimeve këmbënguli se deklarimet ishin bërë bazuar në kuptimin që Banushi kishte pasur për kursimet. Ai tha se një shumë prej 450 mijë lekësh marrë nga shitja e një makine nuk ishte deklaruar si kursim, pasi subjekti nuk e kishte konsideruar atë të tillë. Ai këmbënguli se e njëjta shumë ishte përdorur në blerjen e një makine dy vjet më vonë.

Gumi po ashtu kërkoi që KPA të pranonte arsyetimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit mbi transferimin në bankë të një pjesë të kursimeve dhe mënyrën se si ato ndikonin te gjendja cash.

Ai pretendoi edhe se KPA duhej të merrte në konsideratë si të ardhura shumat e hedhura në bankë.

Shpenzimet e jetesës

Komisionerja Nino veçoi shpenzimet e jetesës në vitin 2007 në përfundimet e saj, ndërsa vuri në dukje që Banushi rezultonte me balancë negative. Nino tha se në përfundim vlerësonte që shpenzimet e jetesës të llogariteshin bazuar në standardet e INSTAT.

Avokati Viktor Gumi u fokusua gjatë te analiza financiare. Gumi pretendoi se në ankim pretendohej mungesë të ardhurash nga minus 3.3 milion në mbi 4 milionë, por që sipas tij nëse merreshin në konsideratë shifrat rezultati duhej të dilte mbi 5 milion. ‘Është matematikë”, tha Gumi duke pretenduar se nga ana e Komisionerit Publik ishin bërë gabime në mbledhje.

Gumi po ashtu kundërshtoi mënyrën e përllogaritjes së shpenzimeve të jetesës. Sipas tij, Komisioneri Publik në ankim i ishte referuar një shifre prej 235 mijë lekësh në vit për një familje me 4 vetë, nisur nga një anketë paraprake e INSTAT dërguar ILDKPKI në vitin 2007.

Ai tha se në një dokument të dytë përfundimtar, këto shpenzime vjetore ishin llogaritur në 174 mijë lekë. Gumi këmbënguli se KPK kishte përdorur standardin e dytë në disa vendime që nuk ishin ankimuar. Njëlloj ai kundërshtoi shpenzimet familjare edhe për disa vite të tjera, ndërsa ripërsëriti se në analiza të bëra nga Komisioneri Publik kishte gabime materiale.

Apartamenti

Komisionerja Publike iu referua sërish aktit të kolaudimit për të rrëzuar pretendimin e subjektit se apartamenti ishte blerë i papërfunduar. Nino lexoi se bazuar në aktin e kolaudimit dhe lejen e shfrytëzimit lëshuar pas tij apartamenti kishte qenë i përfunduar disa muaj para blerjes dhe se vlera e tij duhej të llogaritej bazuar në vlerat e Entit Kombëtar të Banesave.

Nino po ashtu këmbënguli se të ardhurat e prindërve të subjektin nuk ishin të mjaftueshme për të justifikuar këtë blerje.

Gumi nga ana tjetër ripërmendi provat e mbledhura nga ata për të treguar aktivitetin e prindërve të subjektit si blegtorë dhe këmbënguli sërish se apartamenti ishte marrë në formën karabina. Vetë subjekti në fjalën e tij tha se situata e pallatit ishte e dukshme edhe sot dhe se akti i kolaudimit ishte i rremë. “Si mund të jetë i përfunduar një pallat që edhe sot ka apartamente të pasuvatuara dhe karabina,” tha ai. Banushi këmbënguli se kjo situatë ishte botërishte e njohur. Ai tha se në 29 vite si gjyqtar kishte respektuar ligjin dhe kushtetutën dhe kërkoi konfirmim në detyrë.

KPA njoftoi se do të tërhiqej për vendim dhe  se vendimi për çështjen do të shpallej në 8 qershor.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *