Gjyqtari Arbër Çela në KPA | Foto: Edmond Hoxhaj
KPA Lajme Veting

KPA lë në fuqi konfirmimin e gjyqtarit Arbër Çela

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të premten më 3 nëntor vendimin për lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Shkodrës, Arbër Çela.

Gjyqtari Çela u konfirmua në detyrë më 7 dhjetor 2022, por Komisionerja Publike, Irena Nino e gjeti të pabazuar vendimin e KPK. Bazxuar në rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ajo e ankimoi çështjen në Kolegj duke ngritur shkaqe për kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit. Në konkluzionet përfundimtare më 26 tetor, Nino kërkoi shkarkimin e Çelës për deklarim të pamjaftueshëm dhe mungesë të burimeve, që u kundërshtua si i pabazuar nga subjekti që pretendoi se provat i përmbysin shkaqet e ankimit.

Gjatë shpalljes së vendimit, kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Rezarta Schuetz paraqiti në mënyrë të përmbledhur argumentet mbi të cilat është bazuar lënia në fuqi e konfirmimit të këtij subjekti rivlerësimi.

Lidhur me një apartament me sipërfaqe 91.91 m2 në Tiranë, të blerë nga Çela në bashkëpronësi me një kushërirën e tij, Schuetz tha se Kolegji ka shqyrtuar deklarimet e tij për këtë pasuri, shpjegimet e dhëna dhe provat, prej nga është arritur në konkluzionin se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë lidhur me mosdeklarimin e një huaje 30 mijë euro si burim për pagesën e pjesës së tij takuese.

Ndërkohë, KPA, e ka gjetur të drejtë konkluzionin e KPK se kontributi i subjektit në këtë pasuri është 50 % dhe jo 78 % sa pretendoi Nino, e cila u bazua në vlerën e paguar në bankë nga gjyqtari Çela.

Mbështetur në këtë konkluzion, është verifikuar mundësia e huadhënësit dhe u çmua se ai ka pasur mundësi për dhënien e vlerës 30 mijë euro, duke e rrëzuar edhe këtë pretendim të Komisioneres.

Lidhur me dyshimin për fshehje të pjesës së apartamentit në emër të kushërirës, KPA vëren se Komisonerja është tërhequr nga ky dyshim dhe për rrjedhojë e bënë të panevojshme verifikimin e mundësisë së ish-bashkëpronares për pagesën e pjesës së saj takuese. Megjithatë, KPA u shreh se ka verifikuar mundësinë e bashkëpronares prej nga ka rezultuar se me të ardhurat nga puna dhe huatë që ka marrë, të paguante pjesën e saj takuese 50 %.

Në përfundim, pasaktësia për mosdeklarimin e huasë, nuk është konsideruar penalizuese.

Po ashtu, KPA nuk ka gjetur probleme penalizuese as në pretendimet e ngritura nga Komisionerja në kriterin e figurës dhe profesionalizmit, duke vendosur lënien në fuqi të konfirmimit të gjyqtarit Arbër Çela.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *