Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Andi Civici dhe avokatja Irena Reso para KPK-së.
KPA Veting

KPA lë në fuqi shkarkimin e Andi Civicit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi mbrëmjen e së martës vendimin për lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra të ish-gjyqtarit të Apelit Tiranë, Andi Civici. Në njoftim sqarohet se vendimarrja për rrëzimin e ankimit të Civicit kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Albana Shtylla, Ina Rama e Sokol Çomo.

Më 4 mars 2020, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin nga detyra për gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Andi Civici–i cili iu nënshtrua procesit të vetingut vetëm për kriterin e pasurisë. Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, Civici nuk arriti të justifikojë pasurinë e tij të patundshme, të ngritur kryesisht përmes huave dhe transaksioneve financiare me familjarët.

Arsyetimi i trupës së Komisionit për njërën nga huatë u kritikua nga vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs, duke mbajtur qëndrim të ndryshëm për kufirin se deri ku mund të shtrihet hetimi i pasurisë për personat e lidhur me subjektet e rivlerësimit.

Andi Civici e filloi karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 2003 si gjyqtar në Gjykatën e Fierit. Në vitin 2010, ai u emërua në Apelin e Vlorës, funksion që e mbajti deri në vitin 2016, kur u transferua në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *