Gjyqtarja Teuta Hoxha dhe avokati Viktor Gumi pas seancës në KPK. Foto:Edmond Hoxhaj.
Analiza KPK Veting

Teuta Hoxha u shkarkua për balancat negative dhe ‘fshehjen e një apartamenti’

Gjyqtarja e Tiranës, Teuta Hoxha u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, më 22 nëntor 2022, pasi u konstatuan balanca negative në vlera të mëdha për krijimin e pasurive si dhe u ngritën dyshime për fshehjen e një apartamenti në emër të familjarëve. Hoxha i kundërshtoi barrat e provës dhe kërkoi çeljen e hetimit për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin, kërkesë që u rrëzua nga Komisioni.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Hoxha u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtar Olsi Komicin. Trupa e KPK është bashkuar në konkluzionin përfundimtar për shkarkimin e Hoxhës, ndërkohë që Sanxhaktari ka dalë me mendim paralel lidhur me mënyrën e kryerjes së analizës financiare, duke vlerësuar se shumica e ka rënduar situatën e subjektit.

Teuta Hoxha ka një karrierë 22-vjeçare në sistemin e drejtësisë. Që prej vitit 2000 ajo e ushtroi funksionin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Pasuri e fshehur

Subjekti ka deklaruar përdorimin e një apartamenti me sipërfaqe 91 m2 në Tiranë, pasuri në pronësi të babait, i cili e ka blerë në vitin 2001 kundrejt çmimit 1 milion e 950 mijë lekë. Ajo ka sqaruar se si burim për blerjen e shtëpisë kanë shërbyer kontributet financiare të familjes, të ardhurat nga puna ndër vite; si dhe shpërblime nga përfitimet e statusit të të përndjekurve politikë.

Komisioni vëren se subjekti nuk ka qenë korrekte në deklarimin e kësaj pasurie ndër vite, pasi në disa deklarata vjetore nuk e kishte pasqyruar përdorimin e apartamentit, ndërsa në disa prej tyre kishte shënuar marrëdhënie qiraje dhe pagesë të qirasë.

E pyetur nga ILDKPKI në vitin 2004 lidhur me këtë situatë, subjekti ka deklaruar se nuk dispononte pasuri të paluajtshme, as ajo dhe as bashkëshorti. Ajo ka sqaruar se jetonin me qira mujore 20 mijë lekë dhe si dokumentacion provues ka depozituar deklaratë noteriale të kunatit, i cili shprehej se gjatë periudhës 1999-2003 ka qenë emigrant në Mbretërinë e Bashkuar së bashku me motrën e dy vajzat e saj dhe se me të ardhurat që kishin krijuar kishin blerë dy banesa në Tiranë, një e tij dhe tjetra e motrës. Në vijim, kunati ka shpjeguar se jeton në shtëpinë e motrës, ndërsa apartamentin e tij ia ka dhënë me qira familjes së vëllait.

Megjithëse se në vitin 2004 kunati i Hoxhës ka deklaruar se apartamenti është blerë me të ardhurat e fituara prej tij dhe motrës në emigracion, Komisioni e ka kryer analizën financiare bazuar në burimet e pretenduara nga subjekti. Por, edhe në këtë version, gjyqtarja Hoxha ka rezultuar me balancë negative në shumën 1 milion e 171 mijë lekë.

Bazuar në këto konstatime, KPK i ka kaluar Hoxhës barrë prove për të vërtetuar burimin e ligjshëm të të ardhurave që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit në Tiranë, si dhe për të vërtetuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm se nuk ndodhet në situatën e fshehjes së pasurisë.

Pas prapësimeve të subjektit, sërish ka rezultuar balancë negative në shumën 1 milion e 89 mijë lekë.

“Përveç këtij fakti, trupi gjykues nënvizon se nga hetimi ka rezultuar se për pasurinë e paluajtshme apartament banimi, marrëdhënia e subjektit dhe bashkëshortit të saj ishte disi e pazakontë, për sa kohë familjarët e bashkëshortit kontribuuan me të ardhurat e tyre ndër vite, përfshirë edhe të ardhurat e vëllait nga puna në emigracion për blerjen e kësaj pasurie të paluajtshme, e cila në vijim për 20 vjet nuk u përdor prej tyre, por sikundër rezultoi nga hetimi administrativ, u përdor në mënyrë të pandërprerë nga subjekti i rivlerësimit dhe bashkëshorti”, konstaton Komisioni dhe në vijim shton se nëse analiza e kësaj pasurie do të bazohej në deklaratën e kunatit të subjektit të vitit 2004 të dorëzuar në ILDKPKI, atëherë marrëdhënia bëhej edhe më e pazakontë dhe pamundësia financiare do të thellohej.

Bazuar në këto rrethana, Komisioni konkludon se Hoxha gjendet në kushtet e fshehjes së pasurisë, të përcaktuar në pikën 5 të nenit D të Aneksit të Kushtetutës dhe të pikës 5/c të nenit 33 të ligjit nr. 84/2016.

“Në arritjen e këtij konkluzioni, trupi gjykues mban në konsideratë edhe informacionin e rezultuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, sipas së cilës blerësi faktik i kësaj pasurie të paluajtshme, shtetasi H. K., figuronte banor në zyrën e gjendjes civile në Njësinë Administrative Burrel, Bashkia Mat, dhe informacionin e administruar nga UKT-ja, sipas të cilit bashkëshorti i subjektit ka lidhur në emrin e tij kontratën për këtë banesë. Rrethana të tilla, në mënyrë indirekte, pa u konsideruar spekulative, informojnë trupin gjykues mbi marrëdhënien e subjektit, dhe bashkëshortit të saj me këtë pasuri të paluajtshme”, arsyeton KPK në vijim.

Mungesë burimesh për pasuritë

Për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 57 m2 në Golem të Kavajës në vitin 2007 për çmimin 2.1 milionë lekë, subjekti ka deklaruar si burime të ardhurat e saj e të bashkëshortit për vitet 2005 dhe 2006.

Komisioni konstaton se nuk është deklaruar pakësimi i kursimeve cash në vitin 2007 si dhe ka rezultuar se këto likujditete të viteve 2005, 2006 dhe 2007 janë pasqyruar si burim për blerjen e një zyre me sipërfaqe 74.5 m2 në vitin 2008 në Tiranë. Për rrjedhojë ka rezultuar pamundësi në shumën 2.1 milionë lekë për blerjen e apartamentit në Golem.

“Fakti që këto kursime deklarohen prej saj për blerjen e një pasurie të mëvonshme në vitin 2008, rrëzojnë hipotetikisht mundësinë e pretendimit të përdorimit të tyre nga subjekti dhe bashkëshorti në vitin 2007”, vlerëson KPK dhe çmon se subjekti nuk ka depozituar ndonjë provë që mund të ndikojë në analizën financiare në lidhje me mundësinë e blerjes së këtij apartamenti në vitin 2007, duke mos arritur të provojë të kundërtën e barrës së provës.

Si burime krijimi për blerjen e zyrës me sipërfaqe 74.5 m2 në vitin 2008 në Tiranë, kundrejt shumës 8.9 milionë lekë, subjekti ka deklaruar veç kursimeve të viteve 2006, 2007 dhe 2008, edhe likujditete bankare e cash të bashkëshortit përkatësisht në shumat 9000 euro dhe 21 mijë euro; huamarrje nga shtetasi K.Ç. në shumën 10 mijë euro; 21 mijë USD dhe 13 mijë e 800 euro nga kunati A.K.; dhe 7980 GBP nga shtetasi A.M..

Sipas Komisionit, subjekti nuk arriti të vërtetojë të ardhurat e siguruara prej bashkëshortit nga shoqëritë për të cilat deklaron se ka punuar dhe për rrjedhojë ka rezultuar në pamundësi për krijimin e likujditeteve të pretenduara si burim krijimi për këtë pasuri.

Po ashtu, nuk ka provuar me dokumentacion ligjor të ardhurat e kunatit nga puna si emigrant në Mbretërinë e Bashkuar dhe si punonjës i një banke në Shqipëri. Bazuar në këtë rezultat, KPK ka vendosur të mos i konsiderojë në analizën financiare dy shumat 21 mijë USD dhe 11 mijë e 864 euro, të deklaruara nga subjekti se janë marrë hua prej kunatit.

E njëjta situatë ka rezultuar edhe për huadhënësit K.Ç. dhe A.M., duke mos u përfshirë në analizën financiare huatë e deklaruara, në shumat 10 mijë euro dhe 7980 GBP.

Nga analiza financiare përfundimtare për këtë pasuri ka rezultuar pamundësi financiare në vlerën 6.3 milionë lekë.

Komisioneria Valbona Sanxhaktari është bashkuar në konkluzionin përfundimtar për shkarkimin e Hoxhës, por ajo paraqet mendim paralel lidhur me zbatimin e kuadrit ligjor e atij nënligjor në tërësi të rivlerësimit kalimtar të subjekteve.

Megjithëse konkludon se subjekti ka dështuar të provojë mundësitë financiare me burime të ligjshme për të justifikuar pasuritë, Sanxhaktari vlerëson se analiza financiare e Komisionit duhet të shtrohej në një mënyrë tjetër, lidhur me vetë të ardhurat e subjektit të rivlerësimit dhe bashkëshortit të saj ndër vite dhe përdorimit të këtyre të ardhurave për krijimin e pasurive.

Sipas saj, të ardhurat e viteve 2005-2006-2007 duhet të ishin përfshirë në analizën financiare për blerjen e apartamentit në Golem të Kavajës. Sanxhaktari argumenton se kjo pronë është blerë përpara zyrës në Tiranë.

“Analiza e bërë në këtë këndvështrim do të krijontë një situatë të ndryshme financiare, e cila në vlerësimin tim do të ishte me e drejtë dhe proporcionale për subjektin e rivlerësimit në raport me procesin e saj rivlerësues. Po ashtu, kjo analizë ka edhe një logjikë më të arsyeshme përsa kohë vetë pasuria apartament në Golem është krijuar në fillim të vitit 2007 e deklaruar me të ardhura dhe kursime të vitit 2005-2006 dhe sigurisht dhe ato të vitit 2007 deri në momentin e krijimit,” arsyeton Sanxhaktari dhe çmon se mospërfshirja e kursimeve në analizën e apartamentit, duke i konsideruar vetëm për zyrën, ka krijuar një situatë financiare rënduese në vlerësimin e subjeketit, pasi ka krijuar balanca negative që nuk janë proporcionale dhe krijojnë rezultate të ndryshme.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *