Gjyqtarja Elona Toro | Foto: LSA
KPA Veting

Kolegji mbyll hetimin gjyqësor për gjyqtaren Elona Toro

Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi të enjten përfundimin e shqyrtimit gjyqësorë në çështjen ndaj gjyqtares së Gjykatës së Apelit të Tiranës Elona Tora. Kolegji mori vendimin pasi Komisioneri Publik Florjan Ballhysa edhe gjyqtarja Toro thanë se nuk kishin kërkesa shtesë procedurale.

Më herët Kolegji dëgjoi shpjegime shtesë të Toros sa i përket parashtrimeve të bëra nga Komisioneri Publik mbi analizën financiare.

Toro tha në fjalën e saj se pjesë të parashtrimit të Komisionerit dilnin jashtë ankimit dhe kërkoi që ato të mos mbaheshin parasysh nga Kolegji. Ajo po ashtu këmbënguli se qoftë babai i saj, po ashtu edhe një person tjetër i lidhur i cili i kishte dhënë një hua bashkëshortit të saj, kishin pasur të ardhura të mjaftueshme.

Toro dha detaje shtesë në KPA mbi të ardhurat e babait. Kërkoi që koha mbi të cilën ato të analizoheshin të ishte e ndryshme nga ajo e pretenduar nga Komisioneri dhe po ashtu këmbënguli se nga analiza financiare ai rezultonte me bilanc pozitiv.

Njëkohësisht ajo paraqiti prova shtesë sa i përket një huadhënësi. Sipas saj trashëgimtarët e personit kishin pasur të ardhura nga qiraja. Toro këmbënguli se pavarësisht se kishte pasur një kontratë dhurimi të pronës mbi të cilën ishte dhënë qiraja, kjo kontratë kishte qenë një veprim i simuluar dhe nuk kishte sjellë pasoja.

Toro po ashtu i vuri në dispozicion KPA-së prova të reja, përfshi një vendim të Gjykatës së Tiranës që anulonte kontratën e dhurimit dhe që sipas Toros provonte ndër të tjera se huadhënësit kishin marrë pjesë të qirasë të objektit në fjalë.

Ky dokument u bë pjesë e debatit në seancë pasi Komisioneri Publik Ballhysa vuri në dukje se vendimi i gjykatës i paraqitur në Kolegj nuk ishte i plotë në pjesën arsyetuese. KPA, pasi u tërhoq në dhomë këshillimi, vuri në dukje të njëjtën gjë duke refuzuar ta pranojë këtë vendim si provë.

Megjithatë e pyetur nga kryesuesi i seancës Sokol Çomo nëse donte të plotësonte këtë vendim apo nëse kishte dijeni të një akti më të plotë, Toro tha se akti ishte i marrë nga sekretaria gjyqësore e Gjykatës së Tiranës  dhe nuk besonte të kishte ndonjë akt tjetër të ndryshëm. Toro tha se tërhiqej nga kërkesa që akti të merrej si provë.

Pas këtij qëndrimi Komisioneri Ballhysa i tha KPA se kërkonte më shumë kohë për të sjellë konkluzionet për të përfshirë edhe parashtrimet e fundit të subjektit.

Kolegji i konsultuar në vend vendosi të shtyjë seancën për në datën 25 janar në orën 12.00, kur palët do të lexojnë qëndrimet përfundimtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *