Prokurorja Fahrie Gjana | Foto : Edmond Hoxhaj
KPK Veting

Prokurorja Fahrije Gjana përballet me problem të shumta për pasurinë

Prokurorja e Kukësit, Fahrije Gjana (Vata) u përball të mërkurën gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me një listë të gjatë problemesh për pasurinë, ndër të tjera dhe me dyshime për fshehjen e një apartamenti e garazhi në Tiranë; mbi vërtetësinë e një dokumenti të dorëzuar prej saj për justifikimin e burimeve financiare; si dhe u konstatua se kishte përfituar një kredi të butë në kundërshtim me ligjin.

Prokurorja Gjana dha shpjegime në mënyrë të përmbledhur për barrën e provës dhe u shpreh se kishte arritur të provonte të kundërtën.

Trupa e KPK që po kryen procesin e rivlerësimit për prokuroren Gjana kryesohet nga Firdes Shuli, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.

Fahrije Gjana (Vata) e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 dhe punon prej gati dy dekadash si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Kukës.

Kryesuesja Firdes Shuli sqaroi në fillim të seancës se hetimi administrativ për prokuroren Gjana është përfunduar vetëm në kriterin e pasurisë, ndërsa për kërkesën e subjektit për riçeljen e hetimit në dy kriteret e tjera, atë të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit, u tha se do të trajtohet gjatë vendimarrjes përfundimtare.

Si burime për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 77.5 m2 në vitin 2011 kundrejt vlerës 4.8 milionë lekë, Gjana ka shënuar në deklaratën veting një hua 2 milionë lekë dhe 630 mijë lekë të kursyera nga pagat për këstin e pare, ndërsa për këstin e dytë një kredi në shumën 2 milionë e 170 mijë lekë kredi.

Komisioni konstaton se huadhënësi nuk ka pasur mundësi financiare, pasi ka rezultuar se tre muaj më vonë ai ka blerë një apartament në Tiranë, ndërkohë që të ardhurat kanë qenë të pamjaftueshme për të mbuluar shpenzimet për 6 anëtarë dhe për krijimin e vlerës 2 milionë lekë.

Relatori Komici u shpreh se subjekti kishte pasur në llogari bankare vlera të konsiderueshme në atë periudhë dhe se ishte e palogjikshme marrja e huasë. Bazuar në këto konstatime, KPK nuk e ka përfshirë huanë në analizën financiare.

Prokurorja Gjana deklaroi në seancë se kishte siguruar dhe dorëzuar prova të reja për të ardhurat e huadhënësit, që sipas saj vërtetojnë mundësinë e tij për kursimin e shumës 2 milionë lekë. Ajo pretendoi se huadhënësi e kishte shlyer pjesën më të madhe të vlerës së apartamentit në Tiranë që prej vitit 2005, ndërsa diferencën e kishte paguar në 2012-ën.

Balancë negative është gjetur edhe për pagesën e këstit të dytë, pasi kredia është disbursuar 13 ditë pas kryerjes së këtij transaksioni.

Gjithashtu, nga hetimi është gjetur se kredia është përfituar me kushte lehtësuese nga Bashkia e Kukësit. “Kur subjekti ka aplikuar për strehim në Bashkinë e Kukësit, ajo dhe anëtarët e familjes së saj kanë pasur të drejta reale në disa apartamente në Kukës dhe në Tiranë”, sqaroi Komici dhe renditi disa apartamente në Kukës e Tiranë.

Ndërkohë, Gjana ka deklaruar gjatë hetimit se nuk ka jetuar asnjëherë në apartamentin e paguar pjesërisht me kredinë e butë. “Kredinë me kushte lehtësuese e ka përfituar në kundërshtim me ligjin ndërkohë që ka deklaruar se nuk ka jetuar asnjëherë në apartamentin e porositur prej nga duket se nuk ka pasur nevojë për strehim”, vërejti relatori Komici.

Po ashtu, Komisioni ngre dyshime se subjekti nuk ka deklaruar pjesën takuese të një apartamenti të përfituar nëpërmjet trashëgimisë ligjore nga babai, si dhe ka vonuar regjistrimin e kësaj pasurie me qëllim përfitimin e kredisë së butë.

Gjana këmbënguli se në apartamentin 1+1 ku jetonte me bashkëshortin dhe thjeshtrin e tij nuk kishte pasur sipërfaqe të mjaftueshme. “Bashkia arriti në konkluzionin se unë nuk kisha asnjë banesë”, pohoi ajo dhe shtoi se bashkëshorti zotëronte në qytetin e Kukësit një sipërfaqe të vogël që nuk e lejonte të ushtronte si duhej detyrën e prokurores.

Sipas Gjanës, një apartament që kishte porositur në vitin 2010 me sipërfaqe 90.3 m2 nuk po përfundohej pasi shoqëria ndërtuese kishte pasur probleme financiare dhe prandaj kishin vendosur të porositnin apartamentin tjetër, duke aplikuar dhe për kredinë me kushte lehtësuese.

Ajo u shpreh se nuk kishin jetuar në apartamentin e blerë me kredi të butë pasi nuk kishin pasur mundësi ta arredonin. E pyetur nga relatori Komici se si kishte mundur të mobilonte apartamentin tjetër ku jeton që ia ka shitur kunatit që ka sipërfaqe edhe më të madhe, Gjana tha se kishin përdorur orenditë e vjetra.

Për mospërdorimin e likujditeteve që zotëronte, subjekti u shpreh se kursimet i kishte investuar në bono thesari dhe cënohej interesi nëse i përdorte para maturimit të tyre.

Pas konstatimeve të Komicit, Gjana pranoi në seancë se vërtetimet e zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme për kredinë e butë ishin lëshuar nga bashkëshorti, në cilësinë e tij si regjistrues.

Hetimi i KPK ka evidentuar se në vitin 2016, subjekti dhe bashkëshorti i saj kanë krijuar disa depozita për të cilat Gjana ka deklaruar si burim krijimi çmimin e shitjes së apartamentit me sipërfaqe 90.3 m2 në qytetin e Kukësit, të porositur në 2010-ën. Kjo pasuri i është shitur për 36 mijë euro vëllait të bashkëshortit, megjithatë aty vijon të jetojë familja e prokurores Gjana. Ajo ka shpjeguar për Komisionin se familja e kunatit jeton në apartamentin e porositur në 2011-ën për 4.8 milionë lekë, për likujdimin e çmimit të të cilit ka pretenduar se ka shërbyer edhe kredia e butë.

Komisioni ka analizuar mundësinë e Gjanës për pagesat e apartamentit me sipërfaqe 90.3 m2, prej nga ka rezultuar balancë negative në shumën 1.1 milionë lekë për pagesën e këstit të parë në vlerën 20 mijë euro në vitin 2010.

Për pagesën e këstit të dytë, subjekti ka deklaruar një hua në shumën 16 mijë euro. KPK ka hetuar mundësinë e familjes së huadhënëses prej nga ka rezultuar se kanë blerë në atë periudhë edhe dy pasuri të tjera në Tiranë. Nga analiza financiare ka rezultuar pamjaftueshmëri e burimeve të huadhënëses për kursimin e vlerës 16 mijë euro dhe për shkak të disa mangësive të deklaratës noteriale të dorëzuar si prove janë ngritur dyshime se mund të jetë krijuar për justifikimin e burimeve financiare për këstin e dytë të apartamentit të porositur në 2010-ën.

Komici sqaroi se nga verifikimet ka rezultuar se deklarata noteriale e huadhënësit nuk ka qenë e regjistruar. Sipas tij, nga këto të dhëna ngrihen dyshime të arsyeshme lidhur mbi vërtetësinë e huadhënies. Duke mos u përfshirë vlera 16 mijë euro në analizën financiare, Gjana është gjetur me balancë negative në shumën 2.8 milionë lekë për pagesën e këstit të dytë për apartamentin 90.3 m2 në vitin 2013.

“Duket e dyshimtë kontrata e shitjes së këtij apartamenti në vitin 2016 pasi subjekti jeton aty dhe nuk e ka deklaruar shtijen në vite”, pohoi Komici dhe theksoi se duket se depozitat nuk janë krijuar me të ardhurat e deklaruara nga shitja e kësaj pasurie.

Gjana këmbënguli se deklarata e huadhënies ishte nënshkruar prej motrës tek noteri dhe vërejti se e kishte deklaruar detyrimin në shumën 16 mijë euro.

Në seancë u evidentuan edhe dy apartamente në Tiranë të porositua nga bashkëshorti para martesës. Megjithatë, ka rezultuar se një vlerë në shumën 4500 USD është paguar gjatë martesës dhe KPK ka hetuar burimet e këtyre pasurive.

Si burime financiare të bashkëshortit, subjekti ka deklaruar të ardhurat e tij dhe ish-bashkëshortes së ndjerë nga puna, nga puna në të zezë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA, si dhe nga aktiviteti si kambist i paliçensuar. Për shkak se burimet kryesore kanë mbetur në nivel deklarativ, ato nuk janë konsideruar në analizën financiare.

Sipas prokurores Gjana, të gjitha pagesat për dy apartamentet e bashkëshortit janë kryer prej tij. Ajo deklaroi se nuk kishte qenë në dijeni për detyrimin e mbartuar pas martesës në vlerën 4500 USD dhe këmbënguli se kjo shumë ishte shlyer prej bashkëshortit. Subjekti sqaroi se detyrimi 4500 USD ishte shtuar si pasojë e ndryshimit të planimetrisë nga firma ndërtuese.

Një prej këtyre apartamenteve bashkëshorti i subjektit e ka shitur në vitin 2016 kundrejt vlerës 54 mijë euro, shumë për të cilën është deklaruar se i është dhënë hua vëllait të prokurores për shlyerjen e çmimit të një apartamenti dhe garazhi në Tiranë.

Komici konstatoi se vëllai i subjektit nuk ka kryer ndonjë transfertë vlerash monetare nga SHBA ku jeton dhe punon familjarisht dhe për këtë arsye janë ngritur dyshime se këto dy prona janë pasuri të fshehura të prokurores Fahrije Gjana.

Prokurorja Gjana theksoi se vlera e dhënë hua vëllait të saj ishte kryer me transfertë bankare dhe ishte provuar se ishte paguar për apartamentin e porositur prej tij. Sipas saj vëllai nuk ka asnjë apartament dhe ka dashur të zotëronte një në Shqipëri, ashtu si pjesa më e madhe e emigrantëve. Gjana tha se bashkëshortja dhe fëmijtë e vëllait kishin ardhur çdo vit në Shqipëri.

Kur Komici e pyeti nëse vëllai që kishte investuar afro 190 mijë USD në Shqipëri, zotëronte apo jo shtëpi në SHBA, ajo u mbrojt me pretendimet se ai zhvendosej shpeshherë për shkak të aktivitetit privat që ushtronte dhe prandaj nuk kishte blerë një banesë në shtetin ku jeton.

Në seancë u evidentuan edhe disa investime të subjektit në bono thesari gjatë periudhës 2010-2015, për të cilat janë konstatuar mosdeklarime dhe balanca negative në vlera të vogla. Nga analiza financiare për gjithë periudhën e rivlerësimit ka rezultuar balancë negative në vlerën totale, 4 milionë lekë.

Në përfundim të seancës dëgjimore, Gjana pretendoi se kishte provuar të kundërtën e barrës së provës për pasurinë dhe kërkoi riçeljen e hetimit për dy kriteret e tjerë dhe konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më 28 janar, ora 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *