Gjyqtari i Gjykatës së Apelit Korçë, Olsi Xhavella, pas seancës dëgjimore. Foto:BIRN
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

KPK: Gjyqtari Olsi Xhavella nuk provoi dot burimin e pasurive

Në vendimin e arsyetuar, Komisioni i Paravarur i Kualifikimit thotë se gjyqtari i Apelit të Korçës, Olsi Xhavella nuk arriti të provojë ligjshmërinë e parave të përfituara nga nëna dhe vëllai në emigracion, si dhe mundësinë e prindërve të bashkëshortes për vlerën e “prikës”, që janë përdorur si burime për krijimin e pasurive.

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit Korçë, Olsi Xhavella, pas seancës dëgjimore. Foto:BIRN

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Korçës, Olsi Xhavella u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK pasi u gjet në pamundësi për krijimin e pasurive që zotëron. Ndërkohë, ai u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe u kualifikua për profesionalizmin.

Në vendimin e arsyetuar të Komisionit, evidentohet pamundësia e Xhavellës për të provuar ligjshmërinë e të ardhurave të nënës dhe të vëllait nga nga emigracioni dhe mundësinë financiare të prindërve të bashkëshortes për dhurimin e vlerës 1 milion lekë si prikë- shuma të deklaruara si burime krijimi të pasurive.

Gjithashtu, konstatohet se në një rast, Xhavella nuk ka arritur të provojë përdorimin e një kredie për blerjen e një apartamenti, pasi shuma është disbursuar disa muaj pas nënshkrimit të kontratës.

Komisioni konkludon se gjyqtari Xhavella nuk ka pasur mundësi financiare për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 85 m2 në qershor të vitit 2004 në Korçë kundrejt çmimit 2.9 milionë lekë, në momentin që ka kryer këtë transaksion. Si burim krijimi për këtë pasuri, Xhavella ka deklaruar një kredi në shumën 15 mijë euro të marrë në tetor të vitit 2004 dhe 700 mijë lekë nga kursimet e nënës nga puna si emigrante në Greqi.

Nga hetimi ka rezultuar se kredia bankare është marrë rreth katër muaj pas lidhjes së kontratës së shitblerjes së pasurisë dhe pas regjistrimit të pasurisë në emër të subjektit, si dhe pas shlyerjes së vlerës së kësaj pasurie. Ndërkohë, është konstatuar se në kontratën e kredisë nuk përcaktohet qëllimi dhe destinacioni i saj dhe se vlera 15 mijë euro është tërhequr cash nga subjekti.

Sipas KPK, Xhavella nuk arriti të provojë me dokumentacion ligjor të kohës se, kredia e marrë në tetor të vitit 2004, ka qenë për likuidimin e çmimit të apartamentit në muajin qershor të atij viti, kur në kontratën e shitblerjes është përcaktuar se palët janë ligujduar plotësisht jashtë zyrës noteriale.

“Nuk provohet dhe dokumentohet kalimi i kësaj kredie nëpërmjet veprimeve bankare, apo ndonjë forme tjetër të dokumentuar, nga llogaria e subjektit te pala shitëse e pasurisë,” vijon argumentimin trupi gjykues.

Po ashtu, Komisioni konkludon se Xhavella nuk ka arritur të vërtetojë burimin e ligjshëm as për të ardhurat e nënës dhe të vëllait nga emigracioni, lidhur me kontributin e saj në shumën prej 700 mijë lekë për blerjen e apartamentit 85 m2, si dhe për dhurimin e vlerës 1,200 euro në 2007-ën, që janë deklaruar se kanë shërbyer për shlyerjen e dy kësteve të kredisë.

“Në përgjigje të rezultateve të hetimit, subjekti paraqiti vetëm kopje të pasaportës së nënës dhe vëllait dhe lejet e qëndrimit në shtetin grek, por asnjë dokumentacion tjetër provues lidhur me përfitimin e të ardhurave apo krijimin e kursimeve nga këto të ardhura të pretenduara”, vëren Komisioni dhe i konsideron jobindëse shpjegimet e subjektit të rivlerësimit.

Gjithashtu, gjyqtari Xhavella nuk ka arritur të provojë dy prej burimeve financiare të deklaruara se kanë shërbyr për pagesën e çmimit të një apartamenti tjetër me sipërfaqe 111.51 m2 të blerë në Korçë në vitin vitin 2014, kundrejt vlerës 51 mijë e 600 euro.

Sipas KPK, subjekti ka qenë në pamundësi financiare për kursimin e një shume 2000 euro në momentin e nënshkrimit të kontratës më 2 prill 2014, pasi ka rezultuar me balancë negative në shumën 335 mijë lekë.

Në vendim thuhet se Xhavella nuk ka arritur të provojë edhe mundësinë e prindërve të bashkëshortes për krijimin e një shume 1 milion lekë, të dhuruara së bijës si prikë në vitin 2010. Këtë vlerë, subjekti e ka deklaruar si një prej burimeve të pagesës së çmimit të apartamentit.

Ndërsa burimi tjetër, një kredi në shumën 5 milionë e 770 mijë lekë, pavarësisht se është konstatuar se është tërhequr disa ditë pas lidhjes së kontratës së shitblerjes, ka rezultuar se është depozituar në llogarinë bankare të palës shitëse ditën që është disponuar prej Xhavellës.

Pamundësia për të vërtetuar ligjshmërinë e të ardhurave të nënës dhe vëllait nga emigracioni e kanë penalizuar gjyqtarin Xhavella edhe në analizën financiare për berjen e një automjeti tip “BMW” në vitin 2003, kundrejt vlerës 250 mijë lekë.

Pretendimet e gjyqtarit se ai rezultonte me bilanc pozitiv në vitin 2003, nisur nga fakti se kishte filluar punë, nuk janë konsideruar bindëse prej Komisionit, pasi si burim për blerjen e këtij mjeti janë deklaruar të ardhurat e nënës dhe të vëllait nga emigracioni, ligjshmëri e të cilave nuk është provuar.

Nga analiza financiare e përgjithshme ndër vite ka rezultuar një balancë negative totale në shumën 1 milion e 396 mijë lekë. Në përfundim, Komisioni konkludon se gjyqtari Olsi Xhavella ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasuritë e krijuara dhe se nuk justifikon me burime të ligjshëm krijimin e tyre.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *