

Një trupë gjyqtarësh të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit pritet të mblidhen për të shqyrtuar heqjen dorë të kryetares së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Natasha Mulaj nga shqyrtimi i çështjes nr. 34/2018, datë 13.11.2018, që i përket subjektit të rivlerësimit Artur Malaj.
Dorëheqja e kreut të KPA-së nga çështja zbulohet nga një urdhër delegimi kompetencash i datës 7 maj për gjyqtarin Luan Daci, i cili është publikuar në fletoren zyrtare. E pyetur nga BIRN nëpërmjet një zëdhënësje, gjyqtarja Mulaj nuk komentoi menjëherë të premten mbi arsyet e heqjes dorë nga gjykimi.
Dorëheqja e gjyqtares Mulaj vjen pas një investigimi të BIRN, i cili raportoi me datë 15 prill, se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit po shqyrtonte një ankim për konflikt interesi ndaj gjyqtares Natasha Mulaj, e cila akuzohet për konflikti interesi pas përfshirjes së familjarëve të saj në një çështje gjyqësore me një subjekt rivlerësimi.
Lexo më shumë:
Akuzat ndaj kreut të KPA-së, Mulaj rrjedhin nga një çështje për “sigurim padie” në Gjykatën Administrative të Apelit, e ngritur kundër bashkisë Tiranë për kundërshtimin e një lejeje ndërtimi nga shoqëria ‘Construction Management Alliance Albania’ dhe të tjerë – e cila u shqyrtuar nga një trupë gjykuese e udhëhequr nga gjyqtari Artur Malaj.
Kompania ‘Construction Managment Alliance Albania’ është në pronësi të shtetasit Admir Mulaj – vëllai i gjyqtares së Kolegjit, Natasha Mulaj.
Me vendim të datës 9 maj, trupa gjykuese e Gjykatës Administrative e udhëhequr nga Artur Malaj dhe anëtar Rilinda Selimi dhe Lindita Selimi ka vendosur në favor palës paditëse, e cila përfshin dhe familjarët e kreut të KPA-së, duke marrë masë sigurie kundër lejes së ndërtimit.
Malaj u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por vendimi u ankimua nga Komisioneri Publik në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Çështja ndaj tij pritet të gjykohet nga një trupë prej pesë gjyqtarësh, e cila përfshin dhe kreun e KPA-së, Natasha Mulaj.
Pala e paditur e akuzon gjyqtarin Malaj për shkelje proceduriale në procesin administrativ, që sipas tyre vijnë si pasojë e interesave të këtij të fundit për të kaluar procesin e vetingut si dhe interesave të familjarëve të gjyqtares Mulaj në këtë çështje.
I pyetur nga BIRN, gjyqtari Artur Malaj i ka mohuar akuzat për konflikt interesi duke deklaruar se nuk kishte njohje me kreun e KPA-së dhe as me familjarët e saj.