Nënkryetari i Gjykatë së Lartë, Sokol Sadushi | Foto : LSA
Analiza Artikull kryesor Analiza Në Fokus

Vetingu i bashkëshortes ngre dyshime për pasurinë e Sokol Sadushit

Pasuritë e nënkryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi ishin sipas vendimit të zbardhur të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, çështja kryesore në rivlerësimin e bashkëshortes së tij, gjyqtares së Gjykatës së Apelit të Tiranës, Edlira Petri.

Trupa gjykuese e drejtuar nga Roland Ilia, me relatore Valbona Sanxhaktari dhe anëtare Xhensila Pine, vendosi ta konfirmonte Petrin në detyrë me shumicë votash më 17 qershor.

Sanxhaktari dhe Ilia i hoqën subjektit barrën e provës për asetet e vendosura para martese nga bashkëshorti Sokol Sadushi dhe arsyetuan se deklarimi i saj ishte i saktë, i mjaftueshëm dhe pasuritë e Petrit të ligjshme.

Pine argumentoi ndryshe, duke theksuar në mendimin e pakicës se Petri ka të drejta pronësia mbi asetet e bashkëshortit të vendosura para martese dhe si rrjedhojë ato duhet të jenë pjesë e procesit të rivlerësimit kalimtar.

Pas kalimit të barrës së provës për këto asete mbi subjektin, Pine arrin në përfundimin se ajo ka bërë deklarim të pamjaftueshëm dhe kishte një balancë negative prej 3.6 milion lekësh, e si rrjedhim duhet të ishte shkarkuar.

Në dy kriteret e tjera të rivlerësimit, atë të profesionalizmit dhe pastërtisë së figurës, trupa nuk gjeti probleme dhe arsyetoi në favor të Petrit, në mënyrë unanime.

I kontaktuar nga BIRN nënkryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi nuk komentoi mbi faktet dhe opinionet e paraqitura për pasurinë e tij në vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Apartamenti në Qerret

Edlira Petri ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002 dhe është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Beratit. Në vitin 2007, Petri u emërua në Gjykatën e Apelit të Shkodrës, ndërsa në vitin 2010 u transferua në Gjykatën e Apelit të Tiranës, detyrë të cilën e kryen edhe aktualisht. Në janar 2020, Petri u zgjodh gjyqtare e medias në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Bashkëshorti i saj, aktualisht anëtar i Gjykatës së Lartë, ka mbajtur pozicione të larta në sistemin e drejtësisë, përfshirë atë të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe drejtuesit të Shkollës së Magjistraturës.

Ai u zgjodh në mars anëtar i Gjykatës së Lartë pas një procesi verifikimi nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, por pasuritë e tij ishin pjesë e hetimit edhe nga KPK, në kuadër të procesit të vetingut të gjyqtares Edlira Petri.

Treshja që gjykoi Petrin arriti në përfundime të ndryshme mbi disa pasuri të deklaruara nga Sadushi.

Në vendim thuhet se KPK  i kaloi barrën e provës Petrit në lidhje me burimin e krijimit të një apartamenti 58.7 mijë euro në Qerret, Kavajë. Apartamenti ishte blerë në vitin 2006 nga gjyqtari Sadushi dhe ishte deklaruar prej tij me burim nga shitja e një apartamenti tjetër po në bregdet për 55 mijë euro.

Në vendim del se në vitin 2011 në një procedurë për llogari të ALUIZN-it, për të regjistruar truallin e ndërtimit në favor të pronarëve të apartamenteve në pallat,  Petri u regjistrua si bashkëpronare.

Por ndërsa dha shpjegime se si ishte përfituar pasuria, gjyqtarja këmbënguli se ai nuk duhej të ishte objekt i rivlerësimit të saj.

“Në përfundim të kësaj çështjeje, do të doja të sillja edhe një herë në vëmendje se veprimet e mësipërme, të kryera nga bashkëshorti im, i përkasin periudhës para martesës sonë. Si të tilla, pavarësisht se sikurse u shpjegua ato janë të ligjshme, vlerësoj se nuk duhet të përfshihen në kuadër të rivlerësimit tim”, citohet Petri në vendim.

Shumica ka pranuar këtë arsyetim, duke konsideruar se pronësia e Petrit mbi apartament në vitin 2011 ishte shumë më e vonshme se koha e blerjes së tij dhe se ajo ishte vetëm formale.

“Kjo pasuri rezulton e blerë në vitin 2006 (para martese) dhe se nuk mund të lidhet me procesin e rivlerësimit të subjektit znj. Edlira Petri”, thuhet në vendim. Duke iu referuar Kodit të Familjes shumica arsyeton se kjo pasuri cilësohet si pasuri vetjake e bashkëshortit.

Ndërsa thonë se përfshirja e gjyqtares në këtë pasuri për efekt të kalimit të truallit në pronësi të banorëve të pallatit, nuk kishte efekt të fitimit të pronësisë.

Përndryshe Pine në pakicë thekson se Petri kishte të drejta pronësie mbi apartamentin dhe se kontrata e shitjes së tij ishte përpiluar në vitin 2012. Nisur prej kësaj ajo arsyeton se Petri duhej të kishte dokumentuar të kundërtën e barrës së provës.

“Arsyetimi i përdorur nga shumica mbi pronësinë e kësaj pasurie, nuk ndryshon faktin se subjekti i rivlerësimit nuk paraqiti asnjë dokumentacion për të vërtetuar pas dërgimit të barrës së provës, burimin e ligjshëm të shumës kërkuar posaçërisht për qëllim të kontrollit të pasurisë së deklaruar prej saj në deklaratën “Vetting””, shprehet Pine.

Ajo thotë se deklarimet mbi pronësinë në këtë rast ishin deklarative dhe jo të provuara, ndërsa lë të kuptohet se kishte paqartësi dhe dyshime se blerësi i apartamentit të parë për 55 mijë euro nuk kishte pasur të ardhurat.

Sipas Pines deklarimi për kohën e fitimit të pronësisë ishte i pasaktë dhe se në tërësi Petri nuk kishte bërë deklarim të mjaftueshëm për këtë apartament.

Shpenzimet 2 milion lekë për shtesën

Trupa e KPK-së, siç del nga vendimi u nda edhe për mënyrën se si duhej të llogaritej një shpenzim prej 2 milion lekësh, kryesisht bazuar mbi deklarimet e paqarta të gjyqtarit Sadushi.

Pagesa, që kishte të bënte me një shtesë mbi një apartament në pronësi të tij, ishte deklaruar në vitin 2011 si shpenzim mobilimi. Ndërkohë, në vitin 2014 në deklaratën para fillimit të detyrës Sadushi e kishte deklaruar atë si pagesë për ndërtim të shtesës për personin që kishte kryer punimet dhe për mobilim. Në deklaratën veting të Petrit pagesa ishte detajuar në vlerën 1.64 milion si pagesë ndërtimi dhe 360 mijë për mobilim.

Pine në pakicë pretendon se shume prej 2 milion lekë të deklaruara në vitin 2011, si pagesë për mobilimin duhet të konsiderohen të tilla dhe veçmas nga pagesa prej 1.64 milion lekë që ishte deklaruar si kosto ndërtimi në vitin 2014 dhe deklaratën veting.

Pine shprehet se shuma prej 1.64 milion lekësh nuk përshinte pajisjet hidrosanitare dhe elektrike “ndaj ishte brenda konceptit logjik, vlera e deklaruar për mobilimin e kësaj banese në vitin 2011, prej 2.000.000 lekë, e cila duhet të përfshihej në analizën financiare të vitit 2011, si zë më vete”.

Llogaritë e Pines për këtë vit e nxjerrin Petrin me balancë negative prej 1.8 milion lekësh.

Petri ndërkohë ka pretenduar se deklarata e vitit 2011 ishte e paqartë dhe se për këtë arsye ajo ishte detajuar në vitin 2014 dhe në deklarimin veting. Ajo thotë se në deklarimin e vitit 2010 ishte bërë e qartë se shuma prej 1.64 milion lekë ishte një detyrim për tu paguar ndaj banorit që kishte bërë shtesën.

Shumica e trupës ka pranuar këtë arsyetim duke e cilësuar bindës. Trupa arsyeton se deklaratat vjetore të para “në tërësi dhe harmoni me njëra-tjetrën, por edhe në raport me deklaratën Veting”  dëshmonin se shuma ishte përdorur siç ishte deklaruar prej gjyqtares.

“Vërtetohet se destinacioni i përdorimit të shumës 2.000.000 lekë ka qenë për pagesën e punimeve të ndërtimit në vlerën 1.638.095 lekë (në përputhje me situacionin e punimeve), ndërsa pjesa tjetër për mobilimin e banesës”, thuhet në vendim.

Kursimet cash dhe shpenzimet

Sipas vendimit të zbardhur të KPK del se qëndrime të ndryshme trupa kishte pasur edhe mbi mënyrën se si duhej të konsideroheshin deklarimet e Sadushit për paratë ‘cash’ në vite, 20 mijë euro që fëmijët e tij nga martesa e parë kishin trashëguar nga gjyshja dhe shpenzimet e kurimit të njërës prej vajzave në SHBA.

Në vendim KPK thotë se kishte hasur në një paqartësi në deklarimet cash të bashkëshortit të subjektit. Sipas vendimit Sadushi në vitin 2014 kishte deklaruar “Gjendja cash deklaruar më parë lekë 3.450.000” dhe “Gjendja cash-Euro 5.000”. Në deklaratën veting kursimet cash janë deklaruar 0.

Shumica i ka kërkuar sqarime Petrit mbi këtë deklarim dhe ka pranuar arsyetimin e saj se shuma prej 3.4 milion lekësh e deklaruar në vitin 2014 si e “deklaruar më parë”, ishte në fakt një shumatore për të gjitha deklarimet cash në vite dhe jo sasia e parave cash që familja dispononte në kohën e deklaratës. Kjo e fundit sipas Petrit kishte qenë vetëm 5 mijë euro.

Petri thotë se si provë për këtë është përmendja në këtë pjesë të deklaratës edhe të një makine që ata kishin pasur më parë.

“Sipas subjektit, kjo mënyrë pasqyrimi është menduar në atë kohë nga bashkëshorti si e përshtatshme, duke qenë se përbri është bërë sqarimi “deklaruar më parë”, në dallim nga pasuria me nr. 13, f. 4 (gjendja cash prej 5.000 Euro), në të cilën nuk është bërë ky shënim”, thuhet në vendim.

Përndryshe Pine në pakicë thotë se deklarimi në këtë pikë ishte i pamjaftueshëm dhe se çifti nuk kishte deklaruar pakësim të gjendjes cash. Ajo i përfshin këto para në analizën financiare duke e nxjerrë gjyqtaren me bilanc negativ prej 1.8 milion lekësh në vitin 2014.

Pine thotë se argumenti i saj bazohet në vendimet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që ka orientuar KPK që  “të mos prezumojë përdorimin nga subjektet të gjendjeve cash, si burime për mbulimin e shpenzimeve, për sa kohë një gjë e tillë nuk është deklaruar në mënyrë të qartë dhe të plotë nga vetë subjekti i rivlerësimit në deklarata periodike”.

Qëndrime të ndryshme trupa mban mbi një shumë prej 20 mijë eurosh në një llogari tri emërore të dy fëmijëve të bashkëshortit të gjyqtares dhe gjyshes së tyre. Shumica lë të kuptohet në vendim se këto para ishin trashëgimi nga gjyshja dhe i cilëson ato si të ardhura. Po aty arsyetohet se gjyshja e ndjerë kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për të krijuar këtë pasuri.

Ndërsa Pine këmbëngul se burimi i tyre nuk ishte sqaruar dhe se 2/3 duhej të konsideroheshin si shpenzime të familjes.

Po ashtu trupa ndahet sa i përket shpenzimeve mjekësore për një nga vajzat. Shumica pranon arsyetimet dhe dokumentet e paraqitura nga Petri që shpenzimet ishin përballuar nga spitali ku ishte bërë ndërhyrja.

“Subjekti ka paraqitur korrespondencën me e-mail me personelin e spitalit dhe kopje të një vërtetimi në gjuhën angleze nga mjeku i saj, në të cilin deklarohet se pacientja E.S., ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale në datën 29.4.2010 pranë kësaj strukture, e shoqëruar nga babai, S. S., dhe se kjo ndërhyrje dhe qëndrimi në spital i pacientes janë realizuar pa pagesë”, thuhet në vendim.

Ndërsa Pine nga ana e saj thotë se dokumentet nuk ishin të mjaftueshme dhe jo në formën e kërkuar nga ligji dhe se këto shpenzime duhej të ishin përllogaritur në shpenzimet e vitit 2010. “Aktet e paraqitura nga subjekti në cilësinë e provës, për të pasur vlerë provuese duhet të ishin paraqitur në formën e kërkuar ligjore”, thuhet në mendimin e pakicës.

Në fund të dy palët kanë dalë në përfundime të ndryshme sa i përket situatës financiare të Petrit. Shumica arsyeton se edhe pa marrë parasysh një sërë të ardhurash nga shitja e librave të bashkëshortit, për të cilat nuk kishte dokumentacion të pagesës së tatimeve nga shtëpitë botuese, familja kishte vetëm një bilanc negativ prej 94 mijë lekësh.

Ndërkohë edhe pse nuk i ka përfshirë në analizë të ardhurat nga librat para vitit 2011, shumica arsyeton se ato janë të ligjshme dhe se detyrimi për pagim të tatimit në burim i kishte takuar shtëpisë botuese. Ajo arsyeton se kishte prova të mjaftueshme se këto të ardhura ekzistonin, ndërsa vë në dukje se prej vitit 2012 bashkëshorti i subjektit ka paguar vetë tatimet për këto të ardhura.

Nga ana e saj Pine nuk bie dakord me analizën financiare të shumicës dhe pretendon se Petri kishte një bilanc negativ prej 3.6 milion lekësh në dy vite.

Përndryshe trupa ka qenë dakord në vlerësimin në kriterin e profesionalizmit dhe atë të figurës. Petrit i janë kërkuar shpjegime për disa denoncime dhe për një raport të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë që vinte në dukje vonesat në zbardhjen e vendimeve. Petri arsyetoi kundër denoncimeve, ndërsa vuri në dukje se KLD nuk kishte marrë në konsideratë të gjithë volumin e punës. KPK ka pranuar këtë arsyetim dhe shprehet se nuk gjeti indicie për probleme në denoncimet ndaj gjyqtares.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *