Kryetari i Gjykatës së Tropojës, Dritan Seci dhe avokati i tij para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto: Edmond Hoxhaj
Analiza Artikull kryesor Analiza KPK Në Fokus

Gjyqtari nga Tropoja ‘fshehu’ apartamentin në Tiranë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimi e shkarkoi nga detyra kreun e Gjykatës së Tropojës Dritan Seci, pas hetimi administrativ zbuloi se ai kishte fshehur pasurinë.

Kryetari i Gjykatës së Tropojës, Dritan Seci dhe avokati i tij para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto: Edmond Hoxhaj

Fshehja e një apartamenti në Tiranë dhe e një dhurate prej 20 mijë euro, si edhe mosmbulimi i shpenzimeve me të ardhura të ligjshme, sollën shkarkimin e Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, Dritan Seci. KPK gjithashtu ka konstatuar gjatë hetimit aftësi “minimale” të gjyqtarit Seci në aspektin profesional

Konstatimi i fshehjes së pasurisë, deklarimit të rremë, të pamjaftueshëm dhe të pasaktë si edhe performanca e ulët profesionale kanë bindur Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, se Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, gjyqtari Dritan Seci, nuk mund të ishte më pjesë e sistemit të drejtësisë.

Më datë 11 mars 2019, trupa gjykuese e KPK-së, e përbërë nga Roland Ilia Kryesues, Olsi Komici relator dhe Valbona Sanxhaktari anëtare, pas problematikave të konstatuara në kriterin e pasurisë gjatë hetimit administrativ kanë vendosur shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Dritan Seci.

KPK vëren se prej analizës financiare, rezulton se për vitet 2009, 2010, 2011 dhe 2012, Seci nuk ka pasur burime të mjaftueshme financiare për kryerjen e investimeve dhe të shpenzimeve të deklaruara, duke mos arritur nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë. Komisioni ka ngritur dyshime se Seci ka fshehur një apartament në Tiranë dhe te një dhuratë në vlerën e 20 mijë eurove. Gjithashtu, janë gjetur edhe deklarime të pamjaftueshme e pasaktësi të tjera në pasqyrimin e pasurive në deklaratat periodike e atë veting.

Ndërkohë, gjyqtari Seci është vlerësuar pozitivisht për integritetin e figurës, pasi Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe KPK nuk kanë gjetur asnjë të dhënë që ai të ketë pasur kontakte me persona me lidhje me krimin e organizuar.

Problemet me pasurinë

Hetimi administrativ i KPK-së ka zbuluar se subjekti nuk ka deklaruar një kontratë sipërmarrje për blerjen e një apartamenti të porositur në “Rrugën e Durrësit” në Tiranë në vlerën e 50 mijë eurove. Seci ka deklaruar se e ka përdorur këtë apartament për periudhën 2014-2015, por ka shmangur pasqyrimin e faktit se ka kryer kontratë për blerjen e kësaj pasurie më datë 26 prill 2008.

Komisioni, ka konkluduar se Seci ka fshehur pasurinë apartament në Tiranë si dhe pagesat përkatëse të kryera për këtë pasuri, si në deklaratën periodike të pasurisë të vitit 2008, ashtu dhe në vijim. Komisioni e cilëson si deklarim të rremë shpjegimin e subjektit se, këtë apartament e dispononte një mik i tij, e ka përdorur për periudhën 2014 – 2015 dhe se ka paguar vetëm shërbimet, në një kohë që kishte lidhur një kontratë porosie që në vitin 2008.

Gjatë hetimit administrativ, komisioni ka zbuluar edhe një transaksion të dyshimtë dhurimi në vlerë të konsiderueshme nga një person me shtetësi britanike në favor të gjyqtarit. Ndonëse ky i fundit e ka mohuar një gjë të tillë, KPK, bazuar në provat e siguruara prej hetimit, ka konkluduar se Seci ka fshehur dhurimin e 20 mijë eurove.

Në vendim thuhet se Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, konfirmon se në emër të shtetasit Dritan Seci ka raportime të kontratave noteriale dhe konkretisht të deklaratës noteriale të hartuar përpara noteres E. L. nga shtetasi B. M. dhe se shuma e përfshirë në transaksion është 20,000 euro.

Komisioni i ka kërkuar subjektit të japë shpjegime se në çfarë rrethanash e ka njohur shtetasin B. M.,, por Seci është shprehur se nuk e njeh atë person. “Unë nuk kam njohje me këtë shtetas, nuk është miku im siç është shprehur ai në aktin noterial dhe nuk kam asnjë lidhje me shumën prej 20 mijë euro, që është deklaruar në atë akt”, ka shpjeguar gjyqtari Seci para komisionit. Ai ka shtuar se nuk e ka deklaruar këtë shumë, pasi nuk e ka marrë.

Ndërkohë, noterja E.L. ka deklaruar para komisionit se shtetasi B. M, me vullnet të lirë dhe të plotë ka deklaruar se nga të ardhurat e tij personale nga puna, i ka dhënë në formë ndihme, mikut të tij Dritan Seci, shumën prej 20 mijë euro në janar të vitit 2014. Noterja ka sqaruar se deklarata ishte e njëanshme.

Por, një udhëtim i kryer në Kosovë, ka forcuar dyshimet e Komisionit për lidhjen e mundshme mes gjyqtarit Seci dhe shtetasit B.M., i cili ka nënshkruar deklaratën noteriale se i ka dhuruar 20 mijë euro gjyqtarit. Komisioni ka zbuluar se shtetasi B.M. ka lëvizur me makinën që përdorej prej gjyqtarit dhe ka dalë jashtë shtetit shqiptar nëpërmjet pikës kufitare Qafë-Morinë më datë 12 korrik 2016. Në vendim thuhet se nga kërkimi i këtyre të dhënave nga sistemi TIMS, rezultoi se subjekti i rivlerësimit Dritan Seci rezulton me dalje nga territori shqiptar me datë 8 korrik 2016 dhe 14 korrik 2016, nëpërmjet pikës kufitare Qafë-Morinë. Ndërsa pronari i mjetit në fjalë, që është vëllai i gjyqtarit Seci, nuk ka rezultuar të ketë pasur hyrje-dalje nga territori Shqiptar.

Gjyqtari Seci pasi ka mohuar njohjen me shtetasin në fjalë. “Në mënyrë hipotetike një gjë e tillë mund ti ndodhë kujtdo, edhe ju të nderuar anëtarë të Komisionit ku një i panjohur mund të deklarojë para noterit se ju ka dhënë këtë apo atë shumë pa dijeninë tuaj”, ka pohuar Seci, i cili ka shtuar se makina e të vëllait është përdorur edhe nga persona të tjerë dhe se ishte i gatshëm të ballafaqohej me shtetasin B.M..

Por, Komisioni nuk është bindur nga shpjegimet e Secit, duke konkluduar se pavarësisht deklarimeve të tij, krijohet bindja se gjyqtari ka njohje dhe atij i është dhënë në formë dhurate nga B. M. një shumë prej 20.000 euro, e cila nuk është deklaruar prej tij në deklaratën periodike. Në përfundim komisioni konstaton se Seci ka kryer deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë për këtë rast.

Komisioni ka konstatuar gjithashtu se gjyqtari Seci ka bërë deklarim të pasaktë të çmimit të blerjes së një apartamenti të ndodhur në qytetin Bajram Curri, Tropojë. Sipas KPK-së, në deklaratën periodike të pasurisë të vitit 2012, gjyqtari Seci ka pasqyruar si vlerë të blerjes shumën 2,1 milionë lekë, kur në kontratën e shitblerjes çmimi është përcaktuar në vlerën 2.2 milionë lekë. Gjithashtu, komisioni ka konstatuar se Seci dhe bashkëshortja e tij nuk kanë pasur të ardhura financiare të ligjshme të mjaftueshme për të justifikuar blerjen e apartamentit në vitin 2012 në Bajram Curri dhe për të përballuar shpenzimet e kryera përgjatë këtij viti, duke rezultuar me një balancë financiare negative prej 557, 818 lekë.

KPK ka gjetur problematika edhe në aktivitetin financiar të bashkëshortes së gjyqtarit Seci. Në vendim thuhet se shpjegimet e subjektit janë të pabazuara në prova lidhur me një ambient të marrë me qira nga bashkëshortja e tij, pasi kanë mbetur të pambuluar me kontratë qiraje rreth katër vite, nga 21 prilli 2011 deri në 1 janar 2014 dhe periudha nga 3 janari 2015 deri në 1 mars 2016. Komisioni ka gjetur gjithashtu se, në të tre kontratat e depozituara janë aplikuar çmime të ndryshme; përkatësisht 7 mijë lekë, 20 mijë lekë dhe 5 mijë lekë.

Shpjegimet e gjyqtarit Seci se pas kontratës së dy viteve të para të nënshkruara në 21 prill 2009 me qira mujore 7,000 lekë në muaj afati i saj është zgjatur në heshtje nuk ka qenë bindës për komisionin.

“Subjekti nuk ka dhënë shpjegime në lidhje me vlerën e qirasë së paguar gjatë kësaj periudhe. Rezulton e pambuluar me kontratë qiraje edhe periudha 3 janar 2015 deri në 1 mars 2016, për të cilën subjekti nuk ka dhënë sqarime”, citohet në vendimin e zbardhur të KPK-së.

Komisioni ka ngritur dyshime edhe lidhur faktin se për të njëjtin objekt dhe qiradhënës janë paguar çmime të ndryshme në vite të ndryshme për qiranë mujore me diferenca të konsiderueshme

Trupa gjykuese e KPK-së ka gjetur mospërputhje të deklarimit të të ardhurave nga farmacia e bashkëshortes. Nga hetimi administrativ është konstatuar se Seci ka deklaruar shumën prej 10.914.659 lekë të ardhura nga farmacia për periudhën 2009-2016. Prej hetimit administrativ, ka rezultuar se kjo shifër nuk përputhej me të dhënat e marra prej Drejtorisë Rajonale Tatimore Kukës dhe Fondit të Sigurimit të Rimbursueshme dhe se për vitin 2010 vlera e deklaruar është e lartë sa xhiroja e deklaruar nga subjekti te Zyra e Tatimeve. Mospërputhje janë vërejtur edhe mes deklaratave periodike vjetore dhe asaj veting.

Edhe pse gjyqtari Seci i ka justifikuar këto mospërputhje si të paqëllimta për të fshehur pasurinë nga ana e tij, Komisioni ka gjetur se subjekti dhe bashkëshortja nuk kanë pasur të ardhura të ligjshme të mjaftueshme për të justifikuar shpenzimet e kryera dhe rritjen e likuiditetit përgjatë viteve 2009, 2010 dhe 2011, përkatësisht në shumat -315 953 lekë, -655 777 lekë dhe -183 365 lekë.

Komisioni ka konstatuar mospërputhje deklarimi edhe lidhur me një autoveturë tip “Volkswagen Golf”. Ky mjet pasqyrohet në deklaratën e vitit 2004, ndërkohë, komisioni ka gjetur se sipas kontratës është blerë në 19 shkurt të vitit 2005. Mospërputhje është gjetur edhe në çmimin e deklaruar për shitjen e këtij mjeti në vlerën 250 mijë lekë, kur sipas kontratës së datës 30 prill 2006 mjeti rezulton të jetë shitur për 200 mijë lekë. Komisioni ka identifikuar pamjaftueshmëri edhe në deklarimin e përdorimit të dy automjeteve nga ana e tij.

Komisioni ka vlerësuar se Seci nuk ka bërë deklarim të mjaftueshëm edhe për mospaqyrimin në deklaratat periodike dhe në atë veting, të apartamentit të blerë në vitin 2002 në vlerën e 350 mijë lekëve në qytetin e Bajram Currit nga familja e bashkëshortes, ku kjo e fundit është bashkëpronare me pjesë takuese 1/3-ën.

Ndërkohë, Komisioni nuk ka gjetur probleme në kontratën e blerjes së një ambienti shërbimi në vlerën e 40.900 eurove në qytetin e Bajram Currit më datë 27 dhjetor 2013, ende të paregjistruar. Sipas trupës gjykuese, Seci ka pasur mundësi financiare dhe burime të ligjshme për blerjen e kësaj pasurie. Edhe për një apartament me sipërfaqe 93 m2 dhe vend parkimi 12.8 m2 të blerë në Tiranë më datë 14 korrik 2015 për 50.178 euro, Komisioni nuk ka konstatuar probleme. Të sakta dhe të vërteta janë edhe deklarimet e subjektit lidhur me likuiditetet e tij dhe të bashkëshortes.

Aftësi minimale profesionale

Komisioni konstaton se në përgjithësi gjyqtari Dritan Seci ka aftësi për të përballuar ngarkesën në punë, ka respektuar afatet standarde të gjykimit të çështjeve që i janë caktuar, si dhe ka arsyetuar pa vonesa vendimet gjyqësore. Por, trupa gjykuese e KPK-së vlerëson se në disa raste janë konstatuar edhe parregullsi, të cilat në pjesën dërrmuese kanë lidhje me mangësitë në njohuritë procedurale që kanë sjellë për pasojë vlerësimin “minimal” të gjyqtarit Seci për aspektin profesional.

Ndërkohë, hetimi administrativ nuk ka zbuluar ndonjë rast kur gjyqtari Seci të jetë ndodhur në kushtet e konfliktit të interesit apo ndaj tij të jetë regjistruar ndonjë procedim për masë disiplinore

Në disa dosje, janë evidentuar problematika, kryesisht në aspektin procedurial. Në një çështje me objekt të zgjidhjes së martesës, ku në vendimmarrje rregullohen pasojat lidhur me të miturit, ndonëse është përmendur prej gjyqtarit parimi i interesit më të lartë të fëmijës, Komisioni ka gjetur se procedura e ndjekur prej tij ka qenë me mangësi dhe konkludohet se gjyqtari e ka përmendur parimin formalisht.

Ndërsa në njërën prej tre dosjeve të përzgjedhura nëpërmjet procedurës së shortit, me objekt “zgjidhje martese me pëlqim reciprok të bashkëshortëve”, ka rezultuar se gjykata ka thirrur psikologen, me qëllim hartimin e aktit të ekspertimit psikologjik për fëmijën, nga e cila është kërkuar një orë kohë për të bërë takimin me fëmijën dhe për të përgatitur raportin psikologjik. Ndërkohë, raporti prej nëntë fletësh është dorëzuar në seancë pas një ore. Në vendim thuhet se Komisioni, krijoi bindjen se çështja ka qenë e paragjykuar për arsye se caktimi i psikologes si eksperte u bë në të njëjtën seancë që u bë dhe dorëzimi i aktit të ekspertimit me diferencë kohore prej një ore. Nga verifikimi i çështjes ka rezultuar se psikologjia ka arritur ta pyesë fëmijën e mitur, si dhe të përpilojë raportin psikologjik prej nëntë faqesh brenda një ore, një kohë që sipas Komisionit, është realisht e pamundur.

Komisoni ka identifikuar mangësi proceduriale edhe në një dosje me objekt “vërtetimi gjyqësor i faktit” që është shqyrtuar pas një ankese nga publiku për dhënie të padrejtë vendimi duke iu grabitur atyre pronën. Mangësi proceduriale janë konstatuar edhe në një çështje të shqyrtuar nga gjyqtari, ku ankuesja F.N. ka pretenduar se gjyqtari Dritan Seci i ka mohuar të drejtën e marrjes dijeni të procesit gjyqësor. Komisioni ka gjetur se gjyqtari Seci nuk ka kryer një hetim të thelluar në lidhje me identifikimin e adresës së saktë të së paditurës F. N..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *