Gjyqtarja Administrative e Apelit, Alkelina Gazidedja, gjatë seancës dëgjimore në Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, me datë 09.01.2019 | Foto : Besar Likmeta/BIRN
Artikull kryesor Lajme Korrupsioni Lajme Në Fokus

OMN kritikon ashpër KPK dhe rekomandon shkarkimin e gjyqtares Alkelina Gazidede

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkoi që Kolegji i Apelit të shqyrtojë me urgjencë rastin e konfirmimit në detyrë të gjyqtares Ankelina Gazidede dhe që praktika e përsëritur e KPK për konfirmim në detyrë dhe referim për inspektim duhet të ndërpritet për shkak se përbën një heqje dorë nga KPK nga detyra e saj kushtetuese në procesin e vetingut.

Gjyqtarja Administrative e Apelit, Alkelina Gazidedja, gjatë seancës dëgjimore në Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, me datë 09.01.2019 | Foto : Besar Likmeta/BIRN

Në një nga opinionet më kritike deri më sot kundër Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkoi që praktika e “referimit për inspektim” të subjekteve që konfirmohen në detyrë pasi gjehen me probleme të ndryshme duhet të marrë fund pasi përmes kësaj praktike, KPK duket se po heq dorë nga detyra e saj kushtetuese për të shkarkuar gjyqtarët apo prokurorët që rezultojnë me probleme gjatë hetimit administrativ.

Ky opinion veçanërisht i ashpër u dha nga OMN në kuadër të sugjerimit që ky institucion i bëri Komisionerit Publik për nevojën për ankimimin e vendimit të konfirmimit në detyrë të gjyqtares Alkelina Gazidede të Gjykatës Administrative të Apelit. OMN argumentoi se gjyqtarja duhej të ishte shkarkuar për kriterin e pasurisë dhe mund të mos ishte shpallur “e aftë” në kriterin e aftësive profesionale.

Gazidede, gjyqtare që e ka nisur karrierën në vitin 1996, u konfirmua në detyrë nga KPK më 10 korrik por dy vendime në të cilat ajo akuzohet se ka shkelur etikën profesionale dhe parimin e paanësisë së gjykatës, “të çohen për inspektim” te një organ kompetent.

Por përveç rekomandimit për shkarkim, Vëzhguesit Ndërkombëtarë dhanë disa komente paraprake në të cilat argumentuan se klauzola ligjore që autorizon KPK-në të referojë për inspektim një subjekt lidhet vetëm për çështje në të cilat subjekti mund të përballet me procedim disiplinor ndërsa për çështjet, të cilat mund të shkaktojnë shkarkim të subjektit nga detyra, KPK nuk duhet të përdorë referimin por duhet të gjykojë vetë sepse përndryshe “heq dorë nga detyra e saj kushtetuese”.

Pasi citon pikën 4 të nenit 59 të ligjit të vetingut, vëzhguesit ndërkombëtarë shkruajnë:

“Një interpretim i orientuar kushtetutshmërisht i këtij neni duhet të mbështetet në një proces korrekt ligjor, gjë që do ta ndalojë KPK-në në transferojë çështje “të organi disiplinor inspektues kompetent” kur çështjet kanë ose mund të kenë një ndikim thelbësor një procesin e rivlerësimit, kur këto çështje mund të përbëjnë bazë për një shkarkim nga detyra.”

Sipas vëzhguesve, nëse ligji interpretohet ndryshe, kjo sjell “vendimin e papërshtatshëm të konfirmimit në detyrë për shkak se KPK është në pamundësi ose i mungon dëshira të marrë në konsideratë (siç duhet) çështje thelbësore që mund të kenë rëndësi themelore për rezultatin e rastit specifik”.

KPK ka konfirmuar në detyrë dhe ka dërguar për inspektim për çështje të ndryshme një numër gjyqtarësh dhe prokurorësh. Në një rast një subjekt u dërgua për inspektim pa shkak.

Vëzhguesit thonë: “Në një situatë të tillë Vëzhguesit Ndërkombëtarë besojnë se KPK mund të heqë dorë nga roli i saj kushtetues.” Vëzhguesit shtojnë se nëse Kolegji i Posaçëm i Apelimit e rrëzon këtë çështje, edhe roli kushtetues i KPA është i rrezikuar.

Pasaktësi në deklarimin e pasurisë

Vëzhguesit vërejnë se subjekti Gazidede ka dështuar në mënyrë të përsëritur gjatë viteve në të cilat ka qenë subjekt i deklarimit vjetor të pasurisë, të deklarojë saktë, në mënyrë të plotë dhe me korrektesë asetet e saj dhe të familjes së saj.

Ajo ka deklaruar përgjatë viteve se ka blerë një copë tokë me sipërfaqe 437 metra në të cilën ka deklaruar ndërtimin e një kati 100 metra katror në vitin 2003, shtimin e një kati në vitin 2004 dhe shtimin e një kati papafingo në vitin 2006. Por ndryshe nga deklarata e vitit 2003, në deklaratën veting shtëpia është deklaruar me kat përdhesë 143 m2 plus 20 metra terracë, kati i parë 150 metra dhe kati i dytë 192 metra.

Sipas OMN-së, deklaratat e saj mbi kostot dhe gjendjen e shtëpisë së legalizuar duket se nuk qëndrojnë dhe se të ardhurat e saj familjare nuk mjaftojnë për të mbuluar koston e shtëpisë.

“Duket se ka mospërputhje mes deklaratave dhe dokumenteve të dorëzuara nga subjekti me dokumentet e administruara gjatë hetimit administrativ,” thuhet në opinionin e OMN-së. “Shpjegimet e subjektit mbeten në nivel kontradiktor, rrethanor dhe pa vlerë provuese për sa kohë kuadri ligjor i zbatueshëm është i qartë”.

OMN vëren gjithashtu se subjekti nuk ka qenë në gjendje t’i bindë për origjinën e një depozitimi në bankë me vlerë 1 milionë lekë në vitin 2010 ndërsa bashkëshorti i subjektit ka rezultuar se përdor një makinë jo nën pronësi të tij, por që u zbulua se përdorej prej tij për shkak të policave të sigurimit vjetor të lëshuara në emër të tij.

OMN ka vërejtje edhe për faktin që KPK e ka vlerësuar subjektin si profesionalisht të aftë. Sipas OMN-së, procesi i hetimit administrativ dhe disa denoncime nga persona të panjohur kanë zbuluar shumë raste problematike, me vendime të marra në kushtet e njëanësisë së shpallur ose gjykimin e një çështjeje dy herë, një herë në rolin e gjyqtares së Tiranës dhe më vonë, në rolin e anëtares së një trupe gjykuese në apel. Shpjegimet e subjektit për këto pikëpyetje, sipas OMN-së, nuk ishin të qarta.

Për këto arsye, OMN rekomandon apelimin e vendimit të konfrimimit me kërkesë për shkarkim nga KPA.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *