Prokurori Artur Ismajlukaj pas seancës në KPA. Foto:BIRN
KPA Lajme Veting

Kolegji dëgjon palët në çështjen ndaj prokurorit Artur Ismajlukaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi të enjten parashtrimet e palëve gjatë shqyrtimit të ankimit të Komisionerit Publik ndaj konfirmimit në detyrë të prokurorit Artur Ismajlukaj.

Trupa e kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtarë Sokol Çomo, Ina Rama, Mimoza Tasi, dëgjoi fillimisht Komisioneren Publike Irena Nino, e cila përsëriti argumentet e paraqitura në ankim duke i kërkuar Kolegjit që të vendosë shkarkimin e Ismajlukajt.

“Rezultojnë disa rrethana, të cilat, të analizuara së bashku dhe në raport me njëra-tjetrën, tregojnë për një sjellje dhe qëndrim të subjektit të rivlerësimit në raport me detyrën, të papranueshëm për të pasur besimin e publikut te sistemi i drejtësisë dhe te roli i subjektit, si një funksionar i denjë i atij sistemi”, tha ndër të tjera Nino.

Nino renditi të gjitha rastet për të cilat pretendon se Ismajlukaj ka pasur kontakte të papërshtatshme me persona të dënuar apo po ashtu persona që janë hetuar prej tij pavarësisht se ai kishte njohje apo miqësi me ta.

Sipas Komisioneres publike këto kontakte e bënin prokurorin të shkarkueshëm bazuar në ligjin për rivlerësimin. “Komisioneri Publik, në konsideratë dhe të Rekomandimit të ONM-së, vlerëson se në këto rrethana përfshihen problematika jo vetëm mbi udhëtimet e përsëritura me automjetet e personave me probleme me drejtësinë, por dhe pretendimet e subjektit të rivlerësimit mbi normalitetin e kësaj situate, sipas të cilit, për shkak të lidhjeve familjare dhe shoqërore, jetesës për një kohë shumë të gjatë në të njëjtin komunitet, është më se e rëndomtë që të krijohen kontakte të rastësishme me persona të vlerësuar nga Komisioni si të papërshtatshëm”, tha në parashtrime Nino.

Nga ana e tij Ismajlukaj, që ishte i pranishëm në seancë, u mbrojt nga avokati Rezart Kthupi. Ky i fundit i kundërshtoi pretendimet e Komisionerit Publik duke këmbëngulur se nuk provohej cënimi i besimit të publikut te drejtësia.

Kthupi i tha KPA se i mbrojturi prej tij nuk kishte pasur dijeni për dënimin e një prej personave për të cilët dyshohet se kishte pasur kontakte të papërshtatshme. Ai vuri në dukje se personi në fjalë ishte dënuar në Itali dhe kishte qenë asnjëherë në Tropojë. Kthupi po ashtu solli dokumente mbi këtë pretendim, të cilat KPA vendosi t’i pranojë si prova.

Po ashtu avokati kundërshtoi pretendimet se Ismajlukaj kishte hetuar çështje me palë të pandehur persona të njohur. Ai tha ndër të tjera se pikërisht këto çështje provonin integritetin e prokurorit. Sipas Kthupit çështjet e ngritura si problematike nga Komisioneri Publik provonin të kundërtën. Ai tha se prokurori kishte hetuar këto raste dhe i kishte dërguar ata në gjykatë dhe se vendimet e dënimit të Gjykatës së Shkallës së Parë provonin se ai i kishte hetuar ato raste me integritet, pavarësisht njohjes me personat në hetim.

Ismajlukaj u konfirmua në detyrë më 7 korrik 2023 pasi u përball me dy seanca dëgjimore në të cilat kryesisht u diskutua mbi udhëtimet e tij në makina me persona me precedentë penalë, në një rast me makinën e një personi të dënuar për krim të organizuar në Rimini të Italisë. Për pasurinë dhe profesionalizmin nuk u evidentuan probleme domethënëse.

Ismajluakaj deklaroi se udhëtimet kishin qenë të rastësishme, me qëllim që të mbërrinte pranë familjes ose në vendin e punës. Subjekti i rivlerësimit mohoi të kishte pasur njohje me shtetasin e dënuar në Itali, duke shpjeguar se mjeti i tij përdorej nga një funksionar policie në momentin kur kishte udhëtuar.

Megjithatë pas vendimit për Ismajlukaj Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit rekomandoi ankimimin e tij në Kolegj. Komisioneri Publik po ashtu vendosi të bëjë ankim, bazuar kryesisht mbi të njëjtat problematika që u vunë në dukje gjatë shqyrtimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Në seancën e ardhshme Kolegji që cilësoi të mbyllur hetimin gjyqësor do të dëgjojë konkluzionet e palëve në proces. Seanca do të zhvillohet më 25 mars.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *