Prokurori Armand Gurakuqi pas seancës dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Prokurori Armand Gurakuqi jep shpjegime për pasuritë e vëna me borxhe

Prokurori Armand Gurakuqi i Prokurorisë së Tiranës u përball të mërkurën më 26 prill me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore që zgjati afro pesë orë, dha shpjegime për bilancet negative në vite, si dhe për blerjen e dy apartamenteve dhe kryerjen e një investimi, për të cilat u relatua se ishin mundësuar në pjesën më të madhe me borxhe. Prokurori Gurakuqi mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës, ndërkohë që dha shpjegime të përmbledhura për gjetjet në kriterin e profesionalizmit.

Procesi i vetingut për prokurorin Gurakuqi po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar, ishte i pranishëm Steven Kessler.

Armand Gurakuqi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe punon prej gati dy dekadash si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Barrat e provës për pasurinë

Si burime krijimi për një apartament me sipërfaqe 82 m2 të blerë në Tiranë në vitin 2005 kundrejt çmimit 40,500 euro, Gurakuqi ka deklaruar se për shlyerjen e këstit të parë kanë shërbyer kursimet familjare në vlerën 20,500 euro, ku përfshihet edhe ndihmat nga një prej motrave dhe vëllai, nga të ardhurat e tyre në emigrim. Për këstin e dytë ka deklaruar si burim një kredi në shumën 20 mijë euro.

Relatori Hamitaj konstatoi se subjekti nuk ka pasqyruar në deklaratën “veting” dhurimet nga familjarët për këstin e parë. Po ashtu, sipas KPK, Gurakuqi nuk ka pasqyruar në vitin 2003 burimet për një prej likujditeteve të deklaruara më vonë si burim për apartamentin. Nga analiza financiare për pagesën e këtij kësti, prej analizës financiare paraprake ka rezultuar pamundësi totale në shumën rreth 400 mijë lekë. Ndërkohë, nuk janë gjetur probleme për këstin e dytë.

Subjekti deklaroi në seancë se i kishte deklaruar burimet për shumat që kanë shërbyer për këstin e parë. Ai argumentoi se formulari i vitit 2003 ishte i tillë që nuk e mundësonte përshkrimin e burimit veçmas për çdo lloj likujditeti. Ai vërejti se burimi i deklaruar për dy likujditetet që dispononte, cash dhe në bankë, ishte sqaruar në të njëjtin vend. Subjekti theksoi se në vitin 2003 kishte deklaruar se burim për këto likujditete ishin pagat, të ardhurat e motrës në SHBA dhe vëllait në Greqi, si dhe pensioni i nënës.

Sipas Gurakuqit, nëse do të pranohej kjo logjikë, atëherë do të përmbysej bilanci financiar negativ.

Për blerjen e një apartamenti tjetër me sipërfaqe 61 m2 në Tiranë në vitin 2009, subjekti ka deklaruar si burime dy hua nga 2 milionë lekë dhe 600 mijë lekë kursime familjare.

Për një hua të marrë nga vjehrra, subjekti ka deklaruar si burime të ardhurat e saj nga rrobaqepsia dhe si shitëse ambulante; të ardhurat nga shitja e dy pasurive në Peqin në vlerën rreth 1.5 milion lekë; si dhe një një hua në shumën 2 milionë lekë të marrë prej saj.

Komisioni konstaton se shtetasi A.M. që i ka dhënë hua vjehrrës së subjektit duket se ka pasur mundësi për krijimin dhe kursimin e shumës 2 milionë lekë. Ndërkohë që nuk janë përfshirë në analizë të ardhurat nga shitja e dy pasurive në Peqin, duke u konsideruar se mund të kenë shërbyer për blerjen e një apartamenti në Durrës nga familja e bashkëshortes. Për rrjedhojë, huaja e marrë prej subjektit nga vjehrra, nuk është konsideruar në analizën financiare për apartamentin e blerë në 2009-ën, prej nga ka rezultuar pamundësi financiare në vlerën 1.5 milionë lekë për pagesën e kryer me këtë burim.

Huaja tjetër po në shumën 2 milionë lekë e marrë nga një biznesmen birre, shtetasi A.B. është konsideruar me rezervë për shkak të investimeve të tjera që ai ka kryer.

Për kursimet në shumën 600 mijë lekë ka rezultuar balancë negative 342 mijë lekë.

Subjekti vërejti se vjehrra i ka shitur dy pasuritë në Peqin rreth dy muaj pasi kishte blerë apartamentin në Durrës. Ai theksoi se kur familja e bashkëshortes kishte blerë apartamentin në Durrës, banesa në Peqin nuk ishte ende e regjistruar në hipotekë. Gurakuqi vërejti se pasuritë në Peqin ishin regjistruar pasi ishte blerë apartamenti në Durrës. Sipas tij, do të ishte e pamundur që blerësi i dy pasurive në Peqin me të cilin prindërit e bashkëshortes nuk kishin pasur asnjë njohje, të kishte dhënë gjithë vlerën 1.5 milion lekë, kur këto pasuri nuk ishin ende të regjistruara as në emër të vjehrrës.

Ai kërkoi që vlerat e përfituara prej vjehrrës nga shitja e pasurive në Peqin, të konsiderohen në analizën e burimeve të saj financiare për dhënien e huasë 2 milionë lekë në vitin 2009.

I pyetur se me çfarë burimesh e kishte blerë familja e bashkëshortes apartamentin në Durrës, Gurakuqi shpjegoi se vjehrra kishte punuar gjithë jetën si rrobaqepëse dhe kishte pasur aktivitetin e saj duke siguruar të ardhura. Ai këmbënguli se vlerën e përfituar nga shitja e dy pasurive të paluajtshme në Peqin, vjehrra kishte pasur si qëllim ta investonte në Durrës për të krijuar një rrobaqepsi. Por, për shkak se kishte qenë e pamjaftueshme kishte marrë hua dhe vlerën 2 milionë lekë. Sipas subjektit, vjehrra në vijim e kishte pasur të pamundur të krijonte aktivitetin dhe e kishte pasur në gjendje edhe vlerën e marrë hua.

Gurakuqi deklaroi se e kishte blerë shtëpinë e dytë pasi kishte gjetur çmim okazion për apartamentin. Ai tha se kishte qenë duke kërkuar një apartament për motrën që ishte kthyer nga emigrimi, por ajo nuk kishte blerë. Sipas tij, gjatë këtyre kërkimeve kishte rënë në dijeni të apartamentit që bleu në vitin 2009, pasi kishte vendosur së bashku me bashkëshorten që të investonin, qoftë dhe me para të marra borxh. Subjekti theksoi se kishte arritur të vërtetonte se vjehrra kishte burime financiare të ligjshme të mjaftueshme për dhënien e huasë.

I pyetur nga Kessler lidhur me marrdhënien që kishte pasur me huadhënësin A.B., subjekti deklaroi se ai është një biznesmen që e ushtron aktivitetin në prodhimin dhe shitjen e birrës. Sipas Gurakuqit, në vitin 1998 babai kishte pasur një bar në Elbasan që furnizohej me birrë nga A.B. Ai pohoi se në atë periudhë kishte punuar si kamarier duke ndihmuar të atin dhe kishin krijuar marrëdhënie miqësore e më pas familjare me shtetasin A.B..

Gurakuqi theksoi se borxhet i kishte marrë në persona që i vlerësonte dhe që kishin besim reciprok. Ai theksoi edhe faktin se asnjë prej huadhënësve nuk ka pasur ndonjëherë probleme me ligjin, si dhe nuk rezulton që ai të ketë verifikuar apo hetuar ndonjë çështje të tyre.

Subjekti paraqiti një analizë financiare të kryer nga një ekspert kontabël, që sipas përllogaritjeve të tij në çdo lloj varianti të marzhit të fitimit të huadhënësit A.B. nga aktiviteti privat, ai rezultonte bindshëm me burime financiare të ligjshme për dhënien e huasë, edhe nëse përfshiheshin investimet e tjera të konstatuara nga KPK.

Gurakuqi pranoi se kishte pasaktësi në deklarimin e likujditeteve cash. Subjekti pretendoi se kjo kishte ardhur si pasojë e paqartësive në deklarimet e para, por theksoi se edhe prej analizës së Komisionit rezultonte me mundësi kursimi, që sipas tij janë në vlera më të mëdha se bilancet negative të konstatuara për këto zëra të analizës financiare.

Ai solli në vëmendje praktikat e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe të KPK-së, në të cilat sipas tij, pasaktësitë e pashoqëruara me balanca negative nuk mund të sjellin penalizim.

Hamitaj konstatoi se bashkëshortja e subjektit kishte kryer një investim në vlerën 75 mijë euro në një shoqëri ndërtimi, duke nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi që ajo të përfitonte 15% të fitimeve nga shitja e apartamenteve për një objekt për të cilin ishte dhënë leja e ndërtimit.

Si burim për këtë investim, subjekti ka deklaruar një hua tjetër, të marrë nga shtetasi F.Sh., për të cilin ka sqaruar se dhe në këtë rast kishte miqësi dhe se kishin besim te njëri-tjetri.

Relatori Hamitaj sqaroi se subjekti ka deklaruar se nuk ka realizuar asnjë fitim nga investimi i kryer me bashkëshorten në këtë shoqëri. Nga hetimi ka rezultuar se huaja është shlyer pjesërisht me një kredi në vitet e fundit.

KPK ka thirrur si dëshmitar shtetasin F.Sh., i cili ka konfimruar miqësinë me subjektin, si dhe huanë që i ka dhënë.

Hamitaj u shpreh se duket se nuk ka logjikë ekonomike dhënia e kësaj huaje për një investim që do të kryhej nga dikush tjetër. Sipas relatorit, subjektit i është kaluar barrë prove me konstatimin se duket se këto transaksione janë fiktive.

Gurakuqi deklaroi në seancë se shtetasi F.Sh. ishte pronar trojesh në Tiranë dhe se kishte të ardhura të konsiderueshme nga dhënia e tyre për investim.

Ai sqaroi se ishte njohur me shtetasin F.Sh. në vitin 2005 kur kishte blerë apartamentin e parë. Sipas subjektit, shtetasi F.Sh. kishte vendosur si kolateral shtëpinë e tij për kredinë e marrë në vitin 2005 në shumën 20 mijë euro. Gurakuqi vërejti se prej asaj kohe kishin krijuar miqësi dhe se e vlerësonin njëri-tjetrin. Edhe në këtë rast, ai solli në vëmendje të Komisionit se F.Sh. nuk kishte asnjë problem me ligjin dhe se nuk kishte hetuar asnjë çështje ku ai të kishte qenë palë.

Anëtarët e trupës dhe vëzhguesi Kessler vërejtën në fund të seancës se subjekti ka blerë dy pasuri me të ardhura të vogla të familjes dhe pjesën tjetër e ka marrë hua. Po ashtu, u ritheksua fakti se pa shlyer ende një pjesë të huave të mëparshme, subjekti kishte marrë sërish hua në vlerë të konsiderueshme për të investuar pranë një shoqërie ndërtimi.

Nga sa u relatua në Komision, u mësua se subjekti ka porositur dhe një tjetër apartament në vitin 2021, për pagesat e të cilit ka shërbyer një pjesë e një kredie. Kurse pjesa tjetër është përdorur për shlyerjen e pjesshme të huasë që i kishte marrë shtetasit F.Sh.

Gurakuqi deklaroi ndër të tjera se ishte kujdesur që kontratat e huamarrjeve t’i lidhte me persona që i vlerësonte dhe që i besonin njëri-tjetrit, si dhe që kishin pasur dashamirësinë ta ndihmonin. Ai theksoi se kishte nënshkruar në kohë reale deklarata noteriale për marrjen e këtyre huave. Në vijim, subjekti pohoi se, nëse logjika ekonomike nuk ka qenë e fortë, si në rastin e investimit 75 mijë euro që e cilësoi si një dështim të plotë, kjo sillte pasojën që do ta kishte në kurriz gjithë jetën.

Subjekti argumentoi se i kishte bërë këto investime më së shumti që t’u siguronte fëmijëve një jetë më të mirë se ajo e tij.

Në vijim, KPK konstatoi se Gurakuqi kishte vendosur kolateral për një apartament që kishte shitur shoqëria ku ai dhe bashkëshorjta kishin investuar. I pyetur nga Komisioni për këtë rrethanë, ai sqaroi se shoqëria e kishte njoftuar se ishin në bisedime për të shitur një apartament, që nëse do të realizohej, ai dhe bashkëshortja do të merrnin pjesën e fitimit të dakordësuar në marrëveshjen e bashkëpunimit.

Gurakuqi sqaroi se ishte dakordësuar që ta vendoste kolateralin për pak kohë, deri në regjistrimin e apartamentit që do shitej dhe më pas të zëvendësohej kolaterali me atë pasuri. Ai theksoi se nuk e njihte blerësin dhe se ishte dakordësuar për të vendosur si kolateral një prej apartamenteve, vetëm me qëllim që të mund të siguronte pjesën e tij të fitimit nga ajo shitje për shkak të investimit të kryer.

Komisioni nuk ka gjetur probleme për një apartament në Elbasan të privatizuar nga prindërit në vitin 1993, si dhe për blerjen e një automjeti në vitin 2011 kundrejt çmimit 14, 555 euro.

Nga analiza financiare paraprake për gjithë periudhën e rivlerësimit ka rezultuar një bilanc negativ total në vlerën rreth 2.9 milionë lekë, që Gurakuqi e kundërshtoi me të njëjtat argumente, duke kërkuar që të konsiderohet huaja e marrë prej vjehrrës me burime të ligjshme si dhe të mos penalizohet për pasaktësitë në deklarimet e gjendjeve cash, për të cilat ritheksoi se edhe vetë KPK kishte konstatuar mundësi financiare për krijimin e tyre.

Në përfundim, Gurakuqi u shpreh se ndihej krenar për raportin pozitiv për pastërtinë e figurës dhe kërkoi konfirmin e tij në detyrë.

Komisioni njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më datë 28 prill, në orën 09:30.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *