Prokurorja e Lushnjes Natasha Prifti (Shallapi) para seancës në KPK. Foto:LSA
KP Lajme Vendi

Bazuar në rekomandimin e ONM-së, Komisioneri kërkon shkarkimin e prokurores Natasha Prifti

Komisioneri Publik Darjel Sina, bazuar dhe në rekomandimin e ONM-së, e konsideron të gabuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin e prokurores së Lushnjës, Natasha Prifti Shallapi dhe kërkon shkarkimin e saj nga detyra.

Prokurorja e Lushnjes Natasha Prifti (Shallapi) para seancës në KPK. Foto:LSA

Komisioneri Publik, Darjel Sina, bazuar në rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM kërkon ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK të konfirmimit në detyrë të prokurores së Lushnjës, Natasha Prifti Shallapi – si dhe shkarkimin e saj nga detyra.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 28 maj të konfirmojë në detyrë Shallapin duke i konsideruar mungesat financiare dhe deklarimet e pasakta për pasurinë jo penalizuese. Gjithashtu, KPK i vlerësoi të pabazuara informacionet e një raporti të dytë të DSIK-së për figurën dhe u bind se prokurorja Prifti është e “aftë” edhe për kriterin profesional. Komisioni u shpreh se e konfirmoi subjektin duke aplikuar parimin e proporcionalitetit lidhur me pamjaftueshmërinë financiare.

Ndryshe nga KPK, ONM vlerëson se vendimi për konfirmimin në detyrë të Priftit ka mangësi serioze logjike në pjesën arsyetuese dhe se është rezultat i një procesi rivlerësimi të papërshtatshëm dhe jo të saktë. ONM çmoi se një vlerësim i drejtë i kriterit të pasurisë në tërësinë e tij do të çonte në shkarkimin e prokurores Prifti.

Objekti i rekomandimit lidhet me rezultatet e dala nga hetimi administrativ në raport me përfundimet e arritura nga Komisioni për kursimet cash në vlerën 4 milionë lekë të deklaruara nga bashkëshorti i suvjektit.

Megjithëse Komisioni konstatoi pamundësi financiare për krijimin e kësaj shume, konsideroi faktin se mungesa e burimeve shtrihej në një periudhë të gjatë prej rreth 12 vitesh, nga të cilat 8 vite para se Prifti të emërohej si prokurore dhe se një pjesë ishte krijuar përpara bashkëjetesës. Duke arsyetuar se krijimi i kursimeve nuk mund të rridhte nga përfitime të paligjshmne për shkak të ushtrimit të detyrës së magjistratit nga subjekti, si dhe duke vlerësuar se kjo shumë nuk është përdorur për krijimin e ndonjë pasurie, KPK konkludoi se balanca negative nuk mund të ishte penalizuese.

Ndryshe nga sa arsyeton Komisioni, ONM vlerëson se kursimet e deklaruara në cash në vlerën 4 milionë lekë kanë shërbyer gjatë periudhës 2013-2016 si burim krijimi për dy depozita bankare, një në shumën 1.500 euro dhe një në vlerën 1.3 milionë lekë; për blerjen e një automjeti për çmimin 8400 euro dhe për kursime në bankë të subjektit të rivlerësimit në vlerën 1.7 milionë lekë. Gjithashtu, konstatohet edhe mungesa në shumën 1.6 milionë lekë për krijimin e kursimeve.

Komisioneri Sina vëren se deklarimet kontradiktore të subjektit lidhur me likuiditetet cash, krijojnë pamundësi në verifikimin e burimeve të ligjshme të pasurive të rrjedhura prej tyre dhe vlerëson se ajo ka kryer deklarim të pasaktë.

Gjithashtu, Sina mbështet ONM në konstatimin se kursimet në vlerën 4 milionë lekë kanë shërbyer për krijimin e pasurive të tjera gjatë martesës.

Komisioneri vlerëson ndryshe edhe për aplikimin e parimit të proporcionalitetit nga KPK me qëllim mosaplikimin e sanksionit shkarkues për Priftin lidhur me mungesat financiare.

“[…]referenca e Komisionit te parimi i “proporcionalitetit” për të justifikuar moszbatimin e nenit 61/3 të ligjit nr. 84/2016, në arsyetimin e vendimit lidhur me pamjaftueshmërinë e konstatuar, nuk gjen mbështetje në kuadrin kushtetues dhe ligjor. Nga analizimi i këtyre dispozitave (neni Ç, pika 2 e aneksit të Kushtetutës, neni 4/5 dhe 52/1, të ligjit nr. 84/2016), kuptohet se proporcionaliteti është një pjesë e tërësisë së parimeve, nga të cilat udhëhiqen institucionet e rivlerësimit dhe ai nuk mund të gjejë zbatim në mënyrë të shkëputur”, arsyton Sina dhe në fund të ankimit kërkon shkarkimin e prokurores Natasha Prifti Shallapi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *