Prokurori Çlirim Sino në KPA | Foto: nga LSA
Analiza KPK

KPK me dy mendime për analizën financiare të pasurisë që solli shkarkimin Çlirim Sinos

Anëtarët e trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK kanë dalë me dy mendime të ndryshme për mënyrën e rivlerësimit të prokurorit të Fierit, Çlirim Sino për pasurinë, megjithëse janë bashkuar në konkluzionin për shkarkimin e tij për mungesë të burimeve financiare. Ndërkohë, nuk janë gjetur probleme penalizuese në kriterin e figurës dhe për profesionalizmin.

Prokurori Çlirim Sino u shkarkua më 6 korrik 2022, nga trupa e KPK e kryesuar nga Genta Tafa (Bungo), me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtar Olsi Komici. Sino e nisi karierën në sistemin e drejtësisë si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai u emërua si prokuor në vitin 2005 dhe e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier prej më shumë se një dekade e gjysmë.

Vendimi i arsyetuar i Komisionit tregon se prokurori Sino arriti të justifikojë burimin e ligjshëm për pjesën më të madhe të pasurive që zotëron familja e tij. Ndërkohë, nga analiza e kryer prej KPK-së për një depozitë të krijuar nga bashkëshortja me të ardhura nga puna e saj si përmbaruese gjyqësore private dhe si notere, ka konkluduar pamundësi financiare në një vit në vlerën 2 milionë lekë, ç’ka solli penalizimin e prokurorit Sino.

Në mendimin paralel, Bungo ngre si problem moskryerjen e hetimit për destinacionin e një shume të disponuar nga bashkëshortja e subjektit në cilësinë e personit fizik, në vitin kur është konkluduar balanca negative. Megjithatë, Bungo shprehet se në gjendjen e akteve të hetimit administrativ, i është bashkuar shumicës në vendimin përfundimtar.

Balanca negative

Bashkëshortja e subjektit ka pasqyruar në deklaratën “veting” një depozitë në vlerën 43 mijë euro në cilësinë e personit fizik, por pa përshkruar burimin e saj. Nga shqyrtimi i deklarimit të vitit 2016, rezulton se subjekti ka deklaruar çeljen e kësaj depozite në atë vit, të krijuar nga 37 mijë e 371 euro të transferuara nga llogaria personale e bashkëshortes dhe 5197 euro të transferuara nga llogaria e personit fizik, po në të njëjtën bankë.

Nga dokumentacioni i administruar gjatë hetimit administrativ, ka rezultuar se depozita në vlerën 43 mijë euro është çelur në datën 23 dhjetor të vitit 2016. KPK konstaton se shuma 37 mijë e 371 euro rjedh nga konvertimi i vlerës 5.1 milionë lekë, të disponuar në llogarinë e bashkëshortes në dhjetor të 2015-ës, që është formuar nga depozitimet e disa shumave në vitet 2013 dhe 2015.

Shuma prej 5197 euro ka rezultuar se ka ardhur si pasojë e konvertimit të shumës 699 mijë lekë të gjendjes së disponuar në llogarinë bankare të personit fizik, të bashkëshortes së subjektit.

Komisioni ka konstatuar fillimisht balancë negative në shumën 2 milionë lekë për depozitimet e bashkëshortes në vitet 2011 dhe 2014 në llogarinë personale, me të ardhura nga aktiviteti i saj, që më pas kanë shërbyer për krijimin e depozitës në vlerën 43 mijë euro.

Prokurori Sino e ka kundërshtuar këtë rezultat të hetimit paraprak, duke shpjeguar se nga lëvizjet e llogarive bankare duket qartë që depozita e kursimit e krijuar prej bashkëshortes, ka si burim të ardhurat nga aktiviteti. Sipas tij, këto të ardhura që kanë kaluar në ekonominë familjare kanë qenë më të larta si pasojë e tërheqjes në 2013-ën të fitimit të atij viti dhe të vitit 2012, duke arritur në total në vlerën 4.7 milionë lekë. Sino ka këmbëngulur se kjo vlerë e mbulon depozitën 4 milionë lekë të çelur në llogarinë personale të bashkëshortes në vitin 2014.

Lidhur me një mungesë në shumën 119 mijë lekë në 2011-ën, subjekti ka kërkuar që të konsiderohet gjendja cash e vitit të kaluar.

Trupa e KPK ka pranuar kërkesën e subjektit për të konsideruar në krijimin e vlerës 4 milion lekë me të ardhurat nga aktiviteti bashkëshortes gjatë viteve 2012 dhe 2013, prej nga është përmbysur analiza financiare negative e vitit 2014. Komisioni ka konstatuar se të ardhurat në këtë periudhë janë vërtetuar edhe nga transfertat bankare për llogari të aktivitetit të bashkëshortes së subjektit si përmbaruese gjyqësore private.

Megjithëse Komisioni ka konkluduar mjaftueshmëri të burimeve të ligjshme për krijimin e depozitës, analiza e viteve të mëpasshme lidhur me destinacionin e të ardhurave nga aktiviteti i bashkëshortes, ka përkeqësuar bilancin financiar në vitin 2016.

Në vendim thuhet se në vitin 2016, subjekti ka shpjeguar dhe pretenduar se ishte zeruar zëri “debitorë të tjerë”, ku ishin të përfshira dhe të drejtat financiare të pritshme që kishte aktiviteti nga vetë bashkëshortja e subjektit. Duke u bazuar në këtë fakt, është konsideruar se një pjesë e marrë nga të ardhurat nga puna private e bashkëshortes në vitin 2013 që i kanë kaluar ekonomisë familjare, i janë kthyer pas aktivitetit të saj në vitin 2016. Për rrjedhojë është zvogëluar vlera që mund të kalohej prej aktivitetit në ekonominë familjare në vitin 2016 dhe duke krijuar balancë negative.

“Ky fakt tregon se në këtë vit (2016) shuma e marrë nga aktiviteti dhe e përdorur në vitin 2013 prej bashkëshortes, i është kthyer pas aktivitetit, nga bashkëshortja/familja e subjektit. Si pasojë e këtij veprimi, në vitin 2016, shuma e tërhequr prej bashkëshortes së subjektit nga të ardhurat e aktivitetit që ishte llogaritur më herët në masën 2.930.227 lekë, do të pakësohej me shumën e kthyer pas tek aktiviteti, duke zvogëluar disponibilitetin e shumës së kaluar në ekonominë familjare nga këto të ardhura, për vitin 2016, në masën 619.488 lekë – duke afektuar kështu analizën financiare të vitit 2016, i cili tashmë do të rezultonte me një balancë negative prej 2.044.199 lekësh”, argumenton Komisioni.

Sipas KPK, ndryshe nga konsiderimi në analizë i të ardhurave të pretenduara për vitin 2013, që rezultoi të ishin të provuara nga lëvizjet bankare për shkak të tipologjisë së aktivitetit së bashkëshortes si përmbaruese, në vitet e mëpasshme 2014-2016 kur ka punuar si notere, nuk janë të evidentuara qartësisht transaksionet e aktivitetit.

Komisioni vlerëson se bilancet e viteve përkatëse mbeten i vetmi dokumentacion zyrtar, mbi të cilin mund të analizohet dhe konkludohet për të ardhurat e aktivitetit të bashkëshortes së subjektit gjatë këtyre viteve. Bazuar në këto rrethana, KPK konkludon se subjekti ka mungesë të burimeve të ligjshme për vitin 2016 në masën 2 milionë lekë dhe se gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm. Sipas analizës financiare të përgjithshme për periudhën 2005-2016 janë konstatuar balanca negative edhe në dy vite të tjera, duke e rritur pamundësinë financiare në vlerën totale 3.2 milionë lekë.

Bungo në pakicë çmon se vlerësimi i disa fakteve duhet të ishte bërë ndryshe, me qëllim që hetimi të ishte më shterues. Ajo shprehet kundër konkluzionit të shumicës për balancën negative në vitin 2016 duke vërejtur se bashkëshortja e subjektit ka një disponibilitet neto si person fizik në vlerën 1,6 milionë lekë.

“Kjo shumë nuk rezulton të jetë përfshirë në analizë financiare, pasi nga verifikimi i dokumentacionit të administruar nga bankat e nivelit të dytë nuk rezulton të jetë depozituar dhe më pas tërhequr në asnjë prej këtyre bankave. Gjithashtu, kjo shumë nuk rezulton gjendje as në pasqyrat financiare të personit fizik për vitin pasardhës, duke mbetur i paqartë destinacioni final i kësaj shume”, konstaton Bungo.

Pakica vlerëson se, nëse kjo shumë do të përfshihej në analizë financiare, rezultati negativ për vitin 2016 do të ishte në një vlerë afërsisht 436 mijë lekë, që sipas saj, bazuar edhe në jurisprudencën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit duke aplikuar parimin e proporcionalitetit, nuk  përbën shkak për klasifikimin si deklarim i pamjaftueshëm.

“[…]Për sa kohë subjekti ka provuar të kundërtën e barrës së provës 1 të dërguar me rezultatet e hetimit administrativ, duke provuar që ai kishte të ardhura të ligjshme për depozitimet e kryera, të cilat kishin kontribuuar në krijimin e depozitës në shumën 43.000 euro, jam e mendimit që duhej të zgjerohej hetimi për të përcaktuar saktësisht destinacionin e shumës 1,607,897 lekë dhe me pas, në varësi të hetimit, t’i kalohej barra e provës subjektit për mungesë burimesh të ligjshme për vitin 2016, me qëllim ushtrimin e së drejtës së mbrojtjes nga ana e tij”, vlerëson Bungo.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *