Gjyqtari Arqile Basho i Gjykatës së Vlorës pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Arqile Basho kundërshton gjetjet e KPK me fabulën ‘çfarë uji i ke dhënë gomarit’

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i quan të paprovuara të ardhurat e pretenduara nga bujqësia si dhe ngriti dyshime për fshehjen e tre pronave nga gjyqtari i Gjykatës së Vlorës, Arqile Basho –ndërsa ky i fundit kërkoi një analizë të re financiare si dhe konfirmimin në detyrë.

Gjyqtari Arqile Basho i Gjykatës së Vlorës pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtari i Gjykatës së Vlorës, Arqile Basho u përball të enjten më 9 dhjetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku gjatë seancës dëgjimore që zgjati afro katër orë dha shpjegime për mungesat financiare, për dyshimet e ngritura për fshehje të pasurisë si dhe për një raport negativ për figurën. Procesi i vetingut për gjyqtarin Basho po kryhet nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Branko Hrvatin.

Arqile Basho e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 si ndihmës gjyqtar dhe në vitin 2000 është emëruar si gjyqtar. Ai e ka ushtruar funksionin në gjykatat e Tepelenës, të Gjirokastrës dhe prej vitit 2011 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Mungesat financiare

Komisioni ka gjetur mungesa financiare për krijimin e dy depozitave në vitin 2016, një në shumën 3.1 milionë lekë dhe tjetrën 1.4 milionë lekë.

Si burim krijimi për depozitat, Basho ka renditur një listë të gjatë të ardhurash të pretenduara gjatë viteve 1992-2016. Sipas relatores Pine, ai ka deklaruar si burim të ardhurat si emigrant në vitet 1991-1992; pagat në vite; pensionin e nënës, të ardhurat nga bujqësia e pemtaria; të ardhura nga një kontratë kundërshpërblimi për pemët; subvension për bujqësinë; si dhe të adhura nga puna e vajzës.

Komisioni ka konsideruar në analizën financiare paraprake të ardhurat nga pagat si ndihmës gjyqtar dhe gjyqtar në shumën totale 16 milionë lekë; ndërkohë që të ardhurat e tjera të pretenduara janë konsideruar si të padokumentuara.

Megjithëse është arritur të vërtetohet se e ëma është trajtuar me pension pleqërie, subjekti nuk ka depozituar dokumente që vërtetojnë masën e pensionit. Nuk janë konsideruar në analizë as të ardhurat nga bujqësia, pasi Basho ka pranuar se për periudhën 2004-2014 prodhimet nga pemtaria dhe bujqësia janë shitur në tregun informal. Pine sqaroi se bashkëshortja Bashos rezulton e regjistruar si fermere për periudhën 2015-2016.

“Komisioni vlerëson se pasja e tokës nuk provon të ardhurat bujqësore. Pretendimi i subjektit të rivlerësimit se nuk ka pasur legjislacion për formalizimin e këtij aktiviteti për periudhën 2004-2014 nuk qëndron,” vërejti relatorja Pine.

KPK nuk ka konsideruar si kursim dhe të ardhurat e pretenduara si të përfituara nga një grant për bujqësinë në shumën rreth 10 mijë USD, pasi është konsideruar se ato janë shpenzuar për investimin e kryer.

Lidhur me kundërshpërblimin e pretenduar si të përfituar për shkak të prishjes së një pemtoreje, KPK vëren se nuk mund të konsiderohen pasi toka ka qenë e vëllezërve të tij, megjithëse ata i kanë dhënë të drejtë përfaqësimi në këto marrëveshje. Po ashtu, sipas KPK nuk është arritur të provohen as të ardhurat e vajzës nga punësimi në vitet 2008-2009 në shumën totale 800 mijë lekë.

Nga analiza financiare paraprake është konstatuar pamundësi edhe për krijimin e depozitës 1.4 milionë lekë dhe për vitin 2016 ka rezultuar balancë negative në shumën 3.9 milionë lekë.

Basho u ndal gjatë në fjalën e tij lidhur me të ardhurat e pretenduara si të përfituara nga bujqësia, duke u shprehur se deklarimet e tij ishin paragjykuar prej ILDKPKI. Për të ilustruar mënyrën e tij të jetesës, ai tregoi pas viteve ’90 ishte larguar në emigrim për të siguruar “bukën e gojës” dhe pasi kishte punuar për dy vjet, ishte kthyer për të realizuar ëndrrën e tij për arsimim.

Ai sqaroi se pasi kishte studiuar për jurispudencë kishte filluar punë si ndihmës gjyqtar e më pas si gjyqtar, por pa mundur të shkëputej dot nga fshati.

“Në fakt donim të largoheshim nga fshati që t’u jepnin mundësi më të mirë fëmijëve dhe ti arsimonim, por dështuam në këtë pikë. Nuk kam mundur të iki nga fshati, jo se nuk doja,” pohoi Basho dhe sqaroi se bashkëshortja ishte e paarsimuar dhe për këtë arsye vendosën që tokat bujqësore që ishin përfituar nga ligji “Për tokën”, t’i mbillnin lajthi.

Basho pohoi se ka deklaruar rregullisht që prej vitit 2004 të ardhurat nga bujqësia dhe theksoi se ndihej i paragjykuar nga ILDKPKI dhe për faktin se ky institucion e kishte gjobitur me 300 mijë lekë gjobë përse kishte vazhduar të deklaronte të ardhura prej këtij aktiviteti gjatë periudhës 2017-2020.

“Më kujton atë fabulën ‘çfarë uji i ke dhënë gomarit’,” u shpreh Basho lidhur me deklarimet e të ardhurave nga bujqësia.

Ai kërkoi që këto të ardhura të mos vlerësohen si të përfituara nga një aktivitet tregtar, por sipas legjislacionit që përcakton të ardhurat e familjes bujqësore. Basho këmbënguli se nëse do të përfshihen të ardhurat nga bujqësia, atëherë balanca do të rezultonte pozitive.

“Dhe nëse konsiderohen sipas prezumimeve të INSTAT do të rezultoj me balancë pozitive,” tha Basho.

Subjekti kërkoi që të konsiderohej dhe vlera e përfituar nga subvencionimi, duke argumetuar se shuma rreth 10 mijë USD ishte kryer pas investimit dhe ishte kursyer. Ndërkohë, ai pretendoi se investimi ishte kryer nga puna e anëtarëve të familjes. Basho pretendoi se kishte përfituar dhe kundërshpërblimin e pretenduar, pasi pemët që ishin shkatërruar për ndërtimin  kishin qenë të tijat dhe jo të vëllezërve.

Basho deklaroi se me të ardhurat nga emigracioni pas viteve ’90 kishte kryer përmirësime në shtëpinë në fshat dhe për rrjedhojë kishte mundur të kursente në vitet në vijim. Gjithashtu, ai pretendoi se kishte dorëzuar një deklaratë të shoqërisë ku kishte punuar e bija dhe se nuk kishte qenë detyrimi i saj për të paguar kontributet.

Për një autoveturë tip BMW të blerë në 2013-ën nga djali i subjektit kundrejt shumës 15 mijë euro, janë deklaruar si burim krijimi kursimet familjare. Relatorja Pine tha se ka rezultuar mospërputhje mes çmimit në kontratën e shitblerjes ku rezulton 15 mijë euro, me atë të deklaruar nga Basho në shumën 16 mijë euro, si dhe balancë negative në vlerën 1 milion e 352 mijë lekë.

Basho deklaroi se djali i kishte treguar atëherë se veç vlerës 15 mijë euro, kishte paguar dhe 1000 euro për doganën dhe se për këtë arsye kishte deklaruar shumën reale të shpenzuar 16 mijë euro. Për burimin ai kërkoi që të konsiderohen të ardhurat nga bujqësia.

Ndërkohë, Komisioni i ka kaluar Bashos barrën e provës dhe për mosdeklarimin e mënyrës së kalimit të të drejtave mbi shtëpinë në fshatin Andon Poçi në Gjirokastër të ndërtuar nga prindërit në vitin 1956 si dhe për mosprovimin me dokumente të burimit të krijimit të tokës bujqësore të përfituar nga ligji “Për tokën”.

Basho deklaroi se regjistrimi i banesës në emër të tij ishte kryer nga ish-komuna në vitin 1995 sipas një vendimi qeverie të kohës dhe jo me kërkesë të tij. Për token, ai tha se e kanë fituar falas nga shteti për shkak të ligjit “Për tokën”.

Dyshime për pasuri të fshehura

Komisioni ngre dyshime se një magazinë në një fshat të Tiranës, një sipërfaqe trualli dhe tokë arë që janë blerë dhe investuar në vitin 2011 nga vajza dhe ish-bashkëshorti i saj i ndjerë mund të jenë pronë e fshehur e subjektit të rivlerësimit. Relatorja Pine sqaroi se nga hetimi ka rezultuar se gjyqtari Basho ka kryer pagesat e detyrimeve për kalimin në pronësi, ndërkohë që vajza dhe bashkëshorti i saj kanë jetuar jashtë shtetit në Greqi. “Duket se subjekti i rivlerësimit është përpjekur të fshehë pasurinë në emër të vajzës madhore,” pohoi Pine.

Komisioni ngre dyshime dhe për marrëdhënie të gjyqtarit Basho në dy apartamente, një në Tiranë dhe tjetrin në Vlorë, ku në të parin rri me qira i biri, kurse tjetri përdoret nga subjekti i rivlerësimit. Sipas relatores, megjithëse apartamentet janë porositur vite më parë prej pronarëve de jure, ata jetojnë jashtë shtetit dhe nuk i kanë përdorur si dhe nuk i kanë regjistruar në emrin e tyre – ndërkohë që Basho ka deklaruar shpenzime të konsiderueshme për qiranë në vite. Pine u shpreh se janë ngritur dyshime se pronari de facto mund të jetë subjekti i rivlerësimit dhe i është kaluar barra e provës për të provuar burimin e këtyre pasurive.

Basho theksoi se fakti se si vajza e tij, ashtu dhe pronarët e apartamenteve të marrë me qira jetojnë dhe punojnë jashtë shtetit, tregojnë se kanë pasur të ardhura për krijimin e këtyre investimeve. Ai deklaroi se pagesat për detyrimet e regjistrimit të pasurive të vajzës i kishte kryer pasi ajo dhe bashkëshorti do ta kishin të vështirë të orientoheshin në Tiranë.

Subjekti sqaroi se ishte e provuar se pasuritë janë blerë prej vajzës dhe ish-dhëndrit të ndjerë dhe se aty kanë qenë të punësuar ata. Ai shtoi se djali ishte punësuar për të ndihmuar motrën pasi mbeti e ve dhe se vazhdonte të punonte aty, pasi vajza e madhe ishte larguar jashtë shtetit së bashku me fëmijët pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit.

Sipas Bashos, pronarët e apartamenteve që kanë me qira janë banorë të qyteteve ku kanë blerë këto pasuri dhe sipas tij ‘është logjike që ata të blejnë një pasuri në qytetin e tyre, ndërkohë që janë në emigrim’. Ai shtoi se kishte siguruar dokumente që vërtetonin se pasuritë ishin të regjistruar në emër të pronarëve.

Në vijim, KPK konstatoi se Basho nuk ka arritur të provojë burimin e një depozite në shumën 23 mijë euro në emër të vajzës tjetër që jeton së bashku me bashkëshortin në Gjermani, që subjekti e ka deklaruar në vitin 2018. Basho tha se për të siguruar dokumentacionin për të ardhurat e tyre, vajza dhe bashkëshorti duhet të paguajnë rreth 1350 euro dhe për këtë arsye nuk u ka kërkuar që të shpenzojnë.

Raporti negativ për figurën

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka dorëzuar raport negativ për gjyqtarin Arqile Basho për shkak të mosdeklarimit të një procedimi penal të vitit 2015 për shpërdorim detyre. Pine sqaroi se procedimi është regjistruar nga Prokuroria e Vlorës, e cila më pas e ka transferuar për kompetencë në Fier, ku çështja është pushuar brenda vitit 2015. Bazuar në këtë konstatim të DSIK-së, KPK i ka kaluar subjektit barrën e provës lidhur me mosdeklarimin e procedimit penal.

Gjyqtari Basho shpjegoi se në deklaratën ‘veting’ ai kishte pasqyruar faktin se kishte qenë disa herë i kallëzuar për shkak të detyrës që ushtron dhe se në të gjitha rastet ishte vendosur mosfillimi ose pushimi çështjes.

Në fund të seancës, gjyqtari Basho kërkoi rikryerjen e analizës financare sipas provave dhe shpjegime të dorëzuara, riçeljen e hetimit për kriterin profesional dhe konfirmimin e tij në detyrë. Kryesuesi Komici sqaroi se seanca për shpalljen e vendimit do të njoftohet në faqen zyrtare të KPK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *