Në këtë foto arkivë, gjyqtari Shkëlqim Miri po flet për gazetarët pasi fitoi postin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë më 7 dhjetor 2007. Foto: Gent Shkullaku, LSA
Korrupsioni KP Lajme Vendi

Mbyllja e vetingut për Shkëlqim Mirin shkon në Kolegj

Komisioneri Publik, Darjel Sina thekson se KPK ka dhënë arsyetime të ndryshme në dy çështje të ngjashme dhe kërkon ndërhyrjen e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Në këtë foto arkivë, gjyqtari Shkëlqim Miri po flet për gazetarët pasi fitoi postin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë më 7 dhjetor 2007. Foto: Gent Shkullaku, LSA

Komisioneri Publik, Darjel Sina ankimoi të hënën vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për ish-gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Shkëlqim Miri – i dënuar me 2 vjet burg për korrupsion.

Në ankimin e tij ‘procedurial’, Sina mori si shembull një arsyetim të ndryshëm të KPK-së në vendimin ndaj gjyqtarit Ibrahim Hoxha- edhe ky i dënuar me 2 vjet burg për korrupsion.

Shkëlqim Miri u arrestua në nëntor 2017, ndërsa iu kapën afro 33 milionë lekë para të thata në shtëpi. Ai u dënua më pas për “korrupsion pasiv” në favor të një personi të dënuar për vrasje.

KPK e ndërpreu procesin e vetingut për Mirin më 23 prill, pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi më parë ta shkarkojë atë nga detyra për shkak të dënimit të formës së prerë me dy vjet burg. Sipas Komisionit, shkarkimi nga KLGJ ka sjellë edhe përfundimin e statusit të magjistratit për Mirin dhe për rrjedhojë vendosi ndërprerjen e procesit të rivlerësimit.

Në ankimin e tij, Komisioneri Publik argumenton se në rastin e Hoxhës, KPK e mbylli procesin e rivlerësimit pa vendim, ndërsa në rastin e Mirit vendosi ndërprerjen e procesit. Në këtë pikë, Sina kërkon ndërhyrjen e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për të standardizuar praktikën ligjore për raste të ngjashme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *