Rivlerësimi i Selami Zalli | Foto : Edmond Hoxhaj
KPK Lajme Vendi

KPK vendos ndalim 15-vjeçar për ish-ndihmësin ligjor

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të ndëpresë procesin e rivlerësimit për ish-ndihmësin ligjor, Selami Zalli dhe i ndaloi atij rikthimin në sistemin e drejtësisë gjatë 15-viteve të ardhshme.

Rivlerësimi i Selami Zalli | Foto : Edmond Hoxhaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të enjten vendimin lidhur me procesin e rivlerësimit për ish-ndihmësin ligjor të Gjykatës së Lartë, Selami Zalli, duke mos e pranuar kërkesën e këtij të fundit për pushimin e hetimit administrativ me pretendimin se ishte larguar nga detyra katër vite e gjysmë më pare, brenda afatit tre mujor që sillte shmangien e vetingut. Zalli nuk ishte i pranishëm në seancën e shpalljes së vendimit.

Kryesuesja e trupës së KPK, Suela Zhegu njoftoi se është vendosur ndëprerja e rivlerësimit për ish-ndihmësin ligjor Selami Zalli, si dhe ndalimi i rikthimit të tij në sistemin e drejtësisë në pozicione që kërkojnë statusin e magjistratit, gjatë 15 viteve të ardhshme.

Selami Zalli ka punuar si ndihmës ligjor pranë Gjykatës së Lartë për periudhën 2009-2017 dhe në mars të 2017-ës është liruar nga detyra me kërkesë të paraqitur prej tij. Megjithatë, në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve ka rezultuar se ka qenë në detyrë duke gëzuar statusin magjistratit dhe për rrjedhojë ka kryer deklarimet përkatëse për të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Zalli nuk ishte i pranishëm as në seancën dëgjimore të mërkurën më 22 dhjetor, kur relatori Olsi Komici bëri me dije se subjekti kishte paraqitur kërkesë për pushimin e procesit të vetingut të filluar ndaj tij.

Sipas Zallit, ai nuk është në kushtet e heqjes dorë nga detyra sipas Aneksit të Kushtetutës, si dhe nuk e gëzon më statusin e magjistratit pasi pozicioni i ndihmësit ligjor nuk ekziston më.

Relatori Komici sqaroi gjatë seancës dëgjimore se Zalli nuk e ka kryer kërkesën për lirim sipas ligjit, pasi nuk ia ka drejtuar Presidentit të Republikës dhe për rrjedhojë vijon të jetë subjekt rivlerësimi.

Komisioni ka konstatuar se ky subjekt vijon të gjendet në kushtet e parashikuara në nenin G të Anksit të Kushtetutës, ku në rastet e dorëheqjes nga detyra përcaktohet të vendoset dhe ndalimi i emërimit në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Bazuar në këto konstatime për të cilat Zallit i është kaluar barra e provës, u vendos ndëprerja e procesit të vetingut dhe sanksioni përkatës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *