Gjyqtarja Matilda Llangozi e Gjykatës së Beratit pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Vladimir Karaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Gjyqtarja Matilda Llangozi përballet me vetingun

Gjyqtarja e Beratit, Matilda Llangozi u përball në KPK me pyetje për disa pasaktësi në deklarimet e pasurisë. Gjyqtarja vlerësoi hetimin dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Gjyqtarja Matilda Llangozi e Gjykatës së Beratit pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Vladimir Karaj.

Gjyqtarja Matilda Llangozi u përball të premten në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me disa pyetje të ngritura mbi pasaktësi në deklarimet e pasurisë, por siç u relatua i ishte kaluar barrë prove vetëm për një bilanc negativ prej rreth 270 mijë lekësh.

Ndaj Llangozit u lexua po ashtu një raport negativ prej DSIK-së, por që u rrëzua nga vetë KPK si i pabazuar në prova.

Gjyqtarja Matilda Llangozi tha në seancë se vlerësonte hetimin e Komisionit dhe u ndal shkurt në pak sqarime mbi pasurinë. Ajo tha se raporti i DSIK-së ishte i bazuar vetëm në fjalë dhe se ishte tendencioz ndaj saj.

Matilda Llangozi i përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2012. Pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, Llangozi u emërua në janar 2014 në Gjykatën e Beratit, ku vazhdon ta kryejë funksionin edhe aktualisht.

Procesi i saj i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Firdes Shuli kryesuese, Roland Ilia relator dhe Etleda Çiftja anëtare.

Hetimi i pasurisë

Relatori Roland Ilia vuri në dukje se hetimi i pasurisë ishte fokusuar te një kontratë shkëmbimi e një apartamenti 79 metra katror me vlerë 3.9 milion lekë, me një tjetër me sipërfaqe 136 metra katrorë. Diferenca në çmim prej 7 milionë lekësh ishte paguar me kredi bankare.

Ilia tha se ishin kërkuar shpjegime nga gjyqtarja në lidhje me mosdeklarimin në kontratën e shkëmbimit të çmimit të plotë të apartamentit të ri. Llangozi sipas relatorit kishte këmbëngulur se kontrata e shkëmbimit ishte vetëm për këtë proces dhe se për të mbuluar diferencën kishte një kontratë noteriale.

Ilia tha se kredia e marrë ishte përdorur për apartamentin, por theksoi se ajo ishte shlyer e plotë në vitin 2016 dhe se nga analiza financiare rezultonte se Llangozi dhe bashkëshorti nuk kishin pasur mundësi për këtë pagesë në shumën prej 250 mijë lekësh.

Vetë gjyqtarja pranoi se mund të kishte një diferencë negative. Ajo tha në seancë se kjo nuk duhej të konsiderohej problematike prej Komisionit, ndërsa tha se ata kishin pasur mundësi për të mbuluar shumën për shkak të punës së bashkëshortit dhe xhiros ditore.

KPK tha se kishte hetuar pasuritë e vjehrrit nisur nga një denoncim dhe i kishte kërkuar shpjegime subjektit, por nuk vuri në dukje probleme. Ilia tha se nga hetimet kishte rezultuar se bashkëshorti i gjyqtares kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për të ngritur biznesin dhe rezultoi me tepricë nga analiza.

Në seancë u përmend se gjyqtarja kishte një biznes me status aktiv si zyrë juridike, por që pas hetimit rezultoi se ajo nuk e kishte ushtruar aktivitetin e avokates që pas fillimit të shkollës së Magjistraturës në vitin 2010.

Komisioni po ashtu tha se kishte gjetur një bilanc negativ prej 25 mijë lekësh në blerjen e një toke arë. Llangozi këmbënguli se diferenca mbulohej, por theksoi se ishte dakord me analizën financiare nga KPK.

Figura dhe denoncimet

Ilia vuri në dukje se DSIK kishte sjellë një raport negativ për Llangozin, i cili u rrëzua më pas si i pabazuar në prova.

Relatori Ilia tha se pas verifikimit të pretendimeve të ngritura në raport nuk kishte rezultuar asnjë indicie dhe asnjë provë që mund të çonte në një klasifikim të tillë.

Vetë Llangozi tha se raporti i DSIK kishte vetëm fjalë dhe se ajo kishte kryer detyrën me integritet.

Ilia tha gjithashtu në seancë se bashkëshorti i gjyqtares ishte arrestuar me akuzën e kontrabandës së ilaçeve disa vite më parë, por se pas hetimeve, prokuroria kishte pushuar çështjen ndaj tij dhe Gjykata e Tiranës kishte pranuar kërkesën për pushimin e hetimeve. Llangozi sipas Ilias kishte thënë në shpjegime se arrestimi ishte keqtrasmetuar në media, ndërsa solli si provë hetimet nga prokuroria dhe vendimin e pushimit.

Përveç këtij raporti, gjyqtarja u përball edhe me 9 denoncime, por siç u lexua në seancë, pjesa më e madhe e tyre ishin për një grup gjyqtarësh dhe prokurorësh apo zyrtarësh dhe në to nuk u gjetën shkelje nga ana e subjektit.

Ilia lexoi një listë të gjatë me çështje që ishin denoncuar dhe pasi theksoi se në të gjitha rastet vendimet e gjyqtares kishin marrë formë të prerë, u tha se në to nuk ishin gjetur probleme.

Llangozi ra dakord me vlerësimin mbi kriterin e profesionalizmit dhe theksoi se nuk do të zgjatej në shpjegime përveç atyre të përcjella me shkrim.

Gjyqtarja kërkoi në fund që të konfirmohej në detyrë. Seanca u caktua më 14 dhjetor në orën 9.00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *