KLP shqyrton me dyer të mbyllura kandidaturat në SPAK
Lajme

KLP shqyrton me dyer të mbyllura kandidaturat në SPAK

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi me dyer të mbyllyra intervistat për prokurorët kandidatë në SPAK, duke vendosur një tjetër rekord negativ për transparencën e institucioneve të reja të drejtësisë.  

Mbledhja e KLP-së | Foto : Edmond Hoxhaj

Tre kandidatë për dy vende vakante në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsonit dhe Krimit të Organizuar, SPAK prezantuan të premten para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP, eksperiencën dhe vizionin e tyre për të ardhmen.

Megjithëse mediet u lejuan të ishin të pranishme kur prokurorët Sonila Muhametaj, Alfred Shehu dhe  Elvin Gokaj prezantuan eksperiencat e tyre, gazetarët u nxorrën jashtë gjatë intervistimit të kandidatëve nga KLP.

Kryetari i KLP, Gent Ibrahimi sqaroi se Këshilli kishte marrë vendim që përfaqësuesit e medieve të mos lejoheshin gjatë intervistimit të kandidatëve, pasi mund të evidentoheshin të dhëna personale të individëve që mund të përmenden, apo sekrete shtetërore. Ai u shpreh se regjistrimi audio i seancave të intervistimit të kandidatëve do të publikohej i redaktuar në faqen online të KLP-së brenda 24 orëve.

Megjithëse Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi pas krijimit të tij që bazuar në nenin 23 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë që mbledhjet plenare të ishin të hapura për publikun, me një vendimarrje të 22 shkurtit 2019 mbylli dyert për mediet dhe publikun duke u justifikuar me ruajtjen e privatësisë së të dhënave të subjekteve.

Duke iu referuar një shkrimi që BIRN publikoi 17 nëntor lidhur me cënimin e transparencës nga ana e KLP-së me praktikën e mbylljes për publikun të mbledhjeve plenare, këshilli njoftoi më 19 nëntor se gazetarët do të lejoheshin pasi të kryenin kërkesë për akreditim.

Por, pavarësisht këtij njoftimi, gazetarët e pranishëm të akredituar, u lejuan vetëm pjesërisht në mbledhjen e 10 dhjetorit, të premten.

Më datë 4 tetor, KLP shpalli dy vende vakante për në SPAK. Ndërkohë, pikëzimi i tre kandidatëve do të kryhet më datë 13 dhjetor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *