Monitori i vendosur në korridorin e KPA-së, për të ndjekuar seancat gjyqësore
KPA Lajme Veting

KPA mbyll shqyrtimin gjyqësor për ankimin e Dhurata Haverit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të premten më 4 mars të pranojë si provë dëshminë e të afërmit të gjyqtares së ish-Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Dhurata Haveri dhe dokumentet e dorëzua prej tij; refuzoi administrimin e disa dokumenteve të dorëzuara më parë prej subjektit; si dhe i dha fund shqyrtimit gjyqësor duke u tërhequr për të marrë vendim lidhur me ankimin e këtij subjekti rivlerësimi.

Dhurata Haveri u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 29 shtator 2019, pasi u konstatua mungesë e burimeve të ligjshme për një numër asetesh të deklaruara dhe se kishte kryer deklarim të rremë për kostot e shkollimit të vajzës. Vendimi i Komisionit u ankimua nga Haveri, e cila ndër të tjera kërkoi në KPA që të administrohej si provë dëshmia e një të afërmi për një hua që kishte marrë prej tij.

Pasi Kolegji e shqyrtoi ankimin në dhomë këshillimi, vendosi ta vijojë gjykimin në seancë publike për të korrigjuar një mangësi të kryer gjatë hetimit administrativ në KPK. Kryesuesi i trupit gjykues të Kolegjit, Sokol Çomo sqaroi në seancën e parë publike më 18 shkurt se KPK nuk kishte asnjë vendimarrje lidhur me kërkesën e subjektit për pyetjen e huadhënësit në cilësinë e dëshmitarit, as për pranim dhe as për mospranim.

Dëshmitari Vildan Volumi, prej të cilit Haveri ka pretenduar në Komision se ka marrë një hua në shumën 5 milionë lekë në vitin 2011, që ka shërbyer për blerjen e një apartamenti në Shkodër po atë vit, paraqiti në seancën e 18 shkurtit deklarimet e tij, si dhe prova me të cilat pretendonte të provonte të burimin e të ardhurave.

Volumi rrëfeu formimin profesional si inxhinier topograf, profesion që sipas tij e kishte ushtruar prej vitit 1979 kur ishte diplomuar pranë Fakultetit të Inxhinerisë së Ndërtimit në Tiranë. Ai deklaroi se kishte qenë gjatë gjithë kohës i punësuar në institucione shtetërore, derisa në vitin 1996 kishte vendosur së bashku me dy kolegë të regjistronin një shoqëri private që ofronte shërbime në fushën e topografisë.

Sipas Volumit, ai ishte kontraktuar me kohë të pjesshme në projekte të financuara nga USAID dhe Bashkimi Evropian gjatë periudhës 1994-1996, prej nga pretendoi se kishte siguruar të ardhura të kënaqshme; se kishte punuar dhe pas mbylljes së aktivitetit privat në institucione shtetërore dhe se kishte përfituar një vlerë të konsiderueshme si kundërshpërblim për largim të padrejtë nga puna. Ai këmbënguli se kishte pasur mundësi për dhënien e huasë.

Çomo deklaroi të premten se kishin vendosur të administronin dëshminë Volumit dhe dokumentet e dorëzuara prej tij si prova për të vërtetuar të ardhurat.

Në vijim Kolegji konstatoi një gjetje të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM për të cilën u tha se i ishte njohur palës ankimuese, por nuk nuk u dhanë detaje se çfarë trajtohej.

Gjatë paraqitjes së qëndrimit të subjektit lidhur me këtë gjetje të ONM-së, u kuptua se kishte të bënte me dëshmitarin Vildan Volumi. Përfaqësuesja ligjore e gjyqtares Haveri, avokatja Romina Zano evidentoi formimin arsimor dhe kontributin profesional të dëshmitarit, si dhe moshën e tij të thyer duke theksuar se besueshmëria e tij nuk mund të ishte e kontestueshme.

Zano solli në vëmendje informalitetin në periudhën kur Volumi kishte ushtruar aktivitetin e tij privat si dhe faktin se ai nuk kishte qenë ndonjëherë subjekt deklarues që të duhej të ruante dokumentacionin për të ardhurat, jashtë parashikimeve ligjore. Ajo deklaroi se Volumi kishte qenë një person i rëndësishëm për shoqërinë pasi ai kryente veprimtarinë teknike. Sipas Zanos, sistemi hartografik për Shkodrën dhe zona të tjera ishte mundësuar vetëm prej punës së Volumit.

Por, Zano u shpreh se gjendeshin në kushtet e pamundësisë objektive për të siguruar dokumentacionet që vërtetonin pagesën e detyrimeve për të gjitha të ardhurat, pasi sipas saj nuk i disponojnë as institucionet shtetërore përkatese.

Duke ju referuar legjislacionit të Kohës, Zano argumentoi se në atë periudhë deklarimet kryheshin me shkrim. Sipas saj, fakti që dëshimtari ka disponuar kursime të konsiderueshme në bankë tregon se ai i ka disponuar edhe pas tërheqjes në shtëpi, pasi nuk ka kryer shpenzime. “Nuk ka vend për të diskutuar besueshmërinë e këtij dëshmitari”, theksoi Zano.

KPA vendosi të administrojë në funksion të shqyrtimit gjetjen e ONM-së dhe qëndrimin me shkrim të subjektit të rivlerësimit. Ndërkohë, nuk u pranua pjesa më e madhe e dokumenteve të dorëzuara nga Haveri gjatë shqyrtimit të çështjes në dhomë këshillimi në muajt tetor dhe dhjetor 2021, pasi u konsideruan se nuk ishin dorëzuar në përputhje me dispozitat përkatëse. Çomo argumentoi se subjekti ka të drejtë të dorëzojë prova të reja kur arrin të provojë se ka qenë e pamundur të depozitoheshin gjatë shqyrtimit në KPK ose së bashku me ankimin. Ndërkohë, u pranua një vendim i KLGJ-së I dorëzuar së bashku me ankimin, për përmbajtjen e të cilit nuk u dhanë sqarime.

Në vijim KPA vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor dhe i kërkoi subjektit të paraqesë konkluzionet përfundimtare. Avokatja Zano në mënyrë të përmbledhur kërkoi që pas shqyrtimit të provave të administruara të prishet vendimi i Komisionit dhe të riçelet hetimi administrativ për dy kriteret e tjerë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Ajo paraqiti si kërkim altrenativ konfirmimin në detyrë të gjyqtares Dhurata Haveri.

Në vijim, gjyqtarja Dhurata Haveri deklaroi se ndihej e lënduar nga vendimarrja e Komisionit dhe renditi përvojat e saj profesionale në sistemin gjyqësor, si pedagoge dhe kryetare e Komisionit të Sigurisë së Gjyqtarëve. “Qëllimi im ka qenë gjithmonë dhënia e drejtësisë”, pohoi ajo dhe vërejti se e bënte të ndihej mirë fakti se në 30 vite që ushtronte profesionin e gjyqtares nuk kishte pasur ankesa ndaj saj.

Kolegji vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor dhe shtyu seancën për shpalljen e vendimit më 15 mars, në orën 09:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *