Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

“Piruetat” me një kredi të butë dhe pasuria e të vëllait rrezikojnë gjyqtarin Metalla

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti një seri transaksionesh fiktive të gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Ervin Metalla me qëllim përfitimin e padrejtë të një kredie të butë. Gjyqtari refuzoi gjithashtu të merrte përsipër barrën e provës për të vëllanë-i cili zotëron dy apartamente dhe 101 mijë euro bono thesari.

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Ervin Metalla pas përfundimit të seancës dëgjimore në KPK. Foto:LSA

Një seri transaksionesh të kryera për blerjen e një apartamenti dhe një garazhi në vitin 2007 në Tiranë i kushtuan më shumë se një orë shpjegime gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Ervin Metalla-pirueta këto që sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kishin për qëllim përfitimin e padrejtë të një kredie lehtësuese.

Metalla, i cili ka drejtuar Gjykatën e Durrësit dhe prej vitit 2013 është gjyqtar i Apelit të Tiranës, u përpoq më kot të argumentonte të kundërtën përballë trupës gjykuese që drejtohej nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Etleda Çiftja.

Procesi i rivlerësimit për gjyqtarin Metalla nisi fillimisht për të tria kriteret e rivlerësimit, por Komisioni e pa të mjaftueshme ta mbyllte atë vetëm për kriterin e pasurisë.

Sipas relatores Xhensila Pine, gjyqtari Metalla ka blerë një apartament 96.8 metra katrorë dhe një garazh 22 metra katrorë në vitin 2007 në Tiranë, me burim një kredi bankare të marrë në Alfa Bank. Pasuria ishte me vlerë 55 mijë euro, por në kontratën e kredisë është shënuar 75 mijë euro “në kundërshtim me kushtet e kredisë ku subjekti duhet të financojë vetë 30 për qind të shumës”.

Pasi ka paguar këstet e kredisë për gati 4 vite, gjyqtari Metalla në vitin 2011 ia ka kaluar kredinë bashkë me pronësinë e apartamentit të vëllait, ndërkohë që vazhdonte të banonte vetë aty. Sipas relatores së çështjes, subjekti i rivlerësimit i ka kryer këto veprime me qëllim përfitimin e një kredie me kushte lehtësuese nga BKT, “kredi të cilën nuk mund ta përfitonte pasi kishte ndërkohë një shtëpi dhe një kredi tregtare”.

Kredia lehtësuese financohet nga buxheti i shtetit dhe përfitohet përmes kritereve të mirëpërcaktuara. Njëra prej këtyre kritereve është financimi i apartamentit në qytetin ku ushtrohet detyra, kusht i cili duket se i ka krijuar andralla shtesë gjyqtarit Metalla.

Hetimi administrativ ka zbuluar se kredia lehtësuese është disbursuar në llogarinë e një kompanie private ndërtimi dhe është shoqëruar me një kontratë porosie për një apartament në Durrës. Në vitin 2012, kompania e ndërtimit i ka kthyer mbrapsht paratë në vlerën e 4.9 milionë lekëve përmes llogarisë bankare të babait të subjektit të rivlerësimit.

Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, subjekti nuk ka deklaruar në vitin përkatës shumën prej 4.9 milionë lekësh dhe as kalimin e saj në llogarinë bankare të babait të tij.

“Subjekti i rivlerësimit ka ndryshuar destinacionin e kredisë lehtësuese në kundërshtim me kriterin e strehimit vetëm në vendin e punës. Ai ka aplikuar në mënyrë të pasaktë dhe ka përfituar në mënyrë të padrejtë kredinë lehtësuese, e cila financohet nga buxheti i shtetit,” tha relatorja Pine.

Për shkak të transaksionit të kredisë me të vëllanë Eugen Metalla si dhe shitjes së një makine te subjekti i rivlerësimit, KPK ka verifikuar edhe pasuritë e vëllait në cilësinë e personit të lidhur; një apartament 55.8 metra katrorë në Tiranë me vlerë 44 mijë euro, një apartament i dytë me vlerë 13 500 euro si dhe investime në vlerën e 101 mijë eurove në bono thesari për vitet 2013-2016.

Si në komunikimin e mëparshëm me KPK-në ashtu edhe në seancën dëgjimore, gjyqtari Metalla refuzoi të merrte përsipër barrën e provës për pasuritë e të vëllait, duke pretenduar se “nuk ishte person i lidhur” dhe se nuk kishte asnjë lidhje me pasuritë e tij.

Relatorja Pine tha se kjo kërkesë e gjyqtarit ishte duke u shqyrtuar nga Komisioni.

Përveç problemeve të mësipërme, Metalla u akuzua se nuk kishte deklaruar pagesën e një kësti prej 1.5 milionë lekësh; se kontrata me kompaninë ndërtuese të apartamentit në Tiranë ishte lidhur në kohën kur kjo e fundit kishte status të pezulluar dhe se në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, gjyqtari kishte përfaqësuar me prokurë një çështje në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjyqtari Metalla, i cili preferoi të mbronte veten para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i shtoi detaje të tjera “pikante” problemeve të konstatuara nga relatorja.

“Ironikisht duket sikur unë i kam ndërtuar një kurth vetes sime për të përfituar kredinë lehtësuese,” tha Metalla, ndërsa këmbëguli fillimisht të fliste në këmbë.

“Mendoni për një moment sikur kjo kredi të mos ishte marrë, unë do të kisha të njëjtin apartament në “Qytetin Studenti” që kam edhe sot,” shtoi ai më tej.

Gjyqtari Metalla u zgjat në shpjegimin se kërkesën për kredinë e butë e kishte bërë që në vitin 2006 dhe ia kishte dërguar zv.kryetarit të KLD-së, kryeministrit dhe për dijeni Ministrit të Drejtësisë, por në përpjekjen për ta dokumentuar atë, kishte mundur ta gjente vetëm në arkivën elektronike personale.

“Ministria e Drejtësisë nuk e mohon ekzistencën e kërkesës, por shpreh rezerva për mënyrën se si mbahej protokolli në atë kohë. Gjykata e Lartë, në kushtet kur drejtues ka qenë dikush tjetër nuk ka informacion,” tha Metalla, i cili shtoi se gjurmë të kësaj korrespondence gjendeshin mes Gjykatës së Durrësit dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Ai shtoi se nuk e di arsyen se pse kërkesa nuk u procedua në vitin 2006, por procesi ishte riaktivizuar në vitin 2010, kur kryetarja e Gjykatës së Lartë i kishte drejtuar një kërkesë në cilësinë e kryetarit të Unionit të Gjyqtarëve mbi emrat e kolegëve që kishin aplikuar për kredi lehtësuese.

“Unë i ktheva përgjigje që janë Ervin Metalla dhe M. K.,” tha më tej ai, duke theksuar se aplikoi për kredi në Alpha Bank ndërsa priste të shqyrtohej kredia lehtësuese.

Vendosjen e çmimit maksimal në kontratën e kredisë, Metalla e shpjegoi me faktin se çmimi nuk ishte i përcaktuar dhe ai merrte përsipër rreziqe edhe për ndonjë moslegalizim të mundshëm. Ndërsa në vitin 2010-kur kryetarja e Gjykatës së Lartë i kishte kërkuar informacion, ai i kishte qëndruar kërkesës për kredi të butë.

“Kryetarja e Gjykatës së Lartë nuk hetonte se kush i plotëson apo jo kriteret, këtë e bën banka. BKT ma bëri të qartë që nuk mund të përfitoja kredinë lehtësuese nëse nuk çlirohesha nga kredia tregtare,” shtoi më tej ai.

Pasi kredia dhe pronësia e apartamentit i kaluan të vëllait, gjyqtari Metalla tha se firmosi një deklaratë noteriale në prill 2011 se “nuk kishte në pronësi asnjë banesë”. Ndërkohë, ai nuk e quajti shkelje të kriterit të kredisë faktin se jetonte në Tiranë me argumentin se Tirana dhe Durrësi janë vetëm 30 minuta larg.

Gjyqtari i Apelit pranoi mosdeklarimin e shumës prej 1.5 milionë lekësh dhe e cilësoi “lapsus në printim” shënimin në deklaratën periodike të shumës 2.5 milionë që kishte marrë pas nga cedimi i kredisë.  Megjithatë, ai argumentoi se kishte të ardhura të mjaftueshme për të mbuluar këtë diferencë-rreth 3 milionë lekë bruto nga paga dhe 11 mijë euro pagesa ekspertize për një projekt të BE-së.

“Ku i shpenzova unë këto të ardhura? Nuk besoj se DSIK ju ka sjellë raport që kam luajtur kumar,” tha ai.

Kalimin e padeklaruar të 4.9 milionë lekëve nga BKT te kompania e ndërtimit “Lugano” në Durrës dhe më pas mbrapsht në llogarinë e të atit, gjyqtari Metalla e shpjegoi me faktin se kjo shumë kishte destinacion të dyfishtë; edhe për financimin e apartamentit edhe likujditet vetëm për një kohë të kufizuar.

Ndërkohë, zgjidhja e kontratës me kompaninë Lugano dhe lidhja e kontratës me kompaninë Kamberi në Tiranë përmbyll transaksionet e tij, për të cilat tha se deklaroi vetëm kontratën përfundimtare.

E pyetur nga relatorja Pine se cila kishte qenë arsyeja e përdorimit të llogarisë së babait për transfertën e parave, Metalla u përgjigj se ishin dy.

“I depozitova përkohësisht, pasi i druhesha faktit se BKT mund të më prishte kontratën dhe se isha i paqartë se si do t’i deklaroja. Gjithçka u regullua në vitin 2012: arsyet janë thjesht dhe vetëm teknike”.

Gjyqtari u ndal gjatë edhe te kërkesa e tij për ta përjashtuar nga barra e provës për pasurinë e të vëllait, duke këmbëngulur se nuk kishte asnjë marrëdhënie huaje apo dhurimi me të apo ndonjë lidhje me pasurinë e tij.

“Kam blerë vetëm një makinë prej tij, nuk ma ka falur. Ai e ka blerë 15 mijë euro dhe ma ka shitur 1.2 milionë lekë për shkakun e thjeshtë të amortizimit…,” tha Metalla.

“Unë s’kam asnjë lidhje me pasuritë e vëllait  tim. Ai ka 10 vjet biznes privat, ka galeri arti dhe bar kafe. Kërkoj që të mos e konsideroni person të lidhur me mua dhe mos më kaloni barrën e provës për të,” shtoi ai. Ndërkohë, ai sqaroi se kishte një prokurë përfaqësimi për familjen e tij në Strasburg, por nuk kishte qenë në asnjë sallë gjyqi, në asnjë proces gjyqësor dhe se nuk kishte kryer asnjë detyrë tjetër përveç asaj të gjyqtarit.

Sqarimet e komplikuara të Metallës tërhoqën edhe vëmendjen e gjyqtares Etleda Çiftja dhe vëzhgueses së ONM-së, Mia Roessingh Bakels, të cilat i drejtuan pyetje. Në njërën prej tyre, gjyqtari Metalla tha se “apartamenti në Tiranë kishte qenë më parë në pronësinë e Eduart Halimit”.

Në fund, gjyqtari Metalla e cilësoi procesin e rivlerësimit një hetim të plotë dhe të saktë, por kërkoi nga anëtarët e trupës gjykuese “një vlerësim me inteligjencë dhe urtësi” për rastin e tij.

Vendimi për fatin e gjyqtarit Ervin Metalla do të shpallet më 23 korrik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *