Prokurorja Elina Kombi pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: LSA
Analiza KPK Veting

KPK e shkarkoi prokuroren Elina Kombi për mungesën e burimeve të pasurive

Prokurorja e Tiranës, Elina Kombi u shkarkua nga detyra më 3 shkurt pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi se ajo nuk kishte provuar me dokumentacion ligjor një pjesë të burimeve financiare të deklaruara, duke çmuar se subjekti kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë, kriterin e vetëm për të cilin u përfundua hetimi administrativ.

Po ashtu, në vendimin e arsyetuar evidentohet dhe ushtrimi i një aktiviteti hotelerie dhe ngrihen dyshime se nuk është regjistruar me qëllim mospagesën e detyrimeve tatimore.

Trupa e KPK-së që vendosi shkarkimin e Kombit kryesohej nga Brunilda Bekteshi, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Firdes Shulin.

Elina Kombi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994. Ajo ka punuar fillimisht si prokurore në Prokurorinë e Pogradecit dhe prej vitit 2013 e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Tiranës.

Mungesë burimesh

Subjekti ka deklaruar të ardhura nga punësimi i saj dhe i bashkëshortit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në shumën totale 49 mijë USD. Kombi ka shpjeguar se bashkëshorti ka qëndruar në SHBA gjatë viteve 2002, 2003 dhe 2004, ndërsa ajo ka qëndruar për periudhën korrik – gusht 2002 dhe gjatë lejeve vjetore të viteve 2003 dhe 2004. Gjithashtu, ka sqaruar se kanë udhëtuar gjatë viteve 2005 dhe 2006, ndërsa në 2007-ën ka qëndruar disa muaj pasi ka qenë me leje lindjeje. Kombi ka shtuar se ka qëndruar në SHBA dhe në vitin 2009, gjatë lejes vjetore.

Ajo deklaruar se gjatë qëndrimit në SHBA ka ndjekur kurse kualifikimi në lidhje me dhunën në familje dhe në fushën e shëndetësisë, për të cilat është certifikuar. Duke përdorur si argument këto kualifikime, Kombi ka pretenduar se gjatë qëndrimit në SHBA ka ndihmuar miqtë e saj duke u përkujdesur për të afërmit e tyre që kanë pasur nevojë në fushën e shëndetësisë, të cilët e kanë shpërblyer në vlera modeste që i ka deklaruar si të ardhura.

Po ashtu, ka pretenduar se i ka ndihmuar në punët e tyre, pasi kanë pasur firma pastrimi dhe mirëmbajtjeje, të cilat janë të deklaruara periodikisht. Subjekti ka shpjeguar se nuk i është nevojtur të kërkojë autorizim nga Prokuroria e Përgjithshme për t’u lejuar të punojë në një vend tjetër, pasi nuk e ka ndërprerë asnjëherë marrëdhënien e punës në Shqipëri.

Kombi ka depozituar dokumente për të ardhurat e realizuara në SHBA, por sipas KPK, ajo ka arritur të prvojë me dokumentacion vetëm shumën 16 mijë e 182 USD, vlerë që është përfshirë në analizën financiare.

“Subjekti, si gjatë hetimit, ashtu edhe pas kalimi të barrës së provës, provoi punësimin e bashkëshortit në SHBA, por referuar dokumentacionit të depozituar nuk u provuan të ardhurat e ligjshme në masën e pretenduar nga subjekti”, vëren Komisioni dhe e cilëson të pabazuar pretendimin se gjendej në kushtet e pamundësië objektive për të vërtetuar të ardhurat e deklaruara.

Sipas KPK, subjekti nuk provoi se dokumentet kishin humbur dhe se nuk mund të siguroheshin përsëri.

Komisioni konstaton pamundësi të Kombit edhe për justifikimin e burimit të një vlere 20 mijë USD për të cilën ka deklaruar se i përket prindërve emigrantë në Greqi. Shuma 20 mijë USD ka qenë pjesë e një depozite 41 mijë e 417 USD e deklaruar në vitin 2004 prej subjektit.

Trupa e KPK sjell në vëmendje se shuma 20 mijë USD është përdorur nga subjekti për ndërtimin e një banese me tre kate në një fshat të Pogradecit dhe për rrjedhojë ajo ka detyrimin ligjor të justifikojë ligjshmërinë e burimit të krijimit për këtë shumë.

Kombi ka deklaruar se në periudhën kur prindërit i kanë dhënë vlerën 20 mijë USD ishte duke planifikuar për të blerë një apartament më të madh dhe nisur nga fakti se ata jetonin dhe punonin si emigrant prej vitit 1991 u kishin ofruar këtë shumë si ndihmë, pasi i kishin mundësitë.

Ajo ka sqaruar se nisur nga fakti se banorët e pallatit ku jetonte u kishin propozuar ndërtimin e një shtese, ideja për blerjen e apartamentit të ri nuk u realizua dhe për rrjedhojë e ka disponuar në vijim shumën e dhënë prej prindërve.

“Me kalimin e viteve prindërit e mi nuk kanë dashur t’ua kthenim këtë shumë parash, por e kanë parë si një garanci për kthimin në një moment kur atyre do t’ju nevojitej”, ka deklaruar Kombi.

Për të provuar të ardhurat e ligjshme të prindërve, subjekti ka depozituar një sërë dokumentesh, por sipas KPK nuk është arritur të provohet mundësia e tyre për kursimin dhe dhënien e shumës 20 mijë USD.

“Nga aktet e depozituara nga subjekti, rezulton e provuar që prindërit e saj kanë qenë të punësuar për periudhën 2002 – 2004. Pra, subjekti provoi punësimin e prindërve, nuk u provon që kanë përfituar të ardhura në atë masë sa t’i jepnin shumën prej 20.000 USD dhe të përballonin shpenzimet e jetesës së tyre”, citohet në vendim.

Ashtu si për të ardhurat nga puna në SHBA, edhe në këtë rast KPK vlerëson se subjekti nuk arriti të provojë se është në kushtet e pamundësisë objektive për të siguruar prova.

Komisioni konstaton se Kombi ka arritur të vërtetojë burimet e një apartamenti me sipërfaqe 69.14 m2 në Pogradec të blerë nga Enti Kombëtar i Banesave në vitin 1999, kundrejt vlerës 515 mijë lekë, por është gjetur në pamundësi në shumën 907 mijë lekë për ndërtimin një shtese me sipërfaqe 104 m2, në vazhdimësi të kësaj banese.

Bashkëshorti i subjektit ka trashëguar nga babai i tij një pasuri tokë arë me sipërfaqe 13 mijë e 280 m2, truall me sipërfaqe 220 m2 dhe një nbdërtesë me sipërfaqe 124 m2. Megjithëse trashëgimia është deklaruar si burim i krijimit të kësaj pasurie, gjatë deklarimeve periodike prokurorja Kombi ka shënuar se i ka dhënë vjehrrit shuma parash për investimin e kryer në objektin me tre kate.

Në vitin 2010 ka deklaruar se i ka dhënë vjehrrit shumën 1.4 milionë lekë për të kryer investime në pronën e tij, vlerë që nuk rezulton të jetë kthyer. Ndërkohë, në vitin 2011 Kombi ka tërhequr nga depozita në dollarë shumën 62 mijë e 900 USD që ka pasur si burim dhe shumën e dhënë prej prindërve të saj dhe sipas përshkrimi të veprimit bankar rezulton t’i jetë dhënë vjehrrit për investimin.

Subjekti ka shpjeguar se punimet për ndërtimin e godinës kanë filluar në vitin 2010 dhe kanë vazhduar për rreth 3-4 vjet. Ajo ka deklaruar se nuk është në dijeni të vlerës totale, por ka sqaruar se shumat e tërhequra në vitet 2010 dhe 2011 i janë dhënë vjehrrit për ndërtimin e shtëpisë në fshat, si dhe për mbjellje drurësh frutorë të ndryshëm në sipërfaqen tokë arë dhe pyll, që babai i bashkëshortit i kishte përfituar në vitin 2006 me vendim të Komisionit të Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave.

Nga analiza financiare për krijimin e kësaj pasurie ka rezultuar balancë negative në shumën 979 mijë lekë për ndërtimin e godinës tre kate në Pogradec. Ndërsa nga analiza financiare e përgjithshme për periudhën 2003-2016 ka rezultuar balancë negative në shumën totle 5.2 milionë lekë.

Bujtina “Z”

Veç pamundësive financiare, KPK ka gjetur se shtëpia reklamohet nëpërmjet faqeve të ndryshme në internet si bujtinë që ofron shërbime hotelerie, por ky aktivitet nuk rezulton i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Binznesit.

“Nga një kërkim i thjeshtë në gjeneruesin e të dhënava Google, në faqe të ndryshme ku reklamohen shërbime hotelerie, rezulton i regjistruar aktiviteti i hotelerisë bujtina “Z”. Në adresat vijuese duket sikur ky aktivitet është ushtruar/ushtrohet në pasurinë e subjektit dhe bashkëshortit”, konstaton Komisioni.

Subjekti e ka mohuar një gjë të tillë duke u shprehur se nuk kanë përfituar asnjëherë të ardhura nga kjo shtëpi, veç produkteve bujqësore, kryesisht fruta dhe perime për përdorim familjar. Ajo ka këmbëngulur se nuk disponojnë asnjë pasqyrë financiare pasi nuk kanë zhvilluar asnjëherë aktivitet tregtar.

“Ndonëse qëllimi fillestar i vjehrrit mund të ketë qenë për të zhvilluar biznes pasi qyteti i Pogradecit është destinacion turistik, ndarja e tij nga jeta dhe impenjimet e bashkëshortit e të saj, nuk e bën të mundur këtë gjë”, ka deklaruar Kombi.

Por veç reklamimit në internet si ofrues shërbimesh hotelerie, KPK konstaton se numrat e kontaktit të publikuar rezultojnë të jenë numrat personalë të deklaruar në DPV periodike nga subjekti dhe bashkëshorti.

Nisur nga fakti se të gjitha kursimet e familjes së subjektit në vite janë përdorur për ndërtimin e bujtinës që rezulton t’i jetë lënë në përdorim një personi pa kundërshpërblim, si dhe për shkak të mosregjistrimit të këtij aktiviteti, KPK ka ngritur dyshime se në këtë pasuri është ushtruar aktivitet i paligjshëm në hoteleri – turizëm, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *