Prokurorja Fahrie Gjana | Foto : Edmond Hoxhaj
Analiza KPK Veting

KPK: Fahrije Gjana përfitoi kredi të butë kundër ligjit dhe fshehu një apartament

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli më 28 janar vendimin për shkarkimin nga detyra të drejtueses së Prokurorisë së Kukësit, Fahrije Gjana Vata pasi u konkludua se kishte kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë; se kishte kryer veprime fiktive me qëllim fshehjen e pasurive; se kishte përfituar një kredi me kushte lehtësuese në kundërshtim me ligjin; si dhe u gjet në pamundësi financiare në disa vite. Hetimi për prokuroren Gjana u përfundua vetëm për kriterin e pasurisë.

Trupa e KPK-së që kreu procesin e rivlerësimit për Gjanën kryesohej nga Firdes Shuli, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin.

Fahrije Gjana (Vata) e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 dhe punoi prej gati dy dekadash si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Kukës.

Kredia e butë kundër ligjit

Si burime krijimi për një apartament me sipërfaqe 77.5 m2 në Kukës të blerë në vitin 2011 për çmimin 4.8 milionë lekë, subjekti ka deklaruar një kredi në shumën afro 2.2 milionë lekë, pagat e saj dhe të bashkëshortit në shumën 630 mijë lekë, si dhe huamarrje në vlerën 2 milionë lekë.

Sipas kronologjisë së pagesave për likuidimin e çmimit të apartamentit të pasqyruar në kontratën e blerjes me kusht, rezulton se kësti i parë në shumën 2 milion e 630 mijë lekë është paguar me me huan dhe kursimet familjare, ndërsa i dyti me kredinë, që ka rezultuar se është përfituar me kushte lehtësuese.

KPK konstaton se subjekti dhe bashkëshorti kanë pasur mundësi për shlyerjen e këstit të parë, si dhe ka konsideruar bindëse provat dhe shpjegimet e subjektit se kredia e butë ka shërbyer për pagesën e këstit të dytë – por nga ana tjetër evidenton probleme në mënyrën e përfitimit të kësaj kredie.

Trupa vëren se në kohën kur subjekti ka paraqitur në Bashkinë Kukës kërkesën për përfitim strehimi, familja e saj përbëhej vetëm nga tre anëtarë dhe kanë pasur të drejta reale mbi disa apartamente, ndërkohë që kishin porositur edhe 3 apartamente të tjerë duke kryer dhe pagesat përkatëse për ato pasuri. “[…]Tregon se kjo familje ka pasur aq të ardhura të konsiderueshme sa për të mos u vlerësuar në paaftësi paguese apo në vështirësi financiare”, vlerëson trupa e KPK-së dhe analizon legjislacionin sipas të cilit klasifikohen familjet që duhen trajtuar me programe sociale të strehimit.

Në vijim KPK konstaton se prokurorja Gjana nuk ka deklaruar në vitet 2014 dhe 2015 bashkëpronësinë mbi një apartament me sipërfaqe 46 m2 në qytetin e Kukësit, të fituar me trashëgimi ligjore nga babai i saj si dhe nuk e ka regjistruar në vitin 2011 kur është dhënë vendimi gjyqësor për trashëgiminë – me qëllim që të mos rezultonte bashkëpronare në ndonjë pasuri për efekt të aplikimit dhe përfitimit të kredisë si “familje e pastrehë” nga Bashkia Kukës.

Komisioni çmon se subjekti gjendet në kushtet e cënimit të besimit të publikut në përfitimin e kësaj kredie.

Apartamenti i fshehur

Bashkëshorti i subjektit ka blerë dy apartamente në Tiranë, ku rreth 90% e çmimit të këtyre pasurive rezulton të jetë shlyer para martesës. Megjithatë, KPK konstaton se subjekti nuk arriti të provojë mundësinë financiare të bashkëshortit për blerjen e këtyre pasurive.

Një prej apartamenteve është shitur në vitin 2016 dhe gjithë vlera e përfituar 54 mijë e 500 euro i është dhënë hua vëllait të prokurores Gjana, shtetasit O.V., për blerjen e një apartamenti dhe garazhi në Tiranë.

Nga hetimi ka rezultuar se vëllai i subjektit jeton prej 20 vjetësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA dhe nga verifikimi i sistemit TIMS është konstatuar se ai vjen rrallë në Shqipëri.

KPK ka gjetur gjithashtu se kontrata e porosisë e vitit 2014 për apartamentin e blerë nga vëllai i subjektit, është nënshkruar nga shtetasi F.GJ., si përfaqësues me prokurë dhe se të gjitha këstet janë paguar në cash. Nisur nga këto të dhëna, KPK ka ngritur dyshime se ky apartamet është pasuri e fshehur e subjektit të rivlerësimit.

“Fakti që shtetasi O.V. ka paguar brenda 7 vitesh shumën 100,000 USD, por nga ana tjetër nuk ka mundur të lidhë kontratën e shitjes dhe të fitojë pronësinë mbi këto dy pasuri (apartament dhe garazh) vetëm sepse nuk ka paguar shumën prej 9,900 USD, nuk e bën të besueshme nevojën e këtij personi për të blerë këto pasuri dhe, si rrjedhojë, as faktin se këto pasuri janë porositur dhe paguar me vullnetin dhe paratë e tij”, argumenton KPK.

Dyshimet e KPK-së janë forcuar dhe nga fakti se bashkëshortja e vëllait të subjektit, shtetasja L.V., ka tërhequr personalisht vlerën e marrë hua, por nuk e ka kryer pagesën tek shoqëria ndërtuese, që është realizuar nga motra.

Trupa konsideron dhe faktin se vëllai i subjektit nuk ka ka blerë banesë në SHBA ku jeton prej dy dekadash megjithëse pretendohet se ushtron aktivitet privat atje, por ka investuar në Shqipëri ku vjen rrallë, si dhe duke përdorur një hua në vlerë të konsiderueshme, që sipas KPK-së është jashtë çdo logjike ekonomike. Në vendim thuhet se Gjana nuk arriti të dokumentojë burimet e vëllait të saj për pagesat e kryera për apartamentin.

Në përfundim Komisioni konsideron se kjo është pasuri e fshehur e subjektit, e përfituar nëpërmjet veprimeve fiktive dhe në emër të personave të tjerë.

Komisioni ka verifikuar tre depozita dhe një gjendje cash, si burim krijimi për të cilat subjekti ka deklaruar të ardhurat e përfituara nga kalimi i të drejtave të pronësisë së një apartamenti 2+1 me sipërfaqe 90.3 m2 në objektin me 9 kate në qytetin e Kukës, sipas një aktmarrëveshje të vitit 2016, kundrejt vlerës 36 mijë euro. Në vijim KPK ka hetuar edhe transaksionet e kryera për këtë apartament.

Sipas deklaratës “veting” të subjektit, apartamenti është porositur në shtator të vitit 2010 dhe është paguar shuma 36 mijë euro me këste, me burim të deklaruar 20 mijë euro nga pagat e subjektit dhe të bashkëshortit dhe 16 mijë euro huamarrje nga shtetasja V.O., sipas një deklarate noteriale të vitit 2013.

E pyetur nga KPK nëse ka përdorur prona në emër të dikujt tjetër, Gjana ka deklaruar se vijon të banojë prej vitit 2014 në apartamentin që gjendet në pallatin me 9 kate, megjithëse e ka disponuar deri në 2016-ën kur kjo pasuri ka kaluar në zotërim të kunatit, F.GJ. Ajo ka shtuar se kunati jeton në një apartament në pronësi të saj të blerë në vitin 2011, pasi janë dakordësuar për ndërrimin e pasurive.

Nga analiza financiare ka rezultuar balancë negative në shumën 1.1 milionë lekë për pagesën e këstit të parë 20 mijë euro, ndërkohë që fillimisht janë ngritur dyshime lidhur me huamarrjen 16 mijë euro.

Ministria e Drejtësisë ka informuar se nuk egziston deklarata noteriale e vitit 2013 për dhënie huaje në shumën 16 mijë euro, e nënshkruar midis subjektit dhe motrës së saj V.O., pranë noterit B.Gj, i cili ka noterizuar këtë deklaratë huaje. Edhe noteri ka konfirmuar se kjo deklaratë nuk figuron e regjistruar në regjistrin e tij notarial.

Nisur nga këto të dhëna të hetimit paraprak, Komisioni ka ngritur dyshime se ky mund të ishte dokument i krijuar vetëm me qëllimin për të justifikuar huan që subjekti pretendon se ka marrë nga motra e saj.

Por,  bazuar në faktin se Gjana e ka deklaruar huamarrjen në vitin 2013, si dhe shlyrjen në vijim, KPK vlerëson se prokurorja Gjana e ka marrë realisht shumën 16 mijë euro nga motra e saj. KPK sjell në vëmendje faktin se noteri e ka pranuar dhe konfirmon që ta ketë hartuar ai këtë dokument dhe vlerëson se mosregjistrimi i deklaratës është përgjegjësi e tij dhe jo e subjektit të rivlerësimit.

Për rrjedhojë KPK ka vlerësuar ta konsiderojë huanë në vlerën 16 mijë euro si burim të ligjshëm që ka shërbyer si burim për pagesën e këstit të dytë të apartamentit, megjithatë ka rezultuar pamundësi në shumën 591 mijë lekë për të paguar këstin e dytë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *