Prokurori i Fierit Hysen Ajasllari | Foto: Edmond Hoxhaj/BIRN
Analiza KPK

Vendimi i KPK për Hysen Ajasllarin: Deklarim i pamjaftueshëm dhe cënim i besimit

Prokurori Hysen Ajasllari u shkarkua prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, më 3 mars 2023, pasi u vlerësua se ai kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë, si dhe me veprimet për posedimin e një prone, kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia. Ndërkohë, Ajasllari u vlerësua pozitivisht për figurën dhe për profesionalizimin u çmua se arrin nivel minimal kualifikues.

Vendimi për shkarkimin e Ajasllarit u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtar Roland Ilian.

Hysen Ajasllari e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 dhe punon prej gati dy dekadash si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier.

Veprimet e prokurorit Hysen Ajasllari për përfitimin e pronësisë mbi një truall dhe një banesë në Fier, si dhe deklarimet kontradiktore për këto pasuri, vlerësohen prej Komisionit jashtë etikës së një magjistrati.

Si burim krijimi të shtëpisë me dy kate; kati përdhe me sipërfaqe 99.6 m2 dhe kati i parë 120.6 m2, si dhe për truallin prej 200 m2 ku është ndërtuar ky objekt, prokurori Ajasllari ka deklaruar blerjen e tokës në ’98-ën kundrejt çmimit 380 mijë lekë dhe ndërtimin e banesës ndër vite nga kursimet familjare. Subjekti ka sqaruar se vlera e kësaj pasurie është 6 milionë lekë.

Nga verifikimet e kryera prej Komisionit, ka rezultuar se me një vendim të vitit 1998 të Gjykatës së Fierit, është disponuar njohja e faktit juridik të pronësisë të Ajasllarit mbi një tokë truall me sipërfaqe 400 m2 dhe shtëpi banimi të ndodhur në të.

Referuar të dhënave të pasqyruara në vendimin gjyqësor, KPK vëren se paraprakisht subjekti rezulton se është pajisur me lejen e sheshit të ndërtimit të miratuar në vitin 1994 nga Këshilli Bashkiak Fier. Bazuar në këtë leje është ndërtuar banesa njëkatëshe.

Ky vendim gjykate është regjistruar në Hipotekën e Fierit në vitin 1998, në regjistrat e të cilës është shënuar se “lëshohet notë transkriptimi në favor të Hysen Ajasllari për pasurinë tokë truall me sipërfaqe 400 m2 dhe shtëpinë e banimit”.

Nga verifikimi i deklarimit të parë të kryer nga subjekti në ILDKPKI, është evidentuar se ai ka shënuar shtëpi banimi në ndërtim e sipër, me të njëjtin numër regjistrimi hipoteke që figuron në notën e transkriptimit të vendimit të gjykatës, por duke cituar si mënyrë përfitimi pronësie të truallit blerjen nga shtetasja Z.M..

Bazuar në këto të dhëna, KPK ka analizuar më tej rrethanat e krijimit të kësaj pasurie, duke administruar fillimisht dokumentacionin mbi të cilin është bazuar gjykata për vërtetimin e faktit juridik të pronësisë.

Nga analizimi i kërkesë-padisë së drejtuar gjykatës nga subjekti, është konstatuar se subjekti ka deklaruar se në vitin 1992 ka blerë nga shteti një truall me sipërfaqe 400 m2, mbi të cilin ka ndërtuar një shtëpi banimi njëkatëshe. Po ashtu, ka parashtruar se shtëpinë e ka ndërtuar me leje të organeve kompetente me shesh dhe leje ndërtimi, duke theksuar se nuk e ka regjistruar në hipotekë dhe për këtë arsye i është drejtuar gjykatës me qëllim regjistrimin e saj.

Gjatë hetimit administrativ, Ajasllari ka konfirmuar se ka pasur një leje ndërtimi, mbi bazën e së cilës ka kërkuar njohjen gjyqësisht të pronës mbi tokën truall me sipërfaqe 400 m2.

Ndërkohë, në aktmarrveshjen e vitit 1998 deklarohet se shtetasja Z.M. ka në pronësi një sipërfaqe tokë truall prej 400 m2 ku ka ndërtuar një shtëpi banimi, të cilën deklaron se ia shet në të ardhmen me dokumente të rregullta dhe akt noterial shtetasit H. M, nëpërmjet një kapari në shumën prej 380 mijë lekësh, të dhënë nga prokurori Ajasllari.

Komisioni ka verifikuar dhe analizuar historikun e regjistrimit të kësaj pasurie, nga ku ka konstatuar se në fillim ka qenë e regjistruar në emër të subjektit të rivlerësimit, me të dhëna truall me sipërfaqe 435 m2 dhe ndërtesë me sipërfaqe 167 m2.

Në vijim, pasuria truall dhe ndërtesë është regjistruar mbi bazën e një vetëdeklarimi të vitit 2006 të subjektit dhe vëllait të tij A.A, me objekt legalizimin e një objekti të llojit banesë dykatëshe, me funksion banimi, me sipërfaqe të zënë 400 m2 dhe objekt 167 m2, i ndërtuar në ’98-ën”.

Në vitin 2009, ZVRPP-ja Fier ka lëshuar në emër të prokurorit Ajasllari certifikatën për vërtetim pronësie të truallit 400 m2, nga të cilat 107 m2 ndërtesë.

Për efekt të procesit të legalizimit të ndërtesës, në dhjetor të vitit 2012, subjekti dhe vëllai i tij kanë nënshkruar një deklaratë noteriale, sipas së cilës prokurori Ajasllari deklaron se shtëpia është ndërtuar mbi truallin në pronësi të tij, për të cilin nuk kërkon kompensim financiar nga vëllai dhe shpreh dakordësinë që objekti informal dykatësh i vetëdeklaruar pranë ALUIZNI-t Fier në vitin 2006 të vijojë procedurat e legalizimit për të dy vetëdeklaruesit dhe leja e legalizimit të lëshohet në emër të të dy vëllezërve si bashkëpronarë.

I pyetur nga Komisioni për arsyen e përfshirjes së shtëpisë në proces legalizimi, kur sipas tij e kishte ndërtuar me leje, subjekti i ka qëndruar këtij fakti dhe ka shpjeguar se ka legalizuar vetëm shkallët që kanë dalë jashtë lejes ndërtimore.

Bazuar në këto konstatime, KPK ka ngritur dyshime në lidhje me vërtetësinë e deklarimit të subjektit për këtë pasuri, si dhe të veprimeve të ndërmarra prej tij për përfitimin e saj. Sipas Komisionit, duket se deklarimet dhe veprimet e Ajsallarit cënojnë integritetin dhe etikën e tij si magjistrat.

Edhe pas shpjegimeve të Ajasllarit, Komisioni vlerëson se ai nuk arriti të provojë me dokumentacion ligjor mënyrën e përfitimit të kësaj pasurie.  “Subjekti pretendoi se këtë pasuri e ka përfituar nëpërmjet aktmarrëveshjes së vitit 1998 nga shtetasja Z.M, por nuk provoi para Komisionit lidhjen e kontratës së shitblerjes dhe regjistrimin e saj, me qëllim që veprimi juridik të njihej sipas legjislacionit në fuqi, nenet 83 dhe 750 të Kodit Civil”, arsyeton KPK dhe shton se, nga ana tjetër, Ajasllari ka arritur që të vërtetojë faktin e pronësisë mbi pasurinë me vendim gjyqësor, pa qenë në asnjë nga rastet e parashikuara në ligj.

“…Për më tepër, arrin ta regjistrojë në regjistrat publikë të pasurive të paluajtshme, në kundërshtim me nenin 193 të Kodit Civil”, citohet në vendim.

Në vijim, KPK vlerëson se Ajasllari dështoi të të porovonte lidhur me disponimin e lejeve teknike për ndërtimin e shtëpisë, pasi nuk është konfirmuar nga institucionet kompetente, Bashkia Fier dhe Këshilli i Qarkut Fier, që ato të kenë pajisur Ajasllarin me leje ndërtimi për shtëpinë në Fier.

“…U ngritën dyshime të arsyeshme në lidhje me fiktivitetin e lejes së përdorur nga subjekti në procesin gjyqësor të vërtetimit të faktit juridik të pronësisë së truallit dhe shtëpisë së banimit, nisur nga të dhënat kontradiktore të konstatuara në dokumentet leje sheshi dhe planimetria bashkëlidhur, për të cilat subjekti nuk arriti të provonte të kundërtën”, shprehet Komisioni dhe shton se mosdisponimi i lejes së ndërtimit nga subjekti, konsolidohet më tej me përfshirjen e shtëpisë në procesin e legalizimit.

Sipas KPK, subjekti u përpoq që përfshirjen e banesës në procesin e legalizimit, ta justifikonte me deklarime të ndryshme që lidheshin me shtimin e shkallëve apo me kalimin e afatit të gjatë nga momenti i dhënies së lejes nga bashkia, por këto pretendime nuk janë provuar.

Në vendim thuhet se Ajasllari ka kryer deklarime të ndryshme në lidhje me mënyrën e përfitimit të kësaj pasurie, “duke e bërë të pabesueshëm deklarimin e tij dhe deri në nivelin e një deklarimi të rremë”.

Veprimet e tij me qëllim përfitimin e pasurisë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, si dhe sjellja gjatë procesit të vetingut me deklarime të pabazuara, me qëllim justifikimin e veprimeve që kishte ndërmarrë më parë, çmohen si sjellje përtej standardeve etike, si dhe veprime që cënojnë besimin e publikut te magjistrati.

Nisur nga fakti se fillimisht është regjistruar trualli me sipërfaqe 435 m2 dhe se Ajasllari nuk e ka pasqyruar në asnjë prej deklaratave të pasurisë sipërfaqen 35 m2, KPK i ka kërkuar shpjegime subjektit. Ai ka sqaruar se kjo sipërfaqe është jashtë truallit që zotëron, për të cilën nuk ka qenë në dijeni se ka qenë e regjistruar në emrin e tij. Subjekti ka shtuar se me këtë fakt është njohur në momentin që janë bërë matjet faktike për shtëpinë.

Komisioni çmon se subjekti e ka fshehur sipërfaqen prej 35 m2 të truallit. Pohimi se ajo sipërfaqe është pjesë e pandarë e truallit ku është ndërtuar shtëpia e banimit, si dhe mosmarrja e ndonjë veprimi me qëllim fshirjen e kësaj pasurie nga regjistri në pronësi të tij, për trupin gjykues vlerësohen si rrethana të mjaftueshme se Ajasllari ka poseduar dhe gëzuar truallin me sipërfaqe 35 m2 dhe ka pasur detyrimin e pasqyrimit në deklaratën “veting”.

Në përfundim të analizimit të këtyre gjetjeve, KPK çmon se Ajasllari ka kryer deklarim të rremë në lidhje me përfitimin e truallit dhe ndërtesës, si dhe ka fshehur një pjesë të truallit me sipërfaqe 35 m2. Veprimet për përfitimin e kësaj prone në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, çmohen në cënim të besimit të publikut tek drejtësia.

Nga analiza financiare për turallin dhe banesën ka rezultuar balancë negative në vlerën 2 milion e 377 mijë lekë.

Pamundësi financiare ka rezultuar dhe për blerjen e një njësie tretare me sipërfaqe 44.2 m2 në Yzeberisht të Tiranës, për çmimin 24 mijë e 310 euro. Sipas KPK, subjekti nuk arriti të provonte të kundërtën e pamundësisë financiare për të krijuar gjendjen cash për vitet 2008, 2009, 2010, 2011 dhe 2012, si burimin kryesor për blerjen e kësaj pasurie, duke rezultuar me balancë negative në shumën -1,9 milion lekë.

Po ashtu, ka rezultuar bilanc negativ për blerjen e një automjeti në vitin 2009 kundrejt çmimit 1 milion lekë dhe blerjen e një makine tjetër nga djali në 2015-ën kundrejt shumës 4300 euro.

Komisioni e ka ndarë analizën financiare për prokurorin Ajsllari në dy periudha, për vitet 1994 – 2003 dhe 2004 – 2016, prej nga ka rezultur një balancë negative totale në vlerën 5.3 milionë lekë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *