Prokurori Ervin Beqiri pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

KPK largon nga detyra prokurorin Ervin Beqiri

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të enjten vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Elbasanit, Ervin Beqiri. Trupa e KPK-së që vendosi për shkarkimin e prokurorit Beqiri kryesohej nga Etleda Çiftja, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtar Roland Ilian.

Prokurori Beqiri nuk u paraqit në seancën e shpalljes së vendimit. Kryesuesja Çiftja sqaroi në fillim se trupa nuk e kishte pranuar kërkesën e subjektit për rihapjen e hetimit për pasurinë, si dhe për çeljen e hetimit administrativ për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Në pëfundim, Komisioni ka vendosur shkarkimin nga detyra të prokurorit Beqiri për gjetjet e konstatuara në kriterin e pasurisë.

Gjatë seancës dëgjimore të martën më 1 mars, prokurori Beqiri u pyet dhe dha shpjegime për burimet financiare që kishin shërbyer për blerjen e një apartamenti në vitin 2013. Duke ju referuar deklaratave periodike dhe asaj veting, Komisioni konstatoi mungesa financiare për blerjen e apartamentit.

Në seancës dëgjimore u relatua edhe mbi ecurinë e hetimit administrativ, nga u mësua se subjekti kishte paraqitur një kërkesë për përjashtimin e trupës dhe të relatores ‘për konflikt interesi’. Relatorja Sanxhaktari shpjegoi se më 10 shkurt, një tjetër trupë e KPK-së ka pranuar pjesërisht kërkesën e subjektit, duke përjashtuar relatoren e mëparshme nga ky proces.

Ervin Beqiri përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe pas një periudhe stazhi në Prokurorinë e Tiranës, u emërua në Prokurorinë e Lezhës. Prej vitit 2015, ai e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Korçës dhe së fundmi u transferua në Elbasan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *