Prokurori Artur Ismajlukaj pas seancës në KPA. Foto:BIRN
KPA Lajme

KPA lë në fuqi konfirmimin e prokurorit Artur Ismajlukaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të martën më 2 prill vendimin për lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë të prokurorit të Elbasanit, Artur Ismajlukaj, duke i konsideruar të pamjaftueshme shkaqet e ngritura nga Komisionerja Publike, Irena Nino në ankim.

Ismajlukaj u konfirmua në detyrë më 7 korrik 2023 pasi u përball me dy seanca dëgjimore në të cilat kryesisht u diskutua mbi udhëtimet e tij në makina me persona me precedentë penalë, në një rast me makinën e një personi të dënuar për krim të organizuar në Rimini të Italisë. Për pasurinë dhe profesionalizmin nuk u evidentuan probleme domethënëse.

Ismajluakaj deklaroi se udhëtimet kishin qenë të rastësishme, me qëllim që të mbërrinte pranë familjes ose në vendin e punës. Subjekti i rivlerësimit mohoi të kishte pasur njohje me shtetasin e dënuar në Itali, duke shpjeguar se mjeti i tij përdorej nga një funksionar policie në momentin kur kishte udhëtuar.

Megjithatë pas vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin e tij, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM rekomandoi institucionin e Komisionerëve Publikë që të ushtronin ankim në Kolegj. Ankimi u bazua mbi të njëjtat probleme që u evidentuan gjatë shqyrtimit në KPK.

Pas disa seancave, trupi gjykues i Kolegjit u tërhoq për vendimarrje që e shpalli të martën. Kryesuesja Rezarta Schuetz u shpreh se trupi gjykues vlerëson se një pjesë e konstatimeve i përkasin periudhës kur subjekti ushtronte detyrën e oficerit të policisë gjyqësore, si dhe se disa prej personave kanë qenë të reahabilituar në kohën e kryerjes së veprimeve të caktuara nga Ismajlukaj, si përdorimi i automjetit apo transferimi shumave bankare. “Mbi të gjitha nuk u provua që ushtrimi i funksionit të subjektit të jetë ndikuar nga kontakti me këta persona apo ngjarje”, vërejti Schuetz.

Nisur nga fakti se dispozitat ligjore nuk parashikojnë masa më të lehta nga ajo e shkarkimit nga detyra për raste të ngjashme, situatat e analizuara gjatë procesit në Kolegj u gjetën nga trupi gjykues të pamjaftueshme për të bërë të zbatueshëm penalizimin e subjektit për cënim të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë. Për rrjedhojë, Kolegji arrin në konkluzionin se shkaqet e ngritura në ankim nga komisionerja Nino nuk janë të mjaftueshme për të ndryshuar vendimin e Komisionit.

Në përfundim, trupi gjykues i KPA i kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtarë Ina Rama, Mimoza Tasi e Sokol Çomo, me shumicë votash vendosi lënien në fuqi të vendimit të KPK.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *