Prokurorja e Tiranës, Alketa Zifla në KPK. Foto: LSA
Analiza Korrupsioni KPK Vendi

Vendimi i KPK: Prokurorja Alketa Zifla cenoi besimin te sistemi i drejtësisë

Sipas vendimit të arsyetuar të KPK, prokurorja Alketa Zifla përfitoi një kredi të butë nga Bashkia e Fierit përmes veprimeve fiktive dhe pushoi më pas një kallëzim ndaj zyrtarëve të kësaj bashkie në kushtet e ‘konfliktit të interesit’.

Prokurorja e Tiranës, Alketa Zifla në KPK. Foto: LSA

Veprimet e kryera për përfitimin e një kredie të butë si dhe trajtimi i një kallëzimi penal në kushtet e ‘konfliktit të interesit’ ndaj zyrtarëve të Bashkisë së Fierit sollën penalizimin me shkarkim nga detyra të prokurores së Tiranës, Alketa Zifla.

KPK gjeti gjithashtu mungesë financiare prej 900 mijë lekësh në vitin 2017, por nuk e konsideroi këtë si element shkarkues.

Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, Zifla ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë me kryerjen e disa veprimeve fiktive, që sipas trupës nuk përputhen me sjelljen etike të një magjistrati.

Në proces, nuk u gjetën probleme për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Alketa Zifla e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe ka punuar fillimisht si prokurore në Prokurorinë e Tepelenës. Në vitin 2008, ajo u emërua prokurore në Fier, ndërsa në vitin 2013 u transferua në prokurorinë e Tiranës.

Me ngjitjen e Arta Markut në krye të Prokurorisë së Përgjithshme në dhjetor 2017, Zifla u emërua shefe e kabinetit. Pas largimit të Markut, ajo u rikthye në Prokurorinë e Tiranës, ku e ushtroi detyrën derisa sa u shkarkua nga KPK më 16 qershor.

Procesi i vetingut për Ziflën u krye nga trupa e drejtuar nga Etleda Çiftja, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Xhensila Pinen.

Veprime fiktive

Sipas vendimit të KPK-së, prokurorja Alketa Zifla ka përdorur një kredi të butë në vlerën 3.5 milionë lekë të përfituar nga Bashkia e Fierit në mars të vitit 2012, për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 59 m2 në Tiranë nga prindërit e saj po atë vit, ku në kontratën e shitblerjes është vendosur çmimi 11.2 milionë lekë.

Komisioni vlerëson se familja e prokurores i plotësonte kushtet për t’u trajtuar me kredi të butë, por evidenton një sërë problemesh në veprimet e kryera prej saj dhe prindërve në cilësinë e shitësve të apartamentit në Tiranë.

Nga hetimi ka rezultuar se në vitin 2011 është lidhur kontratë kapari, në të cilën subjekti deklaron se i ka dhënë babait një kapar prej 1.5 milionë lekësh, ndërsa pjesën tjetër prej 3.5 milionë lekësh do ta shlyente me disbursimin e kredisë bankare.

Në të njëjtën datë me lidhjen e kontratës së kaparit, prindërit e subjektit kanë lëshuar deklaratë noteriale, sipas së cilës ata nuk kanë marrë nga vajza e tyre vlerën e 1.5 milionë lekëve, por e kanë bërë këtë deklarim për t’a ndihmuar atë në blerjen e apartamentit.

Në vijim, prindërit kanë lëshuar edhe dy deklarata të tjera noteriale, nëpërmjet të cilave kanë deklaruar çmimin e shitjes së pasurisë në shumën 3 milionë e 452 mijë lekë dhe se kjo është shuma e vetme që kanë marrë nga e bija, që ajo e ka përfituar nga kredia e lehtësuar nga Bashkia Fier.

E pyetur nga Komisioni për këto veprime juridike të kryera prej saj dhe prindërve, Zifla ka shpjeguar se nuk ka kryer asnjë pagesë kapari dhe se kontrata prej 5 milionë lekësh përfaqësonte një kriter të bankës, që mbulonte 75% të vlerës së apartamentit.

Komisioni vëren se nga verifikimi i dokumentacionit nuk ka rezultuar ndonjë kriter bankar “garantor” i natyrës së kaparit.

Sipas trupit gjykues, nuk qëndron as pretendimi tjetër i subjektit lidhur me çmimin 11.2 milionë lekë i vendosur në kontratën e shitblerjes. Sipas Ziflës, vendosja e këtij çmimi ka qenë detyrues sipas një udhëzimi të përbashkët të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Ministrisë së Financave, por KPK evidenton se ky udhëzim rregullon mënyrën e mbajtjes së tatimit dhe nuk detyron palët në vullnetin e tyre kontraktual për caktimin e çmimit.

Subjekti ka pretenduar se veprimet e saj nuk kanë qenë fiktive dhe se kanë sjellë si pasojë regjistrimin e apartamentit në pronësi të saj.

Trupi gjykues vlerëson se qëndrimi i subjektit vjen në interpretim të gabuar të dispozitave ligjore mbi fitimin e pronësisë dhe se janë kryer me qëllimin e përfitimit të kredisë së butë.

“Gjatë hetimit administrativ si dhe në përfundim të tij, rezultoi i qartë vullneti i subjektit për kryerjen e këtyre veprimeve në marrëveshje me prindërit e saj vetëm për përfitimin e kredisë”, konstaton KPK dhe i konsideron fiktive veprimet juridike të kryera prej Ziflës dhe prindërve të saj.

Nga verifikimi i shumës së përfituar nga kredia, Komisioni ka konstatuar se e gjithë vlera është kaluar në llogari të prindërve të subjektit, të cilët e kanë investuar në të njëjtën bankë në depozitë me afat gjatë periudhës 2012-2016. Të gjitha interesat e përfituara në vlerën 665 mijë lekë, ata ia kanë kaluar subjektit, e cila i ka përdorur për shlyerjen e kësteve të kredisë të marrë për blerjen e apartamentit.

Komisioni konstaton se subjekti nuk ka pasqyruar në deklaratat periodike dhe atë veting dhurimet e kryera nga babai në formën e shlyerjes së kredisë.

Zifla ka konfirmuar faktin e pagimit të kësteve të kredisë nga prindërit e saj, por ka pretenduar se nuk ishte dhurim. Ajo ka sqaruar se në vitin 2014, për shkak të hapësirës së vogël të apartamentit të blerë nga prindërit nuk mund të jetonin 7 persona së bashku dhe se ka marrë me qira një tjetër apartament aty pranë. Zifla e konsideron shumën e dhënë nga prindërit si kompensim për mënyrën e jetesës së njërës prej familjeve, për shkak të qirasë që duhej paguar për apartamentin tjetër.

Trupi gjykues vëren se subjekti që ka përfituar kredinë me kushte lehtësuese për strehim nuk mund ta lëshojë shtëpinë me qira gjatë periudhës së shlyerjes së kredisë.

Konflikti i interesit

KPK ka hetuar edhe lidhur me konfliktin e interesit prej nga ka rezultuar se Zifla ka trajtuar një kallëzim penal të dorëzuar më 16 korrik 2012 nga 15 qytetarë fierakë ndaj disa zyrtarëve të lartë të Bashkisë Fier për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve në shpërndarjen e banesave për strehim pa plotësuar kushtet – për të cilin subjekti i rivlerësimit ka vendosur mosfillimin e procedimit penal dy javë pasi e ka marrë në dorë.

Nga verifikimi i fashikujve ka rezultuar se Zifla e ka vendosur mosfillimin e procedimit duke arsyetuar se fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale dhe se është rrjedhojë e një votimi të fshehtë kolegjial dhe objekt i një procedure ankimi administrativ që është ndjekur në rastin konkret.

Vendimi i Ziflës është ankimuar nga kallëzuesit dhe Gjykata e Fierit e ka rrëzuar, duke e urdhëruar prokurorinë të vijojë hetimet. Më pas, Prokuroria e Fierit ka nisur hetimet dhe e ka dërguar çështjen në gjykatë me të pandehur disa punonjës e zyrtarë të Bashkisë Fier.

Komisioni vlerëson se Zifla ka qenë në kushtet e konfliktit të interesit gjatë trajtimit të këtij kallëzimi penal dhe duhej të kishte dhënë dorëheqjen.

Sipas KPK, kjo situatë konflikti krijohet për shkak të përfitimit prej saj të kredisë me kushte lehtësuese nga Bashkia e Fierit si dhe përdorimin e kësaj kredie jashtë juridiksionit të Bashkisë së Fierit.

Subjekti ka pretenduar se nuk ka qenë në kushtet e heqjes dorë, pasi në atë kohë nuk ishte në kushtet e pritjes së ndonjë vendimmarrjeje në favorin e saj nga Këshilli Bashkiak Fier. Ajo ka shtuar se ishin vetëm 3 prokurorë në strukturën e Task-Forcës ku ajo bënte pjesë dhe se kallëzimi i është caktuar nga drejtuesi i Prokurorisë, urdhrin e të cilit ishte e detyruar ta zbatonte.

Pa u ndaluar në vlerësimin e vendimmarrjes së saj në funksion të verifikimit të profesionalizmit dhe bazuar vetëm në faktet dhe rrethanat e përdorimit të kredisë së butë, trupi gjykues arrin në konkluzionin se subjekti duhej të kishte hequr dorë.

“Trupi gjykues vlerëson se subjekti ndërmori një sërë veprimesh fiktive me qëllim përfitimin e kredisë me kushte lehtësuese, përdori shkaqe të paligjshme në hartimin e kontratave, shfrytëzoi politikat sociale strehuese të zbatuara nga Bashkia Fier për qytetarët e saj të pastrehë për të blerë apartament në Tiranë… mori pjesë në hetimin e një çështjeje me Bashkinë Fier në kushtet e konfliktit të interesit,” konstaton KPK.

Sipas trupi gjykues, këto rrethana konsiderohen të mjaftueshme për të krijuar dyshimin e arsyeshëm se subjekti ka pasur gjithë garancitë e mundshme nga Bashkia Fier për gëzimin dhe përdorimin e kredisë jo sipas destinacionit të dhënë, duke u gjendur kështu në kushtet e konfliktit të interesit në trajtimin e kallëzimit penal të sipërcituar.

Në përfundim, Komisioni çmon se Zifla ka cënuar besimin e publikut me veprimet e saj.

Në vendimin e arsyetuar të KPK evidentohen edhe disa pasaktësi në deklarime për kriterin e pasurinë, por janë konsideruar jo penalizuese.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *