Gjyqtari Ervin Metalla | Foto : LSA
Analiza Korrupsioni KPA Në Fokus

Gjykimi mbi etikën dhe kredinë e butë ndajnë Kolegjin për Ervin Metallën

Shumica në KPA la në fuqi vendimin e shkallës së parë për shkarkimin e ish-gjyqtarit të Apelit, Ervin Metalla duke i shtuar atij si shkelje edhe “cënimin e besimit te drejtësia”. Dy gjyqtaret në pakicë kërkuan prishjen e vendimit të KPK-së dhe rivlerësimin e gjyqtarit për dy kriteret e tjera.

Ish-gjyqtari i Apelit të Tiranës, Ervin Metalla pas procesit në KPK. Foto:LSA

Fiktiviteti apo jo i veprimeve të ish-gjytarit Ervin Metalla në përfitimin e një kredie të butë prej 5 milionë lekësh për të blerë një apartament në Tiranë dhe një sërë veprimesh bankare dhe kontratash për këtë qëllim, ka ndarë trupën në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Tre gjyqtarët Rezarta Schuetz, Natasha Mulaj dhe Ardian Hajdari arsyetuan se veprimet e Metallës ishin fiktive dhe për pasojë, deklarimi i tij i pasurisë ishte i pamjaftueshëm. Ata vendosën të lënë në fuqi vendimin e shkarkimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, duke e rënduar Metallën edhe me “cenimin e besimit të publikut te drejtësia”.

“Trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se subjekti i rivlerësimit me veprimet e kryera në funksion të përfitimit të kredisë tregtare në vitin 2007 dhe sidomos me veprimet juridike të kryera në vitet 2011 dhe 2012, për qëllim përfitimi financiar, ka kryer një sërë veprimesh juridike fiktive/të simuluara, të cilat nuk përputhen me sjelljen etike që një gjyqtar pritet të ketë,” thuhet në arsyetimin e shumicës, e cila është fokusuar kryesisht te veprimet konkrete të gjyqtarit.

Ndërkohë, Albana Shtylla dhe Ina Rama në pakicë kërkuan që vendimi i KPK-së të prishej, duke mos i konsideruar të mjaftueshme gjetjet e Komisionit në kriterin e pasurisë për të arritur në vendim shkarkimi. Sipas tyre, veprimet e Metallës nuk mund të konsideroheshin fiktive pasi ishin konkretizuar me blerjen e shtëpisë.  Gjyqtaret kërkuan që çështje të rikthehej në KPK për t’u rihetuar në dy kriteret e tjera, duke vënë në dukje se nuk mund të arrihej në përfundim të “cënimit të besimit të publikut te drejtësia” pa u shqyrtuar edhe profesionalizmi dhe figura.

“Ajo që duket se prevalon në këtë analizë është mungesa e qëllimit për të shtuar pasuri apo për t’i siguruar vetes e familjes banesa luksi apo banesa jo të domosdoshme për strehim në kurriz të taksapaguesve, duke shfrytëzuar funksionin,” arsyetojnë gjyqtaret në pakicë.

Metalla ishte gjyqtar i Apelit të Tiranës kur u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit  në korrik të vitit 2018, pasi KPK i gjeti atij probleme të pasurisë. Vendimi i zbardhur i KPK-së tregonte se Metalla kishte nënshkruar kontratat fiktive dhe kishte përfituar një kredi të butë për të cilën nuk përmbushte kushtet ligjore. KPK arsyetoi në vendim se nënshkrimi prej Metallës i një sërë kontratash fiktive ishte sjellje “jo etike për një gjyqtar”.

“Jeta personale e gjyqtarëve, sjellja e tyre jashtëgjyqësore, është po aq e rëndësishme sa ajo në kontekstin profesional,” thuhet në arsyetimin e KPK-së në vendimin për shkarkimin e Ervin Metallës nga KPK.

Metalla e kundërshtoi në KPA vendimin e KPK-së dhe pretendoi ndër të tjera se veprimet e kryera prej tij nuk ishin fiktive, pasi kishin prodhuar efektet e kërkuara, ndërsa kundërshtoi po ashtu edhe cilësimin e vëllait të tij si person i lidhur duke pretenduar se nuk kishte marrë as dhurim, as hua prej tij.

Shumica shton “cenimin e besimit”

Pretendimi i gjyqtarit Ervin Metalla se nuk kishte kryer fiktivitet në kontratat me bankat ku kishte aplikuar për kredi, u gjet prej shumicës së anëtarëve të KPA-së i pabazuar. Duke iu referuar një morie lëvizjesh bankare, tre anëtarët në shumicë arsyetuan se mjaft prej këtyre veprimeve ishin të qëllimshme  për të mashtruar bankën.

Shumica arsyetoi kështu për një kredi bankare të marrë në vitin 2007 për të blerë një apartament. Sipas shumicës, çmimi i apartamentit ishte deklaruar 75 mijë euro dhe Metalla kishte marrë përsipër të paguante 27 për qind të vlerës, por siç rezultoi nga hetimet apartamenti kushtoi vetëm 55 mijë euro dhe ish-gjyqtari nuk e përmbushi pjesën tjetër të kontratës.

“Ndryshimi i një kushti themelor të kontratës, vetëm për t’iu paraqitur bankës në funksion të përfitimit të kredisë dhe jo qëllimit të vetë palëve, përmban elementë të fiktivitetit,” analizohet në vendim. Aty pretendohet në këtë pikë se “palët kanë pasur qëllim shmangien e zbatimit të normave ligjore që rregullojnë përfitimin e kredive bankare”.

Duke kundërshtuar pretendimet e Metallës se marrëdhënia me bankën në fjalë kishte qenë në mirëbesim dhe se kjo nuk përbënte interes publik, shumica iu referua në parim qëllimit të procesit të vetingut për të rikthyer besimin te sistemi i drejtësiësë.

“Veprimet e subjektit të rivlerësimit, parë së bashku me veprime të tjera të cilat shtjellohen më poshtë, përbëjnë zgjedhje të cilat jo vetëm nuk shërbejnë në krijimin e besimit të publikut te drejtësia, por e dëmtojnë atë,” thuhet në mendimin e tre gjyqtarëve në shumicë.

Shumica shprehet se vendosja e një çmimi të pavërtetë dhe marrja përsipër në kontratë e një pagese që nuk kishte ndërment ta kryente, nuk përputheshin me sjelljen etike të një gjyqtari.

Fiktiviteti i dytë sipas shumicës qëndron në nënshkrimin e një kontrate me vëllanë dhe më pas me bankën, po në lidhje me këtë apartament. Nga hetimet rezultoi se Metalla i kaloi të vëllait të drejtat e pronësisë mbi apartamentin e blerë dhe po ashtu edhe kredinë që po paguhej për të, e gjitha sipas vendimit një manovër në mënyrë që ai të mund të deklarohej i pastrehë dhe të përfitonte një kredi të butë.

Kolegji rrëzoi pretendimet e Metallës se kishte aplikuar për kredi të butë, fillimisht në vitin 2006 kur nuk kishte pasur pronë, ndërsa vuri në dukje se ai kishte nënshkruar dokumente ku deklaronte mungesën e pasurive të paluajtshme në pronësi vetëm pak ditë pasi kishte bërë kontratën me vëllanë, i cili merrte përsipër kredinë për shtëpinë e parë.

KPA në shumicë bie dakord me KPK-në se ish-gjyqtari në fakt nuk hoqi dorë asnjëherë prej apartamentit në fjalë dhe vazhdoi ta kishte atë në posedim. Fakti që pas disa vitesh ai ribëri një kontratë shkëmbimi me të vëllanë për ta rimarrë këtë apartament sërish në pronësi, por pa ndryshuar se cili prej tyre paguante kredinë, dëshmon sipas shumicës se ai nuk kishte hequr asnjëherë dorë nga kjo shtëpi.

Duke iu referuar pohimit të vetë Metallës, KPA thotë se kredia e butë që shërbeu fillimisht për blerjen e një apartamenti 7.5 milionë lekë në Tiranë, u përdor përfundimisht për të financuar pronën që ai kishte blerë ndërkohë që prej vitit 2008.  “Kjo kredi e fituar për të përmbushur nevojat për strehim të subjektit në vendin ku ushtronte detyrën, sipas pohimeve të subjektit, rezulton të jetë përdorur për të financuar investimin e tij fillestar në apartamentin që posedonte në Tiranë,” thuhet në vendim.

Vendndodhja e apartamentit që u ble ishte po ashtu pjesë e debatit. Ish-gjyqtari, që atëherë drejtonte Gjykatën e Apelit në Durrës, i kishte lindur e drejta sipas shumicës të merrte një banesë në vendin ku ushtronte profesionin.

Por shumica thotë se Metalla u përfshi në transaksione fiktive me të vëllanë dhe se kreu një mori transaksionesh përfshi kontrata me kompani ndërtuese në Durrës dhe në Tiranë, të cilat u prishën më pas me marrëveshje, në mënyrë që paratë të kalonin në llogarinë e babait të tij dhe të përdoreshin më pas për blerjen e një apartamenti në kryeqytet.  Kolegji shpehet se nënshkrimi dhe më pas prishja e kontratave në Durrës dhe kthimi pas i parave jo te vetë Metalla, por te babai i tij, dëshmonin se ai ishte i ndërgjegjshëm “ për kushtin gjeografik të përfitimit të kredisë” dhe se veprimet synonin shmangien e këtij kushti.

Duke u shprehur se kredia e butë ishte përfituar në shkelje të kritereve ligjore, shumica arsyetoi se “kjo mënyrë sjelljeje e subjektit të rivlerësimit tregon qasjen e tij në raport me respektimin e ligjit”. Sipas shumicës, bazuar në Kodin e Etikës së Gjyqtarëve në Shqipëri dhe Parimet e Bangalores, sjellja e Metallës binte ndesh me sjelljen që duhej të kishte një gjyqtar.

Shumica arsyetoi pjesërisht në favor të Metallës sa i përket barrës së provës së kaluar për të vëllanë. Në këtë pikë, KPA pranoi se ajo nuk kishte qenë porporcionale. Por Kolegji doli me arsyetimin se marrëdhënia e tij me vëllanë, përfshi marrja përsipër e kredisë tregtare, shkëmbimi i apartamenteve, shitja e një makine dhe një hua për makinë në vitin 2004, e bënin atë person të lidhur.

“Në rastin konkret, barra e provës proporcionale do të duhet të përfshinte pasurinë objekt interesi pasuror – në këtë rast apartamentin në pronësi të z. E. M., likuiditetet në vlerën 1 milionë lekë dhe huanë në vlerën 1.700 euro për blerjen e automjetit në vitin 2004,” thuhet në vendim.

Kolegji, ngjashëm si Komisioni doli në përfundimin se vëllai i ish-gjyqtarit nuk kishte pasur burime të ligjshme financiare për të justifikuar “dhënien e shumës prej 1.000.000 lekësh në vitin 2011 dhe vendosjen e pasurisë apartament, të blerë në vitin 2008, si garanci subjektit të rivlerësimit”.

Pakica kundër vendimit të KPK-së  

Dy gjyqtaret në pakicë, Albana Shtylla dhe Ina Rama e vlerësuan ndryshe rastin e Ervin Metallës. Ato arsyetuan në një mendim paralel se vendimi i Komisionit ishte i cënueshëm dhe se veprimet e konsideruara fiktive nuk duhej të shiheshin si të tilla.

Pakica bazohet kryesisht në parashikimet e ligjit për kredinë e butë, që u mundësonte zyrtarëve përfitues edhe zëvendësimin e një kredie tregtare dhe po ashtu edhe në faktin që përfitimi final i subjektit ishte vetëm banesa. Po ashtu, pakica kundërshtoi edhe konsiderimin e vëllait si person i lidhur, duke cilësuar se kontratat mes vëllezërve Metalla nuk kishin sjellë ndryshime të pasurisë.

Përfshirja e shkeljes “cenimi i besimit të publikut te drejtësia” në vendimin e KPA-së, sipas dy gjyqtareve në pakicë kërkon rihapje të hetimit në dy kriteret e tjera.

Konkretisht, pakica kundërshtoi gjetjet se kontratat e nënshkruara ishin të pavlefshme. “Kontrata paraprake e shitjes e cituar më lart, rezulton se ka prodhuar në fund pasojat e saj ligjore, të cilat janë ato të dëshiruara e të deklaruara në përmbajtjen e saj për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi objektin e shitjes nga shitësi te blerësi,” thuhet në arsyetim duke iu referuar kredisë së vitit 2007.

Sa i përket çmimit, gjyqtaret arsyetojnë se ndryshimi i tij nuk passjellë pavlefshmëri të kontratës dhe as fiktivitet të saj. Pakica shprehet se e gjithë kjo mund të ishte një proces civil mes dy palëve, por nuk mund të ishte objekt i rivlerësimit.

Ngjashmërisht, duke përdorur si argument se veprimet juridike kishin sjellë pasojat për të cilat ishin kryer, pakica arsyetoi se kalimi i apartamentit të parë te vëllai dhe marrja e tij pas më vonë, pas përfitimit të kredisë së lehtësuar nuk mund të quheshin veprime fiktive.

“Duke konsideruar këto rrethana, vlerësojmë se as ky veprim juridik nuk është një veprim i pavlefshëm, për shkak të parashikimit të nenit 92, germa “ç” e Kodit Civil, për sa kohë ai ka prodhuar pasojat e dëshiruara prej palëve e të deklaruara në përmbajtjen e tij,” thuhet në mendimin e pakicës.

Duke iu referuar morisë së veprimeve juridike dhe kontratave që rezultuan me blerjen e një apartamenti në Tiranë, në vend të atij të porositur në fillim në Durrës, pakica arrin në të njëjtin përfundim edhe pse pranon se veprimet ishin të vështira për t’u kuptuar.

“Pavarësisht kompleksitetit të realizimit të këtyre veprimeve juridike të sipërcituara mes palëve e vështirësisë për të kuptuar mekanizmin e tyre, në vlerësimin e pakicës, nuk konstatohen në këto veprime elemente që mund të shkaktojnë pavlefshmëri apo kundërshti me urdhërimet e parashikuara në ligj,” thuhet në arsyetim.

Duke marrë parasysh argumentet mbrojtëse të Metallës, pakica vuri në dukje se i vetmi përfitim i subjektit nga gjithë lëvizjet e ndërmarra me kredi dhe kontrata ishte një banesë. Gjyqtaret në pakicë e lidhin këtë përfundim me faktin se kredia lehtësuese është përdorur për strehim dhe jo për luks apo për banesë të dytë.

“Ajo që duket se prevalon në këtë analizë, është mungesa e qëllimit për të shtuar pasuri apo për t’i siguruar vetes e familjes banesa luksi apo banesa jo të domosdoshme për strehim në kurriz të taksapaguesve e duke shfrytëzuar funksionin,” thuhet në arsyetim.

Pakica po ashtu duke iu referuar udhëzimit për kredinë lehtësuese pretendon se Metalla kishte pasur automatikisht të drejtë të merrte një kredi të butë për të zëvendësuar kredinë tregtare. Duke iu referuar udhëzimit, pakica thotë se “ky rregullim lejonte dhe mundësonte që subjektet përfituese mund të aplikonin për të fituar kredi me kushte lehtësuese edhe në kushtet e pasjes së një kredie tregtare që kishte financuar blerjen e banesës që siguronte strehimin për ta”.

Nisur prej kësaj pike, pakica pretendon se veprimet edhe pse të komplikuara të subjektit nuk kishin në përfundim qëllim tjetër përpos sigurimit të banesës dhe që ishte edhe qëllimi i kredisë së butë.

Po ashtu, shumica kundërshtoi trajtimin e vëllait si person i lidhur. Duke pranuar argumentet e Metallës, dy gjyqtaret thanë se marrëdhëniet mes dy vëllezërve nuk ishin as në formën e dhurimit dhe as të huasë, por kontraktore. Ndërsa kthimi pas i një shume prej 1 milion lekësh nga vëllai te ish-gjyqtari u konsiderua si kthim i shpenzimeve që Metalla kishte kryer në blerjen e apartamentit të parë.

“Në këtë kuptim, kjo shumë nuk përbën dhe as përfaqëson një vlerë të shtuar të pasurisë së subjektit, por vetëm rikthim të një pasurie që ai e kishte nxjerrë më parë prej disponimit të tij për shkak të pagimit të detyrimeve kontraktuale me bankën,” thuhet në arsyetim. Ngjashmërisht arsyetohet për vendosjen kolateral të apartamentit nga vëllai dhe daljen garant në marrjen e kredisë së butë.

Dy gjyqtaret u shprehën gjithashtu kundër përfundimit se Metalla kishte “cenuar besimin e publikut te drejtësia” në vendimin e KPA-së. Ato e cilësuan këtë përfundim në shkelje të procesit të rregullt, duke rënduar “pozitën e subjektit të rivlerësimit në gjykim”, pa i dhënë atij mundësinë e mbrojtjes.

Pakica argumenton gjithashtu se për t’u konsideruar një subjekt në shkelje të pikës pesë të nenit 61 të ligjit për vetingun, duhej që ai të ishte hetuar më herët në të tre kriteret. “Në vlerësimin tonë kushtëzon zbatimin e këtij rasti si shkak shkarkimi vetëm pasi janë vlerësuar të tre kriteret e procesit të rivlerësimit dhe nuk mund të jetë i aplikueshëm vetëm me kontrollin e verifikimin e vetëm një kriteri,” thuhet në arsyetim.

Duke u nisur nga kjo pikë, dy gjyqtaret propozuan që vendimi të prishej dhe të rikthehej për shqyrtim të dy kritereve të tjera në KPK. Ato arsyetuan se kjo nuk binte në kundërshtim me ndalimin kushtetues të kthimit të vendimeve pas në KPK për rishqyrtim, pasi dy kriteret në fjalë nuk ishin shqyrtuar.

“Komisioni nuk ka kryer një hetim apo vlerësim për kriteret e tjera të procesit të rivlerësimit, atë të kontrollit të figurës dhe të aftësive profesionale, situatë që nuk vendos dërgimin e çështjes në Komision në të njëjtën pozitë procedurale me rishqyrtimin për të cilin shprehet me ndalim neni F i Aneksit të Kushtetutës,” përfundojnë gjyqtaret Shtylla dhe Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *