Ish-prokurori Besnik Cani dhe avokati i tij, Eduard Halimi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: LSA
Korrupsioni KPA Lajme Në Fokus

Anëtari i KLP, Besnik Cani sfidon legjitimitetin e dy anëtarëve të Kolegjit

Prokurori Besnik Cani u paraqit para Kolegjit me një kallëzim penal në SPAK për gjyqtarin Luan Daci dhe kërkesën për përjashtim të tij dhe të relatorit Ardian Hajdari, që sipas tij janë zgjedhur në kundërshtim me ligjin. Kërkesa e tij pritet të shqyrtohet nga një trupë tjetër e KPA-së.

Prokurori Besnik Cani dhe avokati i tij, Eduard Halimi të hënën në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: LSA

Anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani zgjodhi sulmin si strategji mbrojtëse ndaj Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të hënën, ku po përballet me kërkesën për shkarkim të Komisionerit Publik.

Përmes avokatit të tij, Eduard Halimi, Cani vuri në dyshim legjitimitetin e dy anëtarëve të trupës gjykuese, Luan Daci dhe Ardian Hajdari, ky i fundit në cilësinë e relatorit të çështjes, dhe kërkoi përjashtimin e tyre.

Halimi tha se klienti i tij ka kallëzuar penalisht anëtarin e KPA-së, Luan Daci për veprën e falsifikimit të formularit të deklarimit në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

“Klienti im, z. Besnik Cani, gjatë këtyre ditëve është vënë në dijeni se anëtarët e trupës gjykuese, Luan Daci dhe Ardian Hajdari janë në kushtet e mbarimit të mandatit për shkak të pavlefshmërisë së emërimit të tyre dhe për këtë arsye kërkon përjashtimin e tyre,” tha Halimi.

Halimi argumentoi se për zhvillimin e një procesi të rregullt duhej që formimi i gjykatës të ishte kryer bazuar në legjislacionin përkatës, duke shtuar se edhe anëtarët duhej të ishin zgjedhur po në mënyrë të ligjshme. Halimi evidentoi edhe nevojën e paanshmërisë së anëtarëve të trupës gjykuese dhe kërkoi pezullimin e procesit deri në përfundimin e mandatit të Canit si anëtar i KLP-së dhe mospranimin e ankimit të Komisionerit Publik.  Për këtë të fundit, Kolegji vendosi të shprehet në një fazë tjetër ose gjatë vendimit përfundimtar.

Besnik Cani e kaloi fazën e parë të vetingut më 27 nëntor 2018, ndonëse 3 çështje që lidheshin me etikën dhe profesionalizmin u dërguan për inspektim. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkoi ankimin e vendimit përmes një rekomandimi, ndërsa Komisioneri Publik kërkon në Kolegj shkarkimin e tij.

Në Kolegj, Cani po gjykohet nga trupa e drejtuar nga Rezarta Schuetz, me relator Ardian Hajdarin dhe anëtarë Albana Shtylla, Luan Daci dhe Sokol Çomo.

Akuzat për anëtarët e KPA

Avokati i Besnik Canit, Eduard Halimi pretendoi në seancë se si gjyqtari Luan Daci ashtu edhe Ardian Hajdari janë në kushtet e mbarimit të mandatit, për shkak të pavlefshmërisë së emërimit të tyre.

Halimi shtoi se subjekti i rivlerësimit ishte vënë në dijeni gjatë këtyre ditëve për pavlefshmërinë e emërimit të tyre dhe përveç kërkesës për përjashtim, ka dorëzuar edhe një kallëzim penal në SPAK.

Sipas Halimit, relatori Ardian Hajdari është emëruar në kundërshtim me legjislacionin pasi e ka pasur mesataren 6.4 ndërkohë që për t’u kualifikuar i duhej mesatarja mbi 8.

“Kur është pyetur lidhur me kualifikimet e mëpasshme, ka shpjeguar se nuk ka tituj,” tha Halimi duke iu referuar përzgjedhjes së Hajdarit në KPA. Sipas Halimit, Hajdari ka dorëzuar gjatë aplikimit të dhëna me mesatare më të lartë sesa realja.

Për anëtarin tjetër të KPA-së, Luan Daci, Halimi tha se ka fshehur faktin e shkarkimit për paaftësi.

“Komisioni e ka pyetur lidhur me largimin nga puna si gjyqtar dhe ai ka dhënë se ka ikur me dorëheqje, ndërkohë që është shkarkuar,” tha Halimi.

Për pjesën tjetër të kërkesës, Halimi e vuri theksin në moscënimin të drejtave të njeriut. Ai e bazoi argumentin e tij në 18 vendime të Gjykatës së Strasburgut, 4 vendime të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë dhe 2 vendime të Gjykatës Kushtetuese të cilat i parashtroi me radhë.

“Duke qenë se z.Cani ka kërkuar mbarimin e mandatit të Hajdarit dhe Dacit dhe për shkak se ndaj këtij të fundit ka kryer edhe kallëzim penal, subjekti nuk mund të jetë i paparagjykuar. Subjekti e ka humbur besimin tek dy anëtarët dhe kërkoj përjashtimin e tyre,” tha Halimi, duke shtuar se si anëtar i KLP-së ai e kishte detyrim që të denonconte paligjshmëritë.

Pas interesimit të vëzhgueses ndërkombëtare, Mia Roessingh lidhur me dyshimin për mungesën e paanshmërisë së gjyqtarëve, Halimi shpjegoi sërish se gjyqtarët Hajdari dhe Daci e humbasin mandatin, i pari për shkak të mesatares së ulët dhe tjetri për shkak të deklarimit se ishte larguar me dorëheqje, kur sipas tij ishte shkarkuar.

“Duke qenë se kërkesa për përjashtimin e tyre do të gjykohet nga një tjetër trupë gjykuese, si edhe për shkak të kallëzimit penal, ata nuk mund të jenë të paanshëm,” shtoi avokati.

Kolegji u tërhoq për rreth një orë dhe kryesuesja Rezarta Schuetz u shpreh se kishin njohur kryetaren e KPA-së me kërkesat dhe se do të hidhet shorti për caktimin e një tjetër trupe gjykuese.

Kolegji vendosi vazhdimin e gjykimit dhe sqaroi se gjyqtarët Daci dhe Hajdari mund të vazhdonin të ishin pjesë e trupës deri në dhënien e vendimit për kërkesën, por nuk mund të merrnin pjesë në vendimarrje për procesin e Canit.

Dy anëtarët e trupës gjykuese të KPA-së, Luan Daci dhe Ardian Hajdari nuk iu përgjigjën një kërkese për koment të dërguar përmes zëdhënëses deri në publikimin e këtij shkrimi.

Parashtrimet e palëve

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa tha se u qëndronte shkaqeve të ankimit të tij. Në ankimin për Besnik Canin, Komisioneri Publik kërkon shqyrtimin e disa çështjeve të lidhura me etikën dhe profesionalizmin; për të cilat KPK shmangu vendimarrjen duke i referuar ato për inspektime disiplinore.

Çështjet e transferuara nga KPK lidhen me një kontratë të nënshkruar mes Canit dhe kompanisë “Kastrati”, përfitimin prej tij të statusit si i pastrehë nga bashkia e Fierit si dhe tre dosje hetimore ku janë vërejtur hetime të mangëta.

Për kontratën me kompaninë Kastrati, Komisioneri Publik arrin në përfundimin se ndonëse është emërtuar “kontratë qeraje”, ajo është “de facto” një marrëdhënie tregtare ku subjekti është pjesëmarrës në fitimin e shoqërisë, duke konsideruar se kjo gjë bie ndesh me detyrimet ligjore dhe etike të tij. Komisioneri Publik konstaton gjithashtu se Cani ka cenuar etikën e magjistratit edhe në rastin e përfitimit të statusit të pastrehë nga bashkia e Fierit, në kundërshtim me kriteret ligjore. Si probleme për profesinalizimin në ankim ngrihen edhe disa çështje penale në prokurorinë e Fierit dhe atë të Elbasanit.

Parashtrimet prej 107 faqesh u lexuan pjesërisht nga prokurori Besnik Cani dhe pjesërisht nga avokati i tij. Ky i fundit u përqendrua në legjislacionin që rregullon rivlerësimin e magjistratëve. Sipas Halimit, ka pasur raste kur vendimet nuk janë ankimuar edhe kur ka pasur raste të konfliktit të interesit. Ai shtoi se në rastin e Canit është ankimuar përfitimi i statusit si i pastrehë, edhe pse ai nuk ka përfituar asgjë nga ky status.

Më pas, Halimi tha se ligjëvënësi ka përcaktuar se shkarkimi i subjektit të rivlerësimit për kriterin e pasurisë kryhet kur nuk arrihet të justifikohet dyfishi i saj. Duke kujtuar informalitetin në Shqipëri gjatë viteve të tranzicionit, Halimi tha se ekspertët e reformës kanë përcaktuar që të prezumohet pafajësia kur nuk tejkalohet dyfishi i mundshëm i pasurisë.

Halimi u ndal edhe në kontratën me shoqërinë “Kastrati”, duke shpjeguar se Cani në asnjë rast nuk është në kundërshtim me ligjin. Duke fajësuar parashikimet e Kodit Civil për llojet e kontratave të qirasë, Halimi tha se nuk janë kryer ndryshimet e nevojshme për t’u përshtatur me dinamikën e tregut real.

“Është një marrëdhënie normale. Nuk ka pasur procese mes shoqërisë dhe Canit,” tha Halimi i cili shtoi se edhe për çështjet e tjera, ILDKPKI ka konstatuar se nuk ka konflikt interesi.

Cani e përqendroi mbrojtjen e tij në shkaqet konkrete të Komisionerit për pasurinë dhe profesionalizmin. “Jam këtu për të diskutuar dinjitetin tim dhe të familjes,” tha ai.

Ai pohoi se nuk kishte përfituar asgjë nga llogaritë e shtetit duke shpjeguar se edhe nga statusi si i pastrehë në Fier nuk kishte përfituar asgjë. Lidhur me pushimin e kallëzimit të disa qytetarëve për zyrtarët e Bashkisë Fier për shpërndarjen e banesave sociale, Cani shpjegoi se pasi gjykata kishte urdhëruar rihetim, e kishin regjistruar si procedim dhe nuk kishin kryer ankim.

“Kam caktuar një prokuror ta hetojë. Dosja ka mbërritur në gjykatë dhe është vendosur pafajësi në të dy shkallët. Vetë KPK thotë se s’ka asnjë provë që të kem favorizuar kryebashkiakun apo anëtarët e këshillit,” shpjegoi ai.

Cani theksoi se figura e tij ishte e pastër. “Nëse do të kishte pasur informacione për figurën, atëherë mund të përbënin sens të tjerat. Për figurën falënderoj Besnik Canin që e ka mbajtur të tillë,” tha ai.

Për vlerësimin profesional, Cani kërkoi që KPA të zbatonte metodologjinë e miratuar nga ajo vetë për gjyqtarin Gentian Medja. Halimi dhe Cani depozituan prova të reja lidhur me shkaqet e ankimit të Komisionerit për pasurinë dhe profesionalizmin. Në fund të fjalës së tij, Cani kërkoi konfirmimin në detyrë ose lënien në fuqi të vendimit të KPK.

KPA vendosi ta shtyjë seancën për datën 11 shkurt, ora 10:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *