Prokurori Elvin Gokaj në seancën e parë përballë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Foto: KPA
Artikull kryesor Lajme Lajme Vendi

KPA i jep detyrë për herë të dytë Komisionerit të analizojë depozitat e familjes së prokurorit Gokaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit i kërkoi Komisionerit Publik që të kryejë analizën financiare mbi mundësinë e familjes së prokurorit të Apelit Shkodër Elvin Gokaj për investimin e gjysmës së vlerave në depozitat dyemërore të bashkëshortes me nënën e tij, duke i referuar edhe metodologjinë që duhet të ndjekë.

Prokurori Elvin Gokaj në seancën e parë përballë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Foto: KPA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i la detyrë për herë të dytë Komisionerit Publik Dariel Sina që të kryejë analizën financiare lidhur me shkakun e ankimit se, prokurori Elvin Gokaj dhe bashkëshortja nuk kanë pasur mundësi financiare për të investuar në llogaritë dyemërore me nënën e subjektit.

I pyetur nga kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Natasha Mulaj, Komisioneri konfirmoi edhe në seancën e të premtes se u qëndronte shkaqeve të ankimit, ku ai pretendon se Gokaj ka qenë në pamundësi financiare për pagesën e këstit të parë për një apartament në Durrës dhe për investimin në depozitat dyemërore me titullare bashkëshorten dhe nënën e tij.

KPA vendosi më 6 tetor të çelë shqyrtimin gjyqësor lidhur me prokurorin e Apelit të Shkodrës, Elvin Gokaj – i pezulluar nga detyra për të ndjekur trajnimin 1-vjeçar të detyrueshëm në Shkollën e Magjistraturës. Vendimi i KPK u ankimua në Kolegj si nga Komisioneri Publik që pretendon balanca negative në kriterin e pasurisë, ashtu edhe nga vetë Gokaj i cili e quan të padrejtë e të pabazuar në prova pezullimin nga detyra.

Përfaqësuesja ligjore e prokurorit Gokaj, avokatja Romina Zano këmbënguli se shkaqet e ngritura nga Komisioneri nuk qëndronin. Ajo shpjegoi se për pagesën e këstit të parë të apartamentit në Durrës në vitin 2009, kishin shërbyer edhe të ardhurat nga paga e subjektit gjatë vitit 2008 në vlerën totale 1.7 milionë lekë. Zano tha se më 31 dhjetor 2008, në llogarinë e subjektit të rivlerësimit nuk ka pasur gjendje, gjë që sipas saj tregon se pagat janë tërhequr.

Ajo pretendoi se një pjesë e vlerës së pagave kishte shërbyer për shpenzime jetike, ndërsa pjesa tjetër ishte kursyer dhe kishin shërbyer për pagesën e këstit të parë. “Nëse përfshihen pagat e vitit 2008, balanca negative e konstatuar nga Komisioneri Publik për pagesën e këstit të parë të apartamentit, ikën”, tha Zano.

Ajo shpjegoi se deklarimi në vitin 2009 se, për pagesën e këstit të parë kishin qenë pagat e bashkëshortes, kishte qenë një pakujdesi e prokurorit Gokaj që ishte korrigjuar prej tij në vitin 2010.

Për pagesën e këstit të dytë, Zano tha se Gokaj kishte shpjeguar në deklaratat periodike që kishte marrë hua të cilën e kisht shlyer pas maturimit të një depozite.

Komisioneri Sina e pyeti prokurorin Gokaj se çfarë marrëdhënie kishte pasur me huadhënësin, pasi ndaj këtij të fundit ishte regjistruar një procedim në prokurorinë ku punonte subjekti, ditën që ishte dhënë borxhi.

Gokaj shpjegoi se huadhënësi ishte një mik i vjetër i familjes. Ai shtoi se nuk kishte qenë në dijeni të kallëzimit dhe se në atë kohë ishte transferuar në një prokurori tjetër. “E kam mësuar kur është arrestuar për shpërdorim detyre. S’ka lidhje mes huasë dhe kallëzimit”, pohoi Gokaj.

I pyetur nga avokatja Zano se cili ishte qëllimi i pyetjes, Komisioneri Sina u përgjigj se nuk ishte një pretendim, por thjesht e ndihmonte për të krijuar bindjen e brendshme.

Për llogaritë bankare dyemërore, Zano tha se vijonin me të njëjtin qëndrim, se vlerat i përkasin prindërve të subjektit dhe nënës se bashkëshortes së tij, ndërsa kjo e fundit kishte qenë e autorizuar për kryerjen e veprimeve, kur ato nuk kishin mundësi. “Bashkëshortja e subjektit nuk ka kryer asnjëherë depozitime cash pa qenë nëna e tij e pranishme”, tha Zano.

Ajo solli në vëmendje se në dokumentacionin e bankave pasqyrohej se depozitat kishin pasur burim krijimi të ardhurat nga emigracioni, ndërkohë që bashkëshortja e Gokajt nuk kishte disponuar ndonjëherë të ardhura të tilla. Zano tha se llogaritë dyemërore kishin qenë të shoqëruara me llogari rrjedhëse ndihmëse dhe se veprimet e bashkëshortes së Gokajt nuk ishin transaksione, por urdhërxhirime të brendshme. Sipas Zanos, llogaritë rrjedhëse ndihmëse hapeshin nga vetë banka për të depozituar kapitalin dhe interesin pas maturimit të depozitës.

Ajo shtoi se në depozitat në Raiffeisen Bank, bashkëshortja e subjektit figuronte si person i autorizuar. Ndërkohë, pas kalimit të depozitave të nënës së subjektit në bankën Credins për shkak të interesave më të larë, u kishin thënë se nuk mund të përcaktonin person të autorizuar, por se llogaritë mund të hapeshin si dyemërore. Sipas Zanos, shkak për hapjen e depozitave dyemërore ishte fakti se nëna e subjektit jetonte jashtë shtetit dhe se ishte e moshuar. Në këto kushte autorizonte bashkëshorten e djalit për kryerjen e veprimeve kur e kishte të pamundur.

“Bashkëshortja e subjektit nuk ka asnjë pjesë tek depozitat dyemërore dhe nuk duhet të llogaritet si pjesë takuese 50% e vlerës së tyre”. tha Zano.

Ajo kërkoi që në analizën financiare të Komisionerit të uleshin shpenzimet e udhëtimit jashtë shtetit, duke pretenduar se kishin dorëzuar prova që vërtetonin se bashkëshortja e subjektit i kishte pasur të mbuluara nga punëdhënësi.

“Kjo analizë nuk është në përputhje me provat dhe ligjin” tha Zano.

Komisioneri e pyeti prokurorin Gokaj lidhur me një llogari bankare të hapur në vitin 2012 nga bashkëshortja e tij, ku ajo kishte depozituar 5 mijë euro dhe më pas e kishte kthyer në llogari dyemërore. Avokatja Zano shpjegoi se kjo vlerë ishte marrë një ditë pasi kishte kaluar në depozitën dyemërore dhe ishte kaluar sërish në llogari personale të bashkëshortes së prokurorit Gokaj.

Gokaj u pyet edhe lidhur me një depozitë dyemërore të bashkëshortes me nënën e saj, ku ajo kishte depozituar një vlerë që më pas ia ka dhënë nënës së subjektit. Zano shpjegoi se vlera e depozituar në llogarinë e nënës së bashkëshortes së subjektit, përfaqësonte një huamarrje për llogari të nënës së Gokajt. Sipas Zanos, duke qenë se vlera e huas ishte kthyer në lekë dhe llogari bankare në këtë monedhë ishte një depozitë dyemërore e bashkëshortes së Gokajt dhe nënës së saj, e kishte depozituar aty vlerën.

“Nëna e subjektit nuk ishte në Shqipëri dhe nuk mund të hapej llogari në emër të saj. Dy muaj më vonë kjo vlerë është tërhequr nga bashkëshortja e subjektit prej llogarisë së nënës së saj dhe është depozituar nga nëna e subjektit në llogarinë e saj”, sqaroi Zano.

Në përfundim të shpjegimeve, Zano u pyet nga relatorja Shtylla për qëndrimin përfundimtar lidhur me pjesën takuese të llogarive dyemërore. “Nuk janë të ardhurat e subjektit dhe të bashkëshortes së tij, nuk u përkasin atyre, por prindërve”, pohoi avokatja Zano.

Në vijim, Komisioneri u pyet nga relatorja e çështjes Albana Shtylla nëse i qëndronte hetimit të gjithanshëm për shkaqet e ngritura dhe për metodologjinë që kishte ndjekur për kryerjen e analizës financiare.

Komisioneri shpjegoi se verifikonte prejardhjen e të ardhurave dhe se konstatohej mbi mundësinë financiare në fund të vitit. “Për llogaritë bankare dyemërore vlerësojmë se nëna e subjektit ka pasur mundësi financiare për 50% të vlerave, por kemi pretendime për pjesën takuese 50% të bashkëshortes”, pohoi Sina.

Pasi u tërhoq për të disatën here gjatë seancës së të premtes, KPA vendosi ti lërë sërish detyrë Komisionerit Publik për të hartuar analizë financiare për mundësinë e subjektit dhe bashkëshortes së tij në krijimin e gjysmës së vlerave të depozitave dyemërore.

Sina pretendoi se në analizën financiare të dorëzuar më 4 tetor kishin dhënë shifra konkrete për llogaritë dyemërore.

“Ju konstatoni mundësinë e burimeve financiare deri në fund të vitit. Për sa kohë konfirmoni se depozitat dyemërore janë të përbashkëta, duhet ta bëni analizën për mundësinë financiare në datën e krijimit të tyre”, kërkoi relatorja Shtylla dhe disa nga anëtarët e trupit gjykues të Kolegjit e pyetën Sinën nëse ishte i qartë.

Pasi Sina u shpreh se ishte i qartë, Kolegji i kërkoi që të përgatisë dhe paraqesë analizën financiare më datë 9 nëntor.

Trupi gjykues i KPA i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, me relatore Albana Shtylla dhe anëtarë Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo vendosën të shtyjnë seancën më datë 11 nëntor, ora 12:00.

Në përfundim, Kolegji i kërkoi prokurorit Gokaj që në seancën e ardhshme të paraqesë qëndrimin e tij për analizën e re të Komisionerit. Gjithashtu, palëve iu kërkua që të kenë të përgatitura edhe konkluzionet përfundimtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *