KPK duke shpallur një vendim | Foto : LSA
KPK Lajme Vendi

Gjyqtari Ahmet Metaliaj u dorëhoq pasi u njoh me rezultatet e vetingut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të ndëpresë procesin e rivlerësimit për gjyqtarin e Tiranës, Ahmet Metaliaj për shkak të dorëheqjes së tij nga detyra pasi u njoh me rezultatet e hetimit administrativ që kishte nisur para një viti e gjysmë.

KPK duke shpallur një vendim | Foto : LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 30 gusht 2021, të ndëpresë procesin e vetingut për gjyqtarin e Tiranës, Ahmet Metaliaj dhe t’i heqë të drejtën për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme, pas dorëheqjes së tij nga detyra.

Në vendimin e arsyetuar të KPK-së thuhet se procesi i rivlerësimit për gjyqtarin Metaliaj ka filluar në nëntor të vitit 2019. Më 11 maj Komisioni i ka njoftuar Metaliajt rezultatet e hetimit administrativ, ndërkohë një muaj më vonë subjekti ka njoftuar se ka paraqitur pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGj kërkesën e tij për dorëheqje.

Me vendimin e datës 6 korrik 2021, KLGj ka deklaruar mbarimin e statusit të magjistratit për Metaliajn për shkak të dorëheqjes së tij. Megjithëse Komisioni i ka dhënë Metaliajt të drejtën për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore, ai e ka refuzuar.

Bazuar në legjislacionin për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe në jurispudencën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, trupi gjykues i kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Valbona Shanxhaktarin dhe anëtare Brunilda Bekteshin, ka vendosur ndëprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për gjyqtarin Ahmet Metaliaj. Gjithashtu, është vendosur edhe dalimi i emërimit të tij, si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë e Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Bashkëshortja e gjyqtarit Ahmet Metaliaj, gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, Enkelejda Metaliaj u konfirmua në detyrë më 26 prill, pasi Komisioni vendosi ta përjashtojë nga barra e provës për një apartament që u konsiderua se ishte krijuar nga bashkëshorti para martesës mes tyre.

Ajo kishte deklaruar blerjen e dy apartamenteve në shtator të vitit 2011 në Tiranë, një me sipërfaqe 96 m2 për çmimin 30 mijë e 720 dollarë dhe tjetrin me sipërfaqe 76 m2 në shumën 24 mijë e 320 dollarë. Metaliaj ka shpjeguar se këto apartamente ndodhen në të njëjtin kat të të njëjtit pallat dhe se janë të bashkuara.

Komisioni nuk i kaloi barrë prove gjyqtares Metaliaj për burimin e krijimit të apartamentit me sipërfaqe 96 m2, duke konkluduar se është është provuar që kjo pasuri të jetë krijuar para lidhjes së martesës nga bashkëshorti i subjektit, i cili edhe ai ishte subjekt i ligjit të rivlerësimit dhe në atë kohë po kryhej tjetër proces vetingu.

Komisioni është ndalur gjatë në analizën e burimit të krijimit të apartamentit tjetër bashkëngjitur, me sipërfaqe 76 m2. Si burim financiar për blerjen e kësaj pasurie, Metaliaj ka deklaruar një hua të marrë nga bashkëshorti prej vëllait të tij, në shumën 35 mijë euro.

Megjithëse gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar më 25 mars, u evidentua se nga hetimi administrativ paraprak ishte konstatuar mungesë dokumentacioni për të provuar ligjshmërinë e huasë së dhënë nga kunati, KPK konkludoi se gjyqtarja Metaliaj, me shpjegimet, provat dhe interpretimin ligjor, arriti të provojë burimin e ligjshëm.

Pasaktësitë në deklarimin e pasurive u çmuan të mjaftueshme për shkarkimin e saj, pasi sipas Komisionit, nuk është konstatuar që të kenë ndikuar në cënimin e burimit të krijimit të pasurive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *