Gjyqtarja Marinela Osmani në KPA | Foto: BIRN/ Vladimir Karaj
KPA Lajme Veting

Komisioneri Publik kërkon lënien në fuqi të konfirmimit të Marinela Osmanit

Komisioneri Publik Florian Ballhysa paraqiti të martën më 24 maj në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA konkluzionet përfundimtare lidhur me ankimin e kryer prej tij ndaj vendimit të Komisionit për gjyqtaren Marinela Osmani, duke kërkuar lënien në fuqi të konfirmimit të saj në detyrë.

Më parë, në ankim dhe në parashtrime, komisioneri kërkoi që Kolegji të japë orientim për çështje të ngjashme dhe të vendosi në mënyrë alternative për lënien në fuqi të vendimit të Komisionit ose ndryshimin e këtij vendimi.

Ashtu si dhe në parashtrime, edhe gjatë konkluzioneve përfundimtare palët u fokusuan mbi parimin e proporcionalitetit dhe të objektivitetit të aplikuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK në vendimin për konfirmimin në detyrë të gjyqtares Marinela Osmani. Kolegji i Posaçëm i Apelimit mbi të njëjtat prova vendosi shkarkimin e bashkëshortit të saj, ish-prokurorit Gentjan Osmani.

Ish-prokurori Gentjan Osmani u konfirmua në detyrë nga KPK më 2 gusht të vitit 2018, por u shkarkua nga KPA më 31 korrik 2019, pasi nga analiza financiare e kryer në shkallën e dytë u konkludua se gjendej në pamundësi për të justifikuar gjendjen cash dhe shpenzimet në vitet 2011 dhe 2013, duke rezultuar me balancë negative në shumën 1.7 milionë lekë.

Në rastin e gjyqtares Marinenla Osmani, Komisioni arriti në përfundimin se shkarkimi i subjektit mbi të njëjtat argumente dhe prova që shërbyen për largimin e bashkëshortit nga detyra do ishte jopropocional.

“Aplikimi i së njëjtës masë disiplinore ndaj subjektit të rivlerësimit me atë të bashkëshortit të saj, në vështrim të konstatimeve të renditura më sipër, nuk do të ishte as proporcional dhe as objektiv”, arsyetoi KPK.

Por, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM vërejti se çështjet e dy bashkëshortëve Osmani janë identike dhe u kërkoi komisionerëve që ta dërgojnë vendimin për konfirmimin e gjyqtares për interpretim në Kolegj.

Edhe gjatë konkluzioneve përfundimtare Ballhysa deklaroi se në ankim i është kërkuar Kolegjit që të parashtrojë zgjidhjen e rasteve të ngjashme kur subjektet e rivlerësimit janë persona të lidhur.

Ai solli në vëmendje një pjesë të vendimit për shkarkimin e ish-prokurorit Gentjan Osmani ku thuhet se vendimmarrja ndaj tij nuk mund të ndikojë në atë të bashkëshortes dhe se nuk mund të paragjykojë të drejtën e saj për një hetim të pavarur, të paanshëm dhe rivlerësim në përputhje me ligjin.

Sipas Ballhysës, në vendimin e Komisionit citohen rrethanat e çështjes, por nuk argumentohet mbi parimin e proporcionalitetit dhe të objektivitetit.

Ballhysa vlerëson se zbatimi i parimit të objektivitetit dhe i parimit të proporcionalitetit në vlerësimin e kriterit pasuror duhet të verifikohet rast pas rasti dhe bazuar në evidentimin e rrethanave objektive që dalin nga aktet e administruara në fashikujt e procedurës së rivlerësimit të bashkëshortëve. Sipas tij, pasi këto rrethana të vendosen përballë përfundimeve të arritura mbi mjaftueshmërinë e burimeve të ligjshme financiare të krijimit të pasurisë, të vlerësohet nëse gjen vend zbatimi i parimit të proporcionalitetit.

Ai kërkoi që mbi këto parime të vlerësohet duke u bazuar në verifikimin e deklarimeve periodike të subjektit, në deklaratën veting dhe në shpjegimet e dhëna prej saj gjatë hetimit administrativ. Po ashtu, Ballhysa kërkoi që Kolegji të evidentojë nëse pamjaftueshmëria financiare e konstatuar është e njëjtë për të dyja subjektet dhe nëse vjen si rezultat i shpenzimeve, investimeve dhe kursimeve të përbashkëta.

Komisioneri kërkoi të verifikohet edhe nëse balancat negative kanë të bëjnë me momentin e krijimit të ndonjë pasurie konkrete; për shtrirjen në kohë; për llojin dhe vlerën e pasurive të disponuara nga subjekti dhe bashkëshorti të krijuara me burime financiare të përbashkëta; si dhe nëse konstatohet fshehje apo deklarim i rremë.

Duke iu referuar vendimit të Komisionit, Ballhysa vëren se deklarimet e bashkëshortëve Osmani janë në harmoni; se pamjaftueshmëria financiare e konstatuar është e njëjtë dhe se për të njëjtën balancë negative është aplikuar shkarkimi për bashkëshoritn e subjektit; se balancat negative janë të shtrira në kohë dhe nuk lidhet me krijimin e ndonjë pasurie; nuk është gjetur deklarim i rremë, fshehje pasurie apo gjendja në kushtet e konfliktit të interesit.

“Pamjaftueshmëria financiare e konstatuar, parë nën dritën e parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit dhe vlerësimit tërësor të procedurës së rivlerësimit ku nuk janë konstatuar problematika në kontrollin e kriterit të figurës dhe kriterit të aftësive profesionale, çon në përfundimin se rëndesa e kësaj shkelje për të cilën është dhënë masa e shkarkimit për bashkëshortin e subjektit, është e tillë që lejon zbatimin e parimit të proporcionalitetit”, deklaroi Ballhysa dhe kërkoi që të lihet në fuqi konfirmimi i gjyqtares Osmani, si dhe të orientohet KPK mbi zbatimin e parimeve udhëzuese të proporcionalietit dhe objektivitetit për raste të ngjashme.

Gjyqtarja Osmani kërkoi në konkluzionet përfundimtare që vlerësimi i vendimarrjes së Komisionit, i kërkuar nga komisioneri të kryhet në respektim të një procesi të rregullt ligjor. Duke iu referuar përcaktimeve kushtetuese, ajo argumentoi se deklarata e pasurisë “veting” është e ndryshme dhe nuk ka të njëjtin efekt juridik me ato periodike.

“Kushtetuta e ka lidhur drejtpërdrejtë përgjegjësinë e subjektit të rivlerësimit me deklaratën ‘veting’ dhe jo me deklarimet e interesave private dhe pasurorë, të paraqitura më parë tek ILDKPKI-ja”, deklaroi Osmani. Ajo vërejti se deklaratat periodike mund të përdoren si provë, por se nuk mund të shërbejnë si shkak i vetëm për shkarkimin e subjekteve të rivlerësimit.

Subjekti renditi raportet pozitive që ka marrë nga institucionet e verifikimit, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI; Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK dhe Inspektoriati i ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Osmani solli në vëmendje konkluzionet e Komisionit në rivlerësimin e saj në të tre kriteret. Sipas saj, KPK ka çmuar se në vlerësimin e pasurisë, mbështetur në parimin e proporcionalitetit dhe objektivitetit, si dhe në bindjen e brendshme, subjekti i rivlerësimit me veprimet dhe mosveprimet e saj nuk ka cenuar besimin e publikut dhe se ka arritur nivel të besueshëm të vlerësimit të pasurisë. Po ashtu, është vlerësuar se ka arritur nivel të besueshëm për kontrollin e figurës dhe se ka arritur nivel kualifikues për profesionalizmin.

Sipas subjektit, megjithëse Komisioni ka konstatuar gjatë procesit të saj të njëjtën balancë negative, në vlerësimin tërësor e ka konsideruar të pamjaftueshme për shkarkim. Në vendimarrjen përfundimare të Komisionit është konsideruar edhe fakti se nuk janë gjetur probleme në dy kriteret e tjerë të rivlerësimit.

Në vijim Osmani u ndal në ndërvarësinë e proceseve të rivlerësimit të saj dhe të bashkëshortit. Ajo vërejti se hetimi ndaj saj është kryer mbi provat dhe çfarë ajo ka deklaruar gjatë procesit të bashkëshortit.

Duke iu referuar përcaktimeve kushtetuese dhe vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, GJEDNJ lidhur me gjënë e gjykuar, Osmani u shpreh se në rastin e saj, Kolegji e ka orientuar Komisionin drejt zbatimit të parimit të proporcionalitetit, që merret në konsideratë vetëm pas një hetimi të plotë të të tre kritereve në tërësinë e tyre.

Osmani deklaroi se balancat negative të konstatuara në vitet 2011 dhe 2013 janë rrjedhojë e pasaktësve në deklarime. Ajo u shpreh se këto pasaktësi nuk janë konstatuar më parë nga IDKPKI dhe se nuk janë vënë në dijeni se mund të sillnin pasoja, duke u konsideruar në të ardhmen në nivelin e deklarimit të pamjaftueshëm, ashtu si në rastin e bashkëshortit të saj.

Subjekti cilësoi si të rëndësishëm në vlerësimin tërësor faktin se nxjerrja e balancave negative në vitet 2011 dhe 2013 ka sjellë rritje të vlerës së likujditeteve  cash jashtë sistemit bankar, në një masë të barabartë. “Kjo vlerë është mbartur deri në vitin 2016 dhe nuk ka shërbyer si burim për krijimin e ndonjë prej pasurie dhe as nuk është deklaruar si pakësim”, pohoi Osmani.

Ajo e konsideroi këtë rrethanë si një indicie që hedh dritë mbi faktin se shuma është përdorur për shlyerjen e detyrimeve financiare të deklaruara në vitet kur konstatohen balancat negative, pavarësisht se nuk janë deklaruar si pakësime. Osmani theksoi se pasaktësitë në vitet 2011 dhe 2013 nuk shoqërohen me mungesë të burimeve të ligjshme pasi familja e saj ka patur likuiditete të mjaftueshme.

Në vijim, ajo analizoi mbi parimin e proporcionalitetit. Sipas Osmanit, në ligjin për vetingut e magjistratëve i është kushtuar rëndësi e veçantë bindjes së brendshme të gjyqtarit të krijuar nga vlerësimi i çështjes në tërësi.

Duke sjellë në vëmendje vendimet e KPK-së dhe të Kolegjit, Osmani vërejti se tashmë është konsoliduar qëndrimi se diferenca deri në shumën 10 mijë euro nuk mund të jetë shkak i vetëm shkarkimi.

“Ndryshimi i vendimit të Komisionit nuk është i nevojshëm për arritjen e qëllimit të përcaktuar në ligj, pasi cënon thelbin e të drejtave dhe interesave legjitime të mia si subjekt i rivlerësimit si dhe të familjes sime, duke më ngarkuar me një barrë të rëndë joproporcionale”, deklaroi ndër të tjera Osmani.

Marrjen e masës disiplinore ndaj saj, Osmani e cilësoi si një ndëhyrje shumë të rëndë dhe jo proporcionale në të drejtën për jetë private dhe familjare. Sipas subjektit, diferenca në vlerën 1.7 milion lekë, rreth 300 mijë lekë më shumë nga diferenca që sipas institucioneve të vetingut

konsiderohet e pamjaftueshme për të penalizuar një subjekt rivlerësimi, nuk mund të konsiderohet si arsye e mjaftueshme dhe legjitime për marrjen e masave ndaj dy magjistratëve të të njëjtës familje.

Bazuar në këto argumente, ajo u shpreh se Komisioni ka vendosur duke vlerësuar dhe balancuar drejtë interesat e prekura dhe në përputhje me parimin e proporcionalitetit. Në përfundim, gjyqtarja Marinela Osmani kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për konfirmimin e saj.

KPA njoftoi se vendimi do të shpallet më 27 maj, në orën 13:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *