Kreu i Gjykatës së Apelit Gjirokastër, Dritan Baushi, gjatë seancës dëgjimore në KPK, me 27.01.2020 | Foto : Edmond Hoxhaj
KPK Lajme Në Fokus

Gjyqtari Dritan Banushi përballet me vetingun

Kryetari i Gjykatës së Apelit Gjirokastër, Dritan Banushi u përball të hënën më 27 janar me procesin e vetingut në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK.

Kreu i Gjykatës së Apelit Gjirokastër, Dritan Baushi, gjatë seancës dëgjimore në KPK, me 27.01.2020 | Foto : Edmond Hoxhaj

Trupa gjykuese që po kryen rivlerësimin e Banushit përbëhet nga Brunilda Bekteshi kryesuese, Suela Zhegu relatore dhe Valbona Sanxhaktari anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm, Hans Klijstra.

Dritan Banushi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe përgjatë gati tre dekadave ka punuar si gjyqtar i Shkallës së Parë dhe Apelit Gjirokastër. Në vitin 2014 ai është emëruar si kryetar i Gjykatës së Apelit Gjirokastër.

Relatorja e çështjes, Suela Zhegu tha në fillim të seancës se hetimi për Banushin ishte përfunduar në ë tri kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizimit.

Komisioni konstatoi një sërë problemesh me pasuritë e patundshme të gjyqtarit, burimet financiare të personave të lidhur si dhe një bilanc negativ në analizën financiare me vlerë 1 milionë lekë.  Ndërkohë, gjyqtari Banushi u vlerësuar pozitivish për sa i përket pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Kryetari i Gjykatës së Apelit i kundërshtoi gjetjet e KPK-së për sa i përket pasurisë duke dhënë shpjegime për pasuritë e paluajtshme, vërtetësinë e deklarimeve për personat e lidhur dhe duke paraqitur një analizë financiare të përpiluar nga një ekspert i jashtëm për të hedhur poshtë bilancin negativ të KPK-së.

Komisioni identifikoi disa probleme lidhur me një apartament të blerë nga babai i gjyqtarit Banushi, një apartamenti tjetër të trashëguar nga bashkëshortja e tij, si edhe mungesë të burimeve të ligjshme për periudhën 2013-2016.

Për apartamentin 85.5 m2 të blerë nga babai i Banushit në vitin 2004 në vlerën 800 mijë lekë, relatorja Zhegu tha se kjo pasuri i është nënshtruar verifikimit për shkak se gjyqtari e posedon që prej vitit 2005.

“Për këtë arsye prindërit e subjektit të rivlerësimit janë vlerësuar si persona të tjerë të lidhur”, shpjegoi Zhegu.

Sipas Komisionit, duket se apartamenti është blerë i përfunduar dhe jo në gjendje karabina ashtu si është deklaruar nga gjyqtari Banushi. Gjithashtu, Zhegu theksoi se dukej se kjo pasuri nuk ishte blerë në vlerën e saj.

Pasi shprehu vlerësimin  tij për hetimin administrative të KPK duke e konsideruar gjithëpërfshirës dhe korrekt, Banushi theksoi se kishte qenë mjaft i sinqertë dhe i ndershëm në ato çka kishte deklaruar.

“Vërtetohet se shtëpia është blerë karabina. Kam qenë i sinqertë në vitin 2004 dhe i qëndroj atij deklarimi edhe sot. Pavarësisht se ka një akt kolaudimi, nuk kemi të bëjmë me një banesë me çelësa në dorë, por me karabina”, deklaroi Banushi para trupës së KPK.

Ai shtoi se kjo gjë provohej edhe me hyrjen përballë apartamentit të babait të tij që ishte ende karabina.

“Ju kam vënë në dispozicion fotografi që vërtetojnë se është karabina. Por, edhe pse është në këtë gjendje ka akt kolaudimi”, tha Banushi.

Ai këmbënguli se edhe vlera reale e apartamentit ishte 800 mijë lekë.

“Kam paraqitur edhe kontrata të tjera të atyre ditëve ku përcaktohet e njëjta vlerë shitje. Edhe pse apartamentin përballë e kanë pasur pronarët e tokës, ata e kanë shitur për 800 mijë lekë”, theksoi Banushi dhe shpjegoi më tej se punimet e brendshme ishin kryer nga blerësit dhe jo nga firma ndërtuese.

Ai shpjegoi se prindërit e tij kishin pasur mundësi financiare për blerjen e këtij apartamenti pasi kishin qenë të vetëpunësuar në bujqësi.

“Edhe pse nuk mund të vlerësohen pasi nuk janë tatuar, të ardhurat e tyre kanë qenë të mjaftueshme,” tha gjyqtari.

Ai shtoi se prindërit e tij kishin sakrifikuar për të ndërtuar diçka për fëmijët dhe për ti shkolluar. Banushi shpjegoi se në vitin 2003 babai ishte sëmurë dhe kishte shitur 100 krerë bagëti duke siguruar të ardhura të mjaftueshme për blerjen e apartamentit karabina në vlerën 800 mijë lekë.

Ai tregoi se  këtë vit nëna kishte dalë në pension, ndërsa babai pak kohë më vonë dhe duke qenë se nga të ardhurat nga bujqësia e blegtoria mbulonin thuajse të gjitha nevojat e tyre mund të kursenin të ardhurat nga pensioni që më pas janë investuar në punimet e pjesës së brendshme të apartamentit.

Anëtarja e trupës gjykuese, Valbona Sanxhaktari u ndal tek gjetjet e Komisionit për këtë pasuri. Ajo tha se edhe nëse do të përfshihej vlera 1 milion lekë e punimeve të brendshme, vlera totale e apartamentit shkonte 1.8 milionë lekë, që ishte sërish më e ulët nga kostoja mesatare e përllogaritur nga Komisioni për një banesë të tillë, në shumën 2.6 milionë lekë.

Lidhur me mundësinë financiare të personit të lidhur, ajo shtoi se bujqit ishin përjashtuar nga tatimi pikërisht për faktin se shteti kishte konsideruar se kishin mundësi minimaliste.

Konstatimeve të Sanxhaktarit Banushi ju përgjigj se babai i tij kishte punuar si murator para viteve ’90 dhe një pjesë të punimeve i kishte kryer vetë.

Ndërkohë, ai tha se pavarësisht se nuk mund të evidentoheshin zyrtarisht të ardhurat, kishte sjellë para Komisionit një analizë financiare të kryer nga një ekspert kontabël i pajtuar prej tij, prej nga rezultonte se prindërit kishin pasur mundësi financiare për kryerjen e investimit.

Ndërkohë, për një apartament me sipërfaqe 67 m2 + shtesë 13 m2, në emër të bashkëshortes e trashëguar nga babai i saj në vitin 2016, Komisioni identifikon mospërputhje të deklarimeve me dokumentacionin e siguruar gjatë hetimit administrative lidhur me shtesën.

Në fjalën e tij, gjyqtari Banushi shpjegoi se bashkëshortja e tij e kishte përfituar apartamentin dhe shtesën anësore nëpërmjet trashëgimisë nga i ati.

“Nuk mund të veçohej shtesa ku lejen në 2005 e ka marrë babai i ndjerë i bashkëshortes. Punimet vazhduan deri në vitin 2010 dhe mbeti pa përfunduar shtrimi me pllaka. Por kjo nuk do të thotë se i ndjeri nuk mund të ishte pronari i shtesës”, shpjegoi Banushi.

Ai vijoi se kishte siguruar një praktikë të një prej pronarëve të shtesës.

“Fakti se nuk e ka regjistruar dot, nuk do të thotë se nuk ka qenë pronar. Pronësinë e ka fituar që në gjallërinë e tij, me punimet e kryera para vitit 2012”, theksoi Banushi.

“Për deklaratën time se shtesa është e papërfunduar jam nisur se nuk ishin përfunduar punimet e brendshme dhe nuk ishte regjistruar”, përfundoi Banushi .

Komisioni identifikon pamjaftueshmëri të burimeve financiare të ligjshme për dy depozita në Bankën Amerikane të Investimeve, njëra e krijuar në vitin 2015 në vlerën 2 milionë lekë dhe një tjetër në shumën 700 mijë lekë.

Zhegu tha se nga analiza financiare është konstatuar se për periudhën 2013-2016 ka një balancë negative në vlerën -1 milionë lekë.

Lidhu m këto balanca negative, gjyqtari Banushi tha se kishte kryer një analizë tjetër financiare me anë të një eksperti kontabël, sipas të cilës rezultonte pa mungesa burimesh të ligjshme për vitet e pretenduara nga Komisioni.

“Për vitin 2013 mendoj se balnaca negative nuk egziston”, theksoi Banushi. Ai shpjegoi se shpenzimet që ishin faturuar bazuar në TIMS nuk qëndronin pasi sipas tij kishte vërtetuar se hyrje-daljet në Kakavijë e Kapshticë ishin kryer për shkak të detyrës.

“Kam shkuar për të zhvilluar gjyqe në Apelin e Korçës dhe për shkak se rruga ishte më e mirë dhe koha ishte e keqe, për sigurinë e jetëve tona kemi zgjedhur të udhëtojnë nëpërmjet territorit të Greqisë. Kjo vërtetohet se kam qenë I pranishëm në zhvillimin e seancave gjyqësore në Apelin e Korçës”, pohoi Banushi.

Ai shpjegoi se nuk kishte pasur asnjë shpenzim për këto udhëtime, pasi dhe karburanti paguhej nga Gjykata e Apelit Korçë.

“Vetëm një dalje kur kam shkuar me pushime në Turqi duhet të vlerësohen nga Komisioni,” kërkoi Banushi.

Ai gjithashtu këmbënguli se prindërit e tij kishin pasur mundësi për pagimin e vlerës 219 mijë lekë për shkollën verore të vajzës së tij në Britaninë e Madhe dhe se kjo shumë nuk duhej ti faturohej atij.

Edhe për vitin 2014 Banushi tha se dy udhëtime në Greqi kanë qenë me qëllim për të shkuar në Gjykatën e Apelit Korçë. Ai u ndal edhe në vlerësimin e Komisionit për shpenzimet e tij për arredimin  e apartamentit nga viti 2007 deri në vitin 2015 në vlerën 1 milion e 15 mijë lekë.

Banushi tha se Komisioni i kishte ndarë shpenzimet në mënyrë proporcionale për çdo vit, por, sipas tij shpenzimet kishin qenë më të mëdha gjatë viteve 2007-2010.

Ai shtoi se Komisioni kishte pasaktësi në përllogaritjen e shpenzimeve për vajzën e tij gjatë kohës që ishte në shkollë. Sipas tij, është përllogaritur edhe shpenzimi për jetesën e saj në Tiranë, edhe si anëtare e familjes në Gjirokastër. Ai kërkoi që të hiqeshin shpenzimet si anëtare e familjes për këtë periudhë.

Banushi tha se edhe për vitet 2015 dhe 2016 janë përllogaritur udhëtimet për në Apelin e Korçës dhe se shpenzimet e vajzës janë përllogaritur dy herë.

Ndërkohë nuk u evidentuan probleme për burimin e një depozite të krijuar në Alpha Bank të vitin 2014 në vlerën 3 milionë lekë, në blerjen e një autoveturë tip Audi në vitin 2007 në vlerën 3800 euro + doganën dhe një gjendje cash 5000 USD në vitin 2017.

Zhegu tha se nuk janë gjetur  mungesë burimesh financiare edhe për krijimin e një llogarie kursimi për vajzën në bankën ‘Intesa Sanpaolo’ në vlerën 6900 euro të krijuar nga pakësimi i gjendjes ‘cash’ në vitin 2015 në vlerën 3900 euro dhe dhurimi i 3000 eurove nga vëllai i gjyqtarit. Komisioni ka hetuar për burimin e ligjshëm të dhuratës 3000 euro nga i vëllai, prej nga është konstatuar se ai ka pasur të ardhura të mjaftueshme të siguruara nga puna e tij në Greqi.

Gjyqtari Dritan Banushi u vlerësua pozitivisht për figurën dhe profesionalizimin. Relatorja Zhegu pohoi se Banushi ka aftësi për integrimin dhe zbatimit e ligjit, si edhe aftësi organizative. Ndërkohë, 14 denoncime nga publiku nuk e kanë cënuar profesionalizmin dhe figurën e gjyqtarit Dritan Banushi, pasi Komisioni nuk ka gjetur probleme thelbësore.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet me datë 28 janar, ora 10:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *