Ish-kryetarja e KPK, Pamela Qirko gjatë një aktiviteti. Foto: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Artikull kryesor ! Lajme

KPK kërkoi donacion nga kompania e Kastratit, duke i kujtuar një tender të fituar më parë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i kërkoi kompanisë private “Albsig” sh.a që të sponsorizonte aktivitetin në resortin luksoz “Marina Bay” në shtator të vitit 2021, duke i kujtuar një kontratë sigurimi të lidhur më parë mes tyre, sipas të dhënave që BIRN siguroi nga një korrespondencë mes Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM dhe KPK-së.

Marrëdhënia financiare mes institucionit të vetingut dhe kompanisë “Albsig” nisi në korrik 2020, kur KPK vendosi të paguante 4.4 milionë lekë për sigurimin e shëndetit të këshilltarëve, familjarëve të komisionerëve dhe stafit administrativ të KPK-së.

Por në qershor të vitit 2021, KPK nënshkroi një kontratë të dytë me Albsig, ku kompania e sigurimeve merrte përsipër që të paguante një sponsorizim prej 3 mijë eurosh për transportin dhe akomodimin e stafit të KPK-së në resortin “Marina Bay” në Gjirin e Vlorës.

Sipas ONM, rrethanat e mësipërme “kanë implikime të rëndësishme ligjore dhe praktike”.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ngrit për të monitoruar procesin e vetingut të magjistratëve në Shqipëri dhe përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë të vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një letër të dërguar kryetares së KPK-së në janar të vitit 2022, ONM shpreh shqetësimin se aktiviteti i zhvilluar në Vlorë nuk përfshihet në listën e veprimtarive sociale dhe publike të lejuara nga ligji “Për sponsorizimet”.

ONM thekson gjithashtu se ligji i vetingut i lejon KPK-së që të përdorë të ardhura dytësore të siguruara nga “projektet ndërkombëtare, donacione dhe publikimet e tyre”. Megjithatë, kontrata e sponsorizimit me kompaninë Albsig ngre sipas vëzhguesve ndërkombëtarë një çështje problematike.

“Në fakt, duket shumë e papërshtatshme për një institucion të vetingut që të kërkojë donacione nga entitete private…,” thekson ONM. “Sa më sipër është e dëmshme për besueshmërinë dhe reputacionin e KPK,” shtohet në letër.

Kompania ALBSIG sh.a është një prej dhjetra kompanive të biznesmenit Shefqet Kastrati me interesa ekonomike në industrinë e hidrokarbureve, biznesin e ndërtimit, hotelerisë si dhe përfitues i disa koncesioneve gjatë qeverisë “Rama” për menaxhimin e aeroporteve, porteve dhe mirëmbajtjes së rrugës së Kombit. Në një shkrim të mëparshëm, biznesmeni Kastrati i tha BIRN se nuk kishte qenë në dijeni të marrëveshjes së sponsorizimit mes kompanisë së zotëruar prej tij dhe KPK-së.

Në kohën e lidhjes së marrëveshjes së sponsorizimit, KPK drejtohej nga komisionerja Pamela Qirko. KPK nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi qëndrimin e ONM-së deri në publikimin e këtij shkrimi.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është institucion kushtetues i krijuar në kuadër të reformës në drejtësi për të pastruar sistemin gjyqësor dhe atë të prokurorisë nga magjistratët e korruptuar me premtimin e rikthimit të besimit të publikut te drejtësia.

Përgjatë mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, qindra magjistratë kanë dhënë llogari dhe janë penalizuar me shkarkim për dhuratat apo sponsorizimet e përfituara nga personat e tretë, të cilat janë vlerësuar në dritën e konfliktit të mundshëm apo në dukje të interesit. Vetë KPK, refuzoi që t’i nënshtrohet të njëjtit standard.

KPK e mbajti sekret për pothuajse tre vjet emrin e sponsorit dhe investoi të tre shkallët e gjyqësorit për të mos e bërë atë publik. KPK u detyrua nga një vendim i Gjykatës së Lartë që të vendosë në dispozicion të BIRN Albania një kopje të plotë të kontratës së sponsorizimit me kompaninë e sigurimeve ALBSIG.

Në letrën dërguar kryetares së KPK-së, ONM i kërkoi Komisionit që të përmbahej në të ardhmen nga iniciativa të ngjashme me marrëveshjen e sponsorizimit me kompaninë e zotëruar nga Kastrati.

ONM e ftoi Komisionin që nëse do të shfaqen situata të dyshimta në të ardhmen, të konsultohet paraprakisht me vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët shprehen se mbeten të përkushtruar për të mbështetur KPK në ushtrimin e mandatit të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *