Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

ONM kundër konfirmimit të Zaganjorit, kërkon rihapjen e vetingut në Apel

Njësoj si në rastin e Bashkim Dedjes së Kushtetueses, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kundërshtoi konfirmimin në detyrë edhe për kreun e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, i cili pritet të përballet tashmë me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.  

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, duke dalë nga seanca dëgjimore e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto:LSA

Vendimi i debatueshëm i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të kreut të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjorit duket se ka lënë të pakënaqur Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit-i cili kërkon një rihapje të procesit të vetingut për të.

Të hënën më 6 gusht, institucioni i Komisionerit Publik njoftoi se kishte marrë një rekomandim nga ONM për të ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e konfirmimit në detyrë për Zaganjorin.

“Komisionerët Publikë, pasi t’u jetë njoftuar vendimi me shkrim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit do ta shqyrtojnë atë, krahas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit,” thuhet në njoftimin për shtyp.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i përfaqësuar nga Olsi Komici, Pamela Qirko dhe Roland Ilia konfirmoi më 24 korrik Zaganjorin, pavarësisht se në seancën dëgjimore ishin ngritur një seri pikëpyetjesh mbi pasurinë e tij me vlerë rreth 58.7 milionë lekësh. Institucioni i Komisionerit Publik tha në njoftimin për shtyp se KPK ka 30 ditë afat për ta njoftuar vendimin me shkrim, gjë që ende nuk është bërë.

Zaganjori është zyrtari i dytë i rangjeve më të larta të drejtësisë që kalon filtrat e KPK-së, por jo ato të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Më herët, ky institucion i kërkoi Komisionerit Publik që të apelojë vendimin për konfirmimin në detyrë të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Më 26 korrik, Komisioneri Publik iu drejtua Kolegjit të Posaçëm të Apelimit me ankim për Dedjen dhe kërkesën për shkarkimin e tij nga detyra.

Xhezair Zaganjori ka një karrierë 40-vjeçare fillimisht si pedagog dhe diplomat e më pas si anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe kryetar i Gjykatës së Lartë në Shqipëri. Por pavarësisht kësaj, procesi i rivlerësimit për të u fokusua vetëm në kriterin e pasurisë.

Problemet e evidentuara në seancën dëgjimore lidheshin me pasuritë e paluajtshme që zotërohen nga familja Zaganjori; një apartament 293 metra katrorë në rrugën “Dedë Gjo Luli” në Tiranë, një dyqan i deklaruar si bibliotekë, një bodrum 65 metra katrorë dhe një zyrë prej 15 metrash katrorë, të cilat ndodhen në të njëjtën godinë të ndërtuar mbi tokën e gjyshit të bashkëshortes së tij.

Në seancën dëgjimore, relatorja e çështjes, Pamela Qirko tha se subjekti kishte kryer deklarim të pasaktë, kishte bërë kontrata fiktive me qëllim shmangien e taksave për pasuritë e paluajtshme si dhe rezultonte në mungesë burimesh të ligjshme.

Vetë Zaganjori u mbrojt me argumentin se pasuritë e mësipërme ishin të ndërtuara prej vitit 1997 me kontributin e të gjithë familjarëve në tokën e gjyshit të bashkëshortes së tij dhe se kontratat nuk kishin të bënin me blerje, por formalizimin e këtyre pronave dhe futjen e tyre në qarkullim civil.

Zaganjori pranoi se kontratat mes gjyshit dhe mbesës ishin fiktive, por mohoi që ato të ishin antiligjore.

“Fitimi i pronësisë për këtë pronë është shumë i qartë, që në vitin 1997 me krijimin e sendit. Në vitin 2001 u bë formalizimi për t’i futur këto prona në qarkullimin civil,” tha ai.

Kryetari i Gjykatës së Lartë është vendosur gjithashtu në vështirësi për të justifikuar me dokumentacion të ardhurat e përfituara para vitit 2003 si dhe ato të deklaruara si kursime në vitin e parë të deklarimit. Për pretendimin e përfitimit të 94 mijë markave gjermane nga Instituti Max-Planck në Gjermani për vitet 1998-1999, Komisioni arriti në përfundimin se subjekti ka paraqitur dokumente për përfitimin e një burse por nuk është e qartë se si paratë kanë ardhur nga Gjermania në Shqipëri.

Kryetari i Gjykatës së Lartë pranoi se kishte pasur vështirësi për të siguruar të gjithë dokumentacionin për shkak të kohës së gjatë dhe se fundi kishte shkuar vetë në Gjermani për t’i gjetur ato, por renditi një sërë funksionesh që sipas tij i kanë sjellë të ardhura të mjaftueshme.

“Unë po i llogaris që nga viti 1987, që kemi shitur shtëpinë në Shkodër, në ‘98 kam qenë në institutin Max-Planck, nga i cili kam marrë 8 mijë… Në ’99 kam marrë 9 mijë marka për 3 muaj. Bashkëshortja ka qenë në punë, unë kam qenë ambasador,” shpjegoi Zaganjori.

“Vetëm për vitet ’98-’99 kam marrë gjithsej 94 mijë e 600 marka,” shtoi më tej ai.

Një problem tjetër, i ndarë në disa pika në relatimin e Qirkos ishin edhe qeratë e konsiderueshme të përfituara nga pronat e mësipërme. Sipas saj, gjatë viteve 1999-2001, ambientet janë lëshuar me qera nga një shtetase me inicialet M.H. Ndërsa gjatë viteve 2005-2007, Zaganjori ka deklaruar se ka përfituar rreth 7500 dollarë dhe 742 mijë lekë nga dhënia me qera e njësisë bodrum+zyrë te kompania “M&D”, por nuk kishte paraqitur as kontratë qeraje dhe as vërtetim të tatimit të të ardhurave në burim.

Ndërsa për qeratë e përfituara në vitet 2007-2009, subjekti ka paraqitur kontratën me një kompani private në vlerën 300 euro në muaj, por kishte sërish shmangie nga tatimet.

Sa i përket gjetjes për shmangien nga Tatimet, Zaganjori tha se në rastin e qerave, detyrimin për t’i shlyer ato e kishin kompanitë qeramarrëse, që sipas tij i kishin paguar.

Me këmbënguljen se të ardhurat e tij mbulonin të gjitha shpenzimet dhe se të gjitha bilancet i dilnin pozitive, Zaganjori vuri në dyshim llogaritjet e KPK-së. Mbrojtja e tij rezultoi e efektshme, pasi trupa gjykuese vendosi më 24 korrik që Zaganjori të vazhdonte karrierën në krye të Gjykatës së Lartë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *