Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Konfirmohet Dollapaj, ngritja e KLP-së pret vetingun e 4 kandidatëve të fundit

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë prokurorin e Apelit të Shkodrës, Arben Dollapaj. Mbeten për të kaluar në veting edhe katër kandidatë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Seanca e KPK-së për prokurorin Arben Dollapaj | Foto nga : Besar Likmeta

Prokurori i Apelit të Shkodrës, Arben Dollapaj, i cili kandidon njëherazi për Këshillin e Lartë të Prokurorisë u konfirmua në detyrë pasi kaloi me sukses të tria kriteret e rivlerësimit.

Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, e udhëhequr nga Lulzim Hamitaj, me relator Olsi Komici dhe anëtare Brunilda Bekteshi e shpalli vendimin në një seancë të shkurtër paraditen e së hënës.

Arben Dollapaj e ka filluar karrierën në vitin 1993 dhe ka ushtruar funksionin e prokurorit në Durrës dhe Tiranë. Në vitet 2008-2016, Dollapaj ka shërbyer në Prokurorinë e Përgjithshme, ku ka mbajtur funksionet e drejtorit të Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore si dhe drejtorit të Drejtorisë Gjyqësore dhe Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

Në vitin 2016, Dollapaj u transferua në Prokurorinë e Apelit të Shkodrës pas një përplasjeje me ish-kreun e Prokurorisë së Përgjithshme, Adriatik Llalla.  Ai e cilësoi këtë vendim si “hakmarrje” dhe ngriti padi në Gjykatën Administrative të Apelit duke kërkuar rikthimin e tij në vendin e mëparshëm të punës në Prokurorinë e Përgjithshme.

Prokurori Arben Dollapaj është kandidati i tetë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë që konfirmohet në detyrë. Ngritja e këtij institucioni të ri varet tashmë nga shpejtësia e procedurave të vetingut për katër kandidatët e mbetur pa kaluar në veting.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është institucioni që pritet të garantojë pavarësinë, llogaridhënien dhe karrierën e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. Ai përbëhet nga 11 kandidatë; pesë prej të cilëve jo-prokurorë janë zgjedhur tashmë nga Kuvendi dhe gjashtë të tjerët pritet të zgjidhen nga Mbledhja e Përgjithshme e prokurorëve të të gjitha niveleve.

Për gjashtë postet e anëtarëve nga Prokuroria kandiduan 19 vetë, mes të cilëve edhe Arta Marku, e cila dha dorëheqjen pas zgjedhjes si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme. Tetë prej këtyre kandidatëve janë rikonfirmuar tashmë në detyrë, gjashtë të tjerë u rrëzuan në veting dhe katër kandidatë të KLP-së janë ende në listën e pritjes.

Sipas ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, tre prej anëtarëve të KLP-së do të përfaqësojnë prokuroritë e shkallës së parë, ku njëri duhet të ushtrojë funksionin jashtë Tiranës, dy prej anëtarëve do të përfaqësojnë Prokuroritë e Apelit, ku njëri sërish duhet të jetë nga jashtë Tirane dhe një anëtar do të zgjidhet mes kandidatëve të Prokurorisë së Përgjithshme.

Për t’i hapur dritën jeshile ngritjes së këtij institucioni nevojitet të kalojnë në veting katër kandidatët e fundit; Ramadan Troci nga Prokuroria e Përgjithshme, Bujar Hoti nga Prokuroria e Apelit Durrës, Shpëtim Kurti nga Prokuroria e Tiranës dhe Besnik Cani nga Prokuroria e Rrethit Elbasan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *