Presidenti Ilir Meta dhe Besnik Muçi gjatë betimit si i zgjedhuri i parë i Gjykatës Kushtetuese në Presidencë. Foto: Presidenca
Lajme Vendi

Meta hap garën për vendin e Besnik Muçit në Gjykatën Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese hoqi Muçin nga lista e anëtarëve, ndërsa presidenca njoftoi hapjen e vakancës. Meta tha se i kishte kërkuar Muçit të rishikonte qëndrimin pas vendimit të KPA.

Presidenti Ilir Meta dhe Besnik Muçi gjatë betimit si i zgjedhuri i parë i Gjykatës Kushtetuese në Presidencë. Foto: Presidenca

Presidenti i Republikës njoftoi të premten hapjen e procedurave të aplikimit për plotësimin e “vakancës së parakohshme” të krijuar për vendin gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se bazuar edhe në vendimin nr.32, datë 21 nëntor 2019 të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA për shkarkimin nga detyra të Besnik Muçit njoftuar nga Gjykata Kushtetuese, me qëllim plotësimin e “vakancës së parakohshme”, është miratuar procedura e aplikimit për emërim gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese. Presidenca ka lënë si afat të fundit datën 20 dhjetor 2019 për paraqitjen e kërkesës për shprehje të interesit për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese.

Në një njoftim të mëparshëm të Presidencës, po të datës 22 nëntor, thuhet se Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti në një takim ish-pokurorin e Krimeve të Rënda dhe ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi.

Aty thuhet se Presidenti Meta i kërkoi Muçit që të vlerësonte mundësinë që të rishikonte qëndrimin e tij dhe të tërhiqej nga kërkesa bërë Gjykatës Kushtetuese për tu shprehur për mandatin e tij. Pas shpalljes së vendimit nga KPA, Muçi deklaroi se do të vazhdonte ushtrimin e detyrës në Gjykatën Kushtetuese.

Meta thekson se ka vendosur që shorti për zgjedhjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, do të realizohet nga institucioni i Presidentit të Republikës në datë 5 dhjetor 2019 dhe pas fillimit të funksionimit të KED-së së re do të ndjekë veprimtarinë e Këshillit për të mbrojtur integritetin e mëtejshëm të procesit për ngritjen dhe funksionimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese.

Edhe Gjykata Kushtetuese ka hequr nga faqja zyrtare emrin dhe foton e Besnik Muçit si anëtar.

Muçi, prokuror prej vitit 2002, u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese më 16 tetor nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ndërsa ndaj tij vijonte procesi I rivlerësimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Ai u përball me probleme me pasurinë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit që vendosi të ndryshojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe ta shkarkojë atë.

Procesi i emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, krijoji një situatë tensioni mes institucionit të Presidentit të Republikës dhe kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani dhe shumicës partlamentare. Presidenti Meta depozitoi një kallëzim penal ndaj Dvoranit për akuzat  “shpërdorim detyre” dhe “përvetësim i titullit apo i detyrës shtetërore” në lidhje me procedurat e ndjekura nga KED për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *