Entela Shedula në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Vladimir Karaj.
Analiza KPA Lajme Veting

Argumentet në KPA që i hapën rrugën rikthimit në detyrë të Entela Shedulës

Gjyqtarja e Kavajës, Entela Shedula u shkarkua nga detyra më 4 qershor 2020 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK për mungesë të burimeve për ndërtimin e një objekti trekatësh dhe blerjen e një automjeti, por Kolegji e përmbysi si të pabazuar këtë rezultat duke çmuar se ajo kishte arritur nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë.

Pas rikthimit të çështjes në Komision për rivlerësimin e dy kritereve të tjerë, atë të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit, Shedula u rikthye në detyrë më 27 janar.

Në shqyrtimin e aspekteve procedurale të gjykimit në shkallën e parë të vetingut, Kolegji ka konstatuar se sekretarja gjyqësore e Komisionit nuk ka qenë e pranishme në ditën e shpalljes së vendimit, megjithatë rezulton se procesverbali i asaj seance është nënshkruar edhe prej saj. Kolegji ka vlerësuar se zhvillimi i seancës në mungesë të sekretares gjyqësore përbën shkelje të rregullave procedurale dhe për të korrigjuar këtë gabim është kaluar çështja në seancë gjyqësore publike. Ndërkohë, janë konsideruar të pabazuara shkaqet e ngritura nga subjekti lidhur me aspektet procedurale.

Trupi gjykues i Kolegjit është ndarë në vlerësimin e Shedulës, ku shumica e përbërë nga kryesuesja Albana Shtylla, relatori Sokol Çomo dhe anëtaret Mimoza Tasi e Rezarta Schuetz, çmoi se subjekti kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe e ktheu çështjen në Komision që të vijohej vetingu për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin, kritere në të cilat subjekti mori vlerësime pozitive dhe u konfirmua.

Anëtarja në pakicë, Natasha Mulaj e cilëson të pabazuar në fakte dhe ligj arsyetimin e shumicës, si dhe në favor të subjektit. Ajo çmon se duhej lënë në fuqi vendimi i Komisionit për shkarkimin e Shedulës, pasi kjo e fundit gjendet në kushtet e pamundësisë financiare për krijimin e pasurive dhe se me veprimet e saj ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

Vlerësimet ndryshe për pasurinë

Komisioni ka konkluduar se Shedula ka kryer deklarim të pasaktë për truallin ku është ndërtuar një objekt trakatësh në Kavajë, ku kati përdhes ka destinacion social-ekonomik, ndërsa pjesa tjetër për banim. Kjo, pasi në vitin 2004 subjekti ka deklaruar se ishte përfituar me trashëgimi, ndërsa nga hetimi administrativ ka rezultuar se ishte në emër të shtetit. Pasaktësi është konstatuar edhe për të ardhurat e bashkëshortit, si dhe janë gjetur mospërputhje në deklarimet për burimet e krijimit në deklaratën periodike të vitit 2003 me atë “veting”.

Shpjegimet e subjektit se dy kredi të marra për biznes në vitet 2000-2001, janë përdorur si burim për investimet e kryera në banesë, nuk janë gjetur bindëse nga KPK që ka arsyetuar se kontratat e kredive të marra për zhvillim aktiviteti tregtar, nënshkruar nga subjekti dhe bashkëshorti, janë akte ligjore të cilat kanë fuqinë e ligjit për palët. Për rrjedhojë nuk janë konsideruar si burime për krijimin e kësaj pasurie. Po ashtu, KPK nuk ka gjetur bindës pretendimin e subjektit se një pjesë e një kredie e marrë në vitin 2005 ka shërbyer për investimet e kryera në objekt në 2006-ën, pasi nuk është deklaruar si gjendje cash në vitin përkatës.

Lidhur me konstatimin për pasaktësinë e deklarimit të mënyrës së përfitimit të truallit, shumica e Kolegjit arrin në përfundimin se subjekti nuk ka bërë deklarime të cilat nuk përputhen me dokumentacionin justifikues të godinës. KPA vëren se i vetmi deklarim, i cili lidhet me statusin juridik të pronës, rezulton të jetë bërë nga vjehrri i subjektit në deklarimin e vitit 2004, si dhe nuk ka rezultuar që gjyqtarja Shedula të ketë pasur dijeni që kjo pasuri të kenë qenë e regjistruar ne emër të shtetit dhe qëllimisht të mos e ketë deklaruar këtë fakt.

Ndërsa Mulaj në pakicë çmon se Shedula ka kryer deklarim të pasaktë lidhur me statusin juridik të truallit, pasi në vitin 2004 deklaron se është përfituar me trashëgimi, ndërsa në deklaratën “veting” nuk e përmend këtë truall, por vetëm ndërtesën.

Nisur nga fakti se Komisioni nuk i ka ngarkuar përgjegjësi dhe pasoja për analizën financiare të ndërtimit të këtij objekti në periudhën para lidhjes së martesës deri në vitin 1999, analiza e shkaqeve të ankimit për këtë periudhë është çmuar pa efekt në zgjidhjen e çështjes. Edhe shumica nuk i ka ngarkuar subjektit pasoja për konstatimet lidhur me këtë periudhë kur bashkëshorti nuk ka qenë në cilësinë e personit të lidhur.

Mulaj i kthehet analizës së të ardhurave të bashkëshortit të subjektit për vitet 1991-1999, kur ata ende nuk kishin lidhur martesë. Sipas saj, shumica duhej të mos kishte anashkaluar vlerën negative që do të rezultonte nëse nëse kostoja e ndërtimit për periudhën 1995-1999 do të konsiderohej në vlerën 5.1 milionë lekë si është përllogaritur në Kolegj.

KPA e ka gjetur të drejtë pretendimin e subjektit se kreditë e marra në vitet 2000 – 2001 në shumën totale 1.8 milion lekë janë përdorur për investimet në banesën trekatëshe. Shumica konstaton se nga verifikimi i akteve ka rezultuar se vjehrri i subjektit e ka deklaruar shumën 1.8 milion lekë si një ndër burimet për godinën trekatëshe. Ky deklarim është konfirmuar edhe në deklaratën “veting”, gjatë procesit administrativ në Komision dhe gjykimit të çështjes në Kolegj.

“Subjekti ka qenë konsekuente në deklarimin se këto kredi kanë shërbyer si burim për krijimin e pasurisë objekt kontrolli,” konstaton KPA dhe analizon bilancet e shoqërisë së bashkëshortit të subjektit për të konkluduar nëse kreditë janë përdorur ose jo për aktivitetin tregtar.

Shumica konstaton se sipas akteve të administruara, rezulton se shlyerja e detyrimeve të kredive nuk është përballuar nga shoqëria e bashkëshortit të subjektit dhe bazuar në këtë fakt fondet e tyre nuk duhet të jenë përdorur për aktivitetin tregtar.

Bazuar në këtë analizë të rrethanave, shumica i ka vlerësuar bindëse shpjegimet e subjektit se kreditë janë përdorur për financimin e punimeve të objektit, duke e gjetur të pabazuar konkluzionin e KPK-së për të mos e përfshirë vlerën 1.8 milion lekë si burim në analizën financiare të viteve 2000 – 2001.

Gjyqtarja Albana Shtylla ka rënë dakord me shumicën lidhur me vendimarrjen përfundimtare, por shfaq arsyetim të ndryshëm lidhur me kokluzionin përsa i përket konsiderimit të kredive të marra gjatë viteve 2000-2001 si burim për shtëpinë.

Shtylla konstaton se subjekti dhe bashkëshorti nuk kanë deklaruar këtë pasuri në vitin 2003 dhe se ka qenë zgjedhje e tyre për të mospasqyruar pjesën takuese 1/3-at dhe jo paqartësi. Ajo e mbështet këtë vlerësim në faktin se vjehrri i subjektit në deklaratën e vitit 2003 ka pasqyruar pjesën e tij në këtë objekt, vlerën e ndërtimit si dhe burimin e krijimit.

Ajo vëren se subjekti e ka deklaruar për herë të parë këtë pasuri në vitin 2004 kur ka përcaktuar edhe pjesën e saj takuese, por nuk ka deklaruar burimin e krijimit dhe vlerën e ndërtimit.

Shtylla vlerëson se mosdeklarimi nga subjekti i vlerës së pasurisë deri në vitin 2004, si dhe i burimeve të krijimit të saj, bën të pabesueshme për vërtetësinë e tyre edhe deklarimet e vjehrrit në vitin 2003, përfshirë deklarimet e këtij të fundit për burimin e krijimit të pasurisë, si dhe të deklaratës “veting” nga ana e subjektit. Sipas Shtyllës, këto rrethana nuk krijojnë bindjen se kreditë në vitet 2000-2001 kanë shërbyer për ndërtimet e kryera në këtë objekt.

Ajo shtoi se mosarritja e besueshmërisë bazohet edhe në deklarimet e paplota për fazat e ndërtimit dhe shpenzimeve konkrete të kryera para vitit 2005. Sipas Shtyllës, shuma 1.8 milion lekë e përfituar nga kreditë nuk duhej të ishte përfshirë si burim në analizën financiare të kësaj pasurie. Kryesuesja vëren se nga kjo analizë e kryer në Kolegj, subjekti do të rezultonte me pamundësi në vlerën 940 mijë lekë. Por, duke e konsideruar si balancën negative të vetme, Shtylla çmon se është e pamjaftueshme për të sjellë penalizim dhe se në zbatim të parimeve të objektivitetit dhe proporcionalitetit, subjekti arrin nivel të besueshëm në kotrollin e pasurisë.

Ndërsa Mulaj në pakicë vlerëson se nuk u provua me dokumentacion të ligjshëm se kreditë e marrë në vitet 200-2001 janë përdorur për ndërtimin e banesës dhe se Komisioni me të drejtë nuk i ka përfshirë në analizën financiare.

Sipas Mulajt, Shedula ka qenë gjyqtare në detyrë kur ka nënshkruar kontratat e këtyre kredive për t’i përdorur për biznes, duke vepruar në papajtueshmëri me parimet kushtetuese dhe ligjore të funksionit të gjyqtarit. Në vijim ajo ndalet në argumentin e shumicës se shlyerja e kredive nuk është përballuar nga shoqëria. Sipas Mulajt, në asnjë rast shumica nuk ka vlerësuar asnjë provë se pse këto hua nuk janë deklaruar në bilancet tregtare të viteve 2000-2001. Ajo vlerëson se mospasqyrimi i huave në bilancet financiare të shoqërisë ose është në shkelje të marrëveshjes me kredidhënësin, ose nuk deklaron detyrimet ndaj palëve të treta në pasqyrat financiare.

“…A munden anëtarët e shumicës, me këtë analizë të bërë, të përmbysin një mal me të pavërteta, pretendime të pambështetura në ligj dhe në asnjë provë nga subjekti i rivlerësimit?”, ngre pikëpyetje Mulaj mbi vendimarrjen e shumicës.

KPA i jep të drejtë subjektit edhe lidhur me pretendimin se është i gabuar konkluzioni i KPK për moskonsiderimin si burim të ligjshëm të përdorimit në vitin 2006 të një pjese të një kredie të marrë në vitin 2005, me argumentin nuk është deklaruar gjendje cash e mbetur pas tërheqjes së kredisë.

Sipas shumicës, bazuar mbi aktet e administruara në Komision, konstatohet se subjekti ka pasur mundësinë e disponimit të një likujditeti cash në fund të vitit 2005 në vlerën 1 milion e 628 mijë lekë, megjithëse nuk është pasqyruar në deklaratën e atij viti si shtim i gjendjes cash.

Shumica merr në konsideratë deklarimin e subjektit të vitit 2006 për përdorimin e kredisë për ndërtimin e shtëpisë si korrigjim të vitit paraardhës; si dhe vitin kur është marrë kredia që përkon me deklarimin e dytë periodik në raport me hyrjen në fuqi të këtij detyrimi ligjor që sipas shumicës sjell efekt të kufizuar në vlerësimin e saktësisë së deklarimit.

“…Mbi të gjitha, faktin që pretendimi për ekzistencën e një likuiditeti gjendje cash në banesë në fund të vitit 2005, mbështetet edhe nga rezultati i analizës financiare të kryer nga Komisioni, sipas së cilës subjekti i rivlerësimit mund të justifikonte me të ardhura të ligjshme kursimin në gjendje cash në banesë në vitin 2005, në vlerën e deklaruar si të përdorur në vitin 2006 – çmoi se shpjegimet e subjektit të rivlerësimit, znj. Entela Shedula, në drejtim të mënyrës dhe kohës së përdorimit të fondeve të marra kredi nga Banka Tirana në vitin 2005, arritën të bindin trupin gjykues për besueshmërinë e tyre”, argumenton shumica.

Mulaj paraqet rezerva për këtë arsyetim të shumicës duke vlerësuar se pasaktësia për mosdeklarimin e gjendjes cash në vitin 2005 nuk është e vetmja dhe përkëtë arsye shuma e pretenduar nga subjekti nuk duhet konsideruar si burim i ligjshëm për investimet e kryera në 2006-ën.

KPA i ka dhënë të drejtë Shedulës edhe për të ardhurat e punësimit të bashkëshortit nga punësimi. Shumica ka marr në konsideratë faktin se marrëdhënia e punësimit pranë shoqërive tregtare konfirmohet nga vetë organet tatimore. Po ashtu, ka rezultuar se pagat mujore kanë kaluar nëpërmjet sistemit bankar dhe vlerat e derdhura në bankë përputhen me vlerat e deklaruara në vërtetimet e punëdhënësve, si dhe me ato të shënuara nga subjekti në deklarimet periodike dhe në atë të pasurisë “veting”.

Trupi gjykues vlerëson se vërtetimet e shoqërive punëdhënëse të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, kanë vlerën e provës në lidhje me masën e pagës së dakordësuar.

Për mospërmbyshjen e detyrimeve tatimore nga ana e punëdhënësve për një pjesë ta pagave, KPA vlerëson se nuk mund të penalizohet subjekti dhe bashkësorti e saj, në kuadër të procesit të vetingut. Shumica ka marrë në konsideratë në vlerësimin e saj edhe kërkesëpaditë e ngritura ndaj shoqërive punëdhënëse, me objekt përmbushjen e detyrimeve tatimore.

Bazuar në këto konkluzione, shumica e Kolegjit ka vlerësuar se Shedula ka kryer deklarim të saktë për këtë pasuri dhe se ka pasur burime të ligjshme për krijimin e saj. Po ashtu, është konkluduar se subjkti ka pasur burime të ligjshme edhe për automjetin.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *