Gjyqtarja Anita Mici pas seancës dëgjimore në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme Veting

KPA shkarkon nga detyra gjyqtaren Anita Mici

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të enjten më 23 shkurt 2023 vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Apelit Durrës, Anita Mici, duke e konsideruar të pabazuar në fakte dhe në ligj vendimarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin e saj. Vendimi në Kolegj u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga Sokol Çomo, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtare Albana Shtylla, rezarta Schuetz dhe Ina Rama.

Mici nuk ishte e pranishme në sallë në seancën e shpalljes së vendimit dhe kryesuesi Çomo sqaroi se nuk kishin njoftim për arsyet e mosparaqitjes së saj. Trupi gjykues i këshilluar në vend vendosi të vijojë gjykimin në mungesë të subjektit.

Në vijim, Çomo renditi ecurinë e procesit të rivlerësimit kalimtar ndaj Micit, nga konfirmimi në Komision pasi u konkludua se bazuar në parimet e objektivitetit dhe proporcionalitetit, subjekti kishte arritur të provonte pretendimet e saj për gjetjet në të tre kriteret, deri në konkluzionet përfundimtare të palëve kur nga Komisioneri Publik Florian Ballhysa që kërkoi shkarkimin e saj për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe cënim të besimit të publikut tek drejtësia, ndërsa Mici kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK-së.

Sipas Kolegjit, nga analiza financiare e kryer për apartamentin ka rezultuar balancë negative për pagesën 5000 euro të kryer në vitin 2006, me burim nga kursimet familjare.

Çomo sqaroi se ka rezultuar pamundësi në vite edhe për investimet e tjera dhe shpenzimet familjare pasi nuk janë konsideruar si burim i ligjshëm të ardhurat nga babai i bashkëshortit të subjektit në masën 300 mijë lekë të vit, që është pretenduar nga subjekti se ka qenë një ndihmë financiare. Sipas KPA, këto të ardhura nuk janë pasqyruar në deklaratat periodike dhe në atë “veting”, por janë pretenduar vetëm gjatë hetimit administrativ.

Likujditetet cash nuk janë konsideruar pasi nuk është deklaruar pakësimi i tyre. Kolegji konkludon se subjekti nuk ka arritur të vërtetojë se shpenzimet e jetesës së djalit janë përballuar nga prindërit.

Po ashtu, është gjetur i drejtë shkaku i Komisionerit Publik se Mici dhe bashkëshorti kanë qenë në pamundësi për blerjen e një automjeti Audi A4, për të mbuluar shpenzimet e tjera dhe shlyerjen e një huaje. Sipas Çomos, pamundësi do të konstatohej edhe nëse përfshihej huaja 6000 euro e marrë prej bashkëshortit për blerjen e mjetit.

Në përfundim të vlerësimit të pasurisë, Kolegji arrin në konkluzionin se gjyqtarja Anita Mici ka kryer deklarim të pamjaftueshëm në këtë kriter.

KPA e ka gjetur Micin të papërshtatshme edhe për profesionalizmin. Çomo konstatoi gjetjet në disa çështje, ku është vërejtur mungesë në arsyetimin ligjor të vendimmarrjeve të subjektit si dhe konkluzionin e Gjykatës së Lartë se trupi gjykues i Apelit Durrës, ku bënte pjesë edhe Mici, kishte vendosur lirimin me kusht të Lulzim Berishës në zbatim të gabuar të legjislacionit.

“Trupi gjykues vlerëson se subjekti i rivlerësimit, Anita Mici, nuk ka arritur nielin e besueshmërisë për konfirmimin në detyrë. Në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm lidhur me kriterin e pasurisë dhe mangësitë profesionale që çojnë në papërshtatshmëri, trupi gjykues vlerëson se vendimi i KPK që ka vendosur konfirmimin e Micit është marrë në konstatim të gabuar të situatës faktike dhe zbatim të gabuar të ligjit, e për rrjedhojë duhet ndryshuar”, deklaroi Çomo.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *