Gjyqtarja e Apelit Shkodër, Lindita Hoxha.
KPA Lajme Veting

KPA lë në fuqi shkarkimin nga detyra të gjyqtares Lindita Hoxha

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi mbrëmjen e të mërkurës më 22 shkurt 2023 vendimin për lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra të gjyqtares së Apelit Shkodër, Lindita Hoxha. Vendimi u mor me shumicë votash në dhomë këshillimi nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Albana Shtylla dhe anëtarë Ina Rama, Mimoza Tasi dhe Sokol Çomo, që e vlerësoi të pabazuar ankimin e gjyqtares Hoxha.

Gjyqtarja e Apelit të Shkodrës, Lindita Hoxha u shkarkua nga detyra më 6 gusht 2020, me votat e dy anëtareve të trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Etleda Çiftja dhe Xhensila Pine. Komisioni konstatoi pamundësi financiare për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 92 m² në Shkodër në vitin 2006 me vlerë 2 milionë lekë, pasi shumica nuk e konsideroi një hua prej 1 milion lekësh, të deklaruar në vitin 2006, por pa emrin e huadhënësit. Identiteti i tij, S.B ishte deklaruar nga gjyqtarja Hoxha në deklaratën “veting”.

Pasqyrimi i identitetit të shtetasit S.B. në deklaratën veting është konsideruar nga shumica si një përpjekje për të justifikuar burimin e huasë, që kishte shërbyer për blerjen e apartamentit. Dy anëtaret e KPK-së argumentuan gjithashtu se një overdraft i pasqyruar gjithashtu si burim për blerjen e apartamentit ishte marrë disa ditë pas kontratës së shit-blerjes.

Por, relatorja Valbona Sanxhaktari nuk u pajtua me mendimin e shumicës dhe argumentoi se subjekti ka përmbushur detyrimin për të pasqyruar me saktësi të dhënat e pasurisë së saj në dekalaratën veting si edhe gjatë procesit të rivlerësimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *