Gjyqtarja e Apelit Administrativ, Fjoralba Prifti | Foto: V. Karaj
KPA Lajme Veting

KPA largon përfundimisht nga detyra gjyqtaren Fjoralba Prifti

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi mbrëmjen e të martës më 21 shkurt 2023 lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra të gjyqtares së Apelit Administrativ, Fjoralba Prifti, duke e larguar atë përfundimisht nga sistemi i drejtësisë. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Ina Rama dhe anëtarë Mimoza Tasi, Natasha Mulaj e Rezarta Schuetz.

Fjoralba Prifti u shkarkua nga detyra nga KPK më 17 shtator 2020 për mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasurinë. Sipas vendimit të KPA-së, disa pretendime të subjektit të parashtruara në ankim u gjetën të drejta, por ato nuk arritën të cenojnë vendimin e Komisionit në tërësinë e tij.

Kolegji vlerëson se subjekti dështoi të provonte ligjshmërinë e një pjese të të ardhurave të bashkëshortit të përfituara nga puna si përkthyes në institucione dhe organizata ndërkombëtare si dhe vërtetësinë e një marrëdhënie huaje, të cilat shërbyen si burime për blerjen e një apartamenti.

Në vendim thuhet gjithashtu se Kolegji kreu një analizë të re financiare dhe korrektoi rezultatin e analizës financiare të Komisionit për tre vite, por këto ndryshime rezultuan të pamjaftueshme për të përmbysur konkluzonin e Komisionit në vlerësimin e pasurisë.

Në përfundim, Kolegji la në fuqi vendimin e KPK-së me argumentin se subjekti gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm.

Fjoralba Prifti mbaroi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002 dhe u emërua gjyqtare në Gjykatën e Lezhës. Në vitin 2014, ajo u emërua gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Shkodrës, ndërsa në vitin 2016 u dekretua në Gjykatën e Apelit Administrativ në Tiranë.

*Ky shkrim u amendua për të saktësuar se subjekti i rivlerësimit nuk u shkarkua për fshehje dhe deklarim të rremë, por në kushtet e parashikuara në nenin 33, pika 5, gërma b e ligjit 84/2016 për mungesë të burimeve të ligjshme për të justifikuar pasurinë. Reporter.al kërkon ndjesë për gabimin dhe po punon që të mos përsëritet.  

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *